PD reagon ndaj akuzave të PS: Mirëpresim Tahirin, Xhafën e Moisi Habilajn të na hetojnë

Partia Demokratike ka reaguar sot zyrtarisht pas akuzave të PS-së lidhur me kontratën e lobimit në SHBA. Në një njoftim për mediat PD deklarion se, kontrata dhe pagesa e bërë janë subjekt i ligjeve amerikane dhe ato janë verifikuar nga autoritetet në SHBA. “Megjithatë Taulant Balla dhe Blerina Gjylameti janë të mirëpritur t’i hetojnë ato në çdo kohë. Partia Demokratike u vë në dispozicion një kopje kur të duan. Madje janë të mirëpritur të marrin edhe Sajmir Tahirin dhe Agron Xhafën dhe Moisi Habilajn në ekipin e hetimit.

Shpërqendrimi i vëmendjes nga kriminalizimi i qeverisë dhe Partisë Socialiste është shërbim ndaj krimit dhe minim i interesit publik. Vetë Taulant Balla dhe Blerina Gjylametaj duhet të jenë më të shqetësuar për fatin e partisë së tyre që ka rënë nën kthetrat e krimit.

Sidoqoftë, shashkat dhe tamtamet e tyre nuk mbulojnë dot bëmat ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Elvis Roshit dhe të vetë Edi Ramës që janë zhytur në krim dhe trafik droge duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare, sistemin politik dhe të ardhmen ekonomike të shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e PD.

Exit mobile version