Partia Demokratike e konsideron shërbim ndaj mafias në pushtet pushimin e hetimeve për ekstradimin e paligjshëm të Nazer Seitajt, duke shpëtuar nga burgu përgjegjësen kryesore – Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Pushimi i hetimit është urdhëruar pavarësisht se vetë prokurorët e çështjes kanë konstatuar shkelje flagrante të ligjit nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Për vendimin e pushimit të hetimeve, Donika Prela, në atë kohë në krye të Prokurorisë së Durrësit, u shpërblye nga mafia në pushtet, duke u ngritur në detyrë si drejtuese e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kundërshtim me ligjin.
Nëse i shërben Qeverisë promovohesh. Nëse i shërben krimit të organizuar ngrihesh në detyrë dhe bën karrierë. Nëse lufton bandat dhe kriminelët shkarkohesh nga detyra. Kjo është drejtësia që po instalon në Shqipëri Edi Rama.
Një ditë pasi Gjykata e Katanias liroi nga qelia të ashtuquajturin ‘financier’ të grupit të Habilajve, Nezar Seiti, mësohet se Prokuroria e Durrësit ka pushuar hetimin mbi ligjshmërinë e ekstradimit të tij drejt shtetit fqinj.
Në vendimmarrjen e prokurorisë së Durrësit thuhet se hetimet për ligjshmërinë e ekstradimit janë pushuar në fund të qershorit dhe vendimi është miratuar edhe nga Gjykata e Durrësit.
Në arsyetimin e Prokurorisë thuhet se parregullsitë e tre institucioneve për ekstradimin e Seitit, konkretisht Prokuroria, Gjykata dhe Drejtoria e marrëdhënieve Juridiksionale nuk përbëjnë vepër penale, por vetëm masë disiplinore.
Një ditë më parë Gjykata e Katanias ka lehtësuar masën për Nezar Seitin nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, por ende nuk është arsyetuar ky vendim. Nezar Seit u arrestua më 19 nëntor në Vlorë për llogari të autoriteteve italiane, pasi dyshohet si pjesëtar i grupit të Habilajve të akuzuar për trafik droge.
Nga përgjimet e Prokurorisë së Katanias, Seiti ka pasur rolin e financierit të grupit Habilaj dhe kujdesej për blerjen e gomoneve të shpejta. Gjithashtu sipas përgjimeve, Seiti bënte shpërndarjen e parave mes anëtarëve të bandës.
Ekstradimi drejt Italisë u kërkua nga vetë Seiti pasi nëpërmjet avokatit të tij, është shprehur se nuk beson tek drejtësia shqiptare. Ekstradimi i tij drejt Italisë ngjalli mjaft debate në vend.