Partia Demokratike kërkoi dje reagim të fortë qytetar për ti dhënë fund rrënimit të vendit nga trafiku i drogës. Përmes një deklarate për mediat, deputeti demokrat Strazimiri solli në vëmendje se Shqipëria është shndërruar në vendin, i cili identifikohet vetëm me trafikun e drogës.
“Mediat greke denoncojnë qeverinë shqiptare për 1 ton kanabis të kapur dje në afërsi të Athinës, duke thënë se është e të njëjtit rrjet të Balilit, “Escobarit të Ballkanit”, i cili është i lirë dhe ushtron aktivitetin e tij nën mbrojtjen e Edi Ramës edhe pse e kërkon gjysma e policive të Europës dhe DEA amerikane.
Ndërkohë në këto momente që flasim, lajmet bëjnë të ditur se 21 kg kokainë e lidhur me shqiptarë është kapur sërish në Greqi.
Pra, “Fronti i të keqes”, pas mediave më prestigjioze italiane, portaleve analitike, strategji e politikëbërëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tashmë ka kapur edhe Greqinë, e cila na thënkësh se edhe pse Saimiri i Kryeministrit paska asgjësuar 99.99% të drogës në Shqipëri, 0.001%-shi i mbetur po u merr frymën…
E vërteta është se “Fronti i së keqes” drejton sot këtë vend nën divizën “mileti le të lehë, droga të ecë përpara”. Dje 4 nxënëse të shkollës 9-vjeçare në Krujë humbën ndjenjat pikërisht nga hashashi i djegur në klasën e tyre” theksoi Strazimiri.
Deputeti i PD theksoi se Rama po fuqizon trafikun e drogës pasi kërkon që të blejë me çdo kusht zgjedhjet e vitit 2017.
“Në Krujë, aty ku 3 ditë më parë u gjet buzë aksit kombëtar hambari i drogës, me 1.3 tonë kanabis, që nuk u zbulua as nga policia, as nga OSHEE edhe pse konsumonte energji si një fabrikë; por u desh bashkëpunimi i shërbimeve me Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të ndalur këtë krim. Droga që kapin autoritetet fqinje, droga që kap Prokuroria dhe shërbimet, edhe pse me tonelata pothuajse çdo ditë, sipas Edi Ramës është vetëm 0.2 për qind e sasisë.
Nisur vetëm nga kjo shifër e qeverisë, përfytyroni se sa mijëra ton drogë janë kultivuar në vendin tonë dhe po kthehen e pritet të kthehen çdo ditë në qindra milionë euro, para me të cilët Edi Rama kërkon të blejë pushtetin me çdo kusht. Çdo shqiptar sot është nën thirrje për të reaguar.
Ngrihu, përpara se droga të shkojë në klasën e djalit apo vajzës tënde, përpara se droga të mbulojë lagjen e rrugën ku ti jeton, duhet të ngrihesh kundër kësaj të keqeje që sjell rrënim të shoqërisë, helmim, konflikte, vrasje e hasmëri. Shqipëria e pastër, pa drogë, është Shqipëria pa Edi Ramën” theksoi deputeti i PD.