PD: Rrjeti i blerjes së votave në çdo qendër votimi

Partia Demokratike reagoi dje pas publikimit të videos së radhës mbi blerjen e votave nga ana e koalicionin të majtë. Përmes një deklarate për mediat, deputetja demokrate, Jorida Tabaku denoncoi skemën se si u blenë votat në Dibër ndërsa tha se me Ramën nuk mund të zhvillohen zgjedhje të lira. “Prova të reja, të publikuara mbrëmjen e së martës në emisionin “Stop”, dëshmojnë edhe një herë se si rrjeti i organizuar i blerjes së votës, ishte instaluar në çdo qendër votimi në Dibër. Edi Rama e ktheu Dibrën në një treg të zi, kriminal të blerjes së votës, duke hapur zyra e sportele të këmbimit të vullnetit të lirë me para e me euro.
Rastet që po nxjerr media çdo ditë provojnë se në Dibër funksionoi një skemë e mirorganizuar e blerjes së votës. Duke nisur nga drejtuesit politikë të fushatës në bashkëpunim me figurat e njohura të krimit të organizuar, drejtorë të administratës qendrore dhe lokale, shefa policie, administratorë, kryepleq dhe zyrtarë publikë, të cilat PD i ka kallëzuar më 1 shtator.
Ky grup i strukturuar kriminal ka shpërndarë milionat që duheshin, ka caktuar njerëzit që do të kryenin operacionin, duke llogaritur e paracaktuar blerjen e votave sipas çdo qendre votimi” tha Tabaku. Ajo theksoi se kjo është skema pra, se si karteli i drogës i Edi Ramës kapi Bashkinë e Dibrës.  “Si vrasës gjakftohtë ata e dinin sa vota kishin në kuti, mbi bazën e parave që kishin hedhur për çdo kuti. Kjo është skema pra, se si karteli i drogës i Edi Ramës kapi Bashkinë e Dibrës. Në Dibër nuk pati zgjedhje. Dibra u kthye në një thertore të madhe të mbytjes së votës së lirë.
Unë jam e sigurt që PD do të shohë edhe nga vetja e do të bëjë analizë të plotë, por Edi Rama tregoi edhe një herë se ai është armiku i votës së lirë. Shqipëria nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën. Nuk mund të ketë zgjedhje me një Kryeministër që i shndërron shqiptarët në të varfër për t’ua blerë varfërinë, për t’ua blerë dinjitetin, me para në këmbim të votës. Çdo qytetar në mbarë vendin e di sot se ai i bleu masivisht votat” tha deputetja demokrate” tha deputetja demokrate. Nga ana tjetër, Tabaku tha se 11 shtatori tregoi se vendi nuk mund të ketë zgjedhje të lira kur në qeveri është Edi Rama.
“Dibra dëshmoi se nuk mund të kemi një demokraci kur Kryeministër i vendit është Edi Rama. E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga korruptimi i mëtejshëm, vjedhja edhe abuzimi me lirinë e votës është reagimi i gjithë shqiptarëve për të larguar nga drejtimi ato që e varfërojnë këtë vend për ta blerë më lirë. Vetëm reagimi i shqiptarëve, mundet të risjellë edhe një herë shpresën që përditë po zhduket nga një bandë, e cila nuk beson në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të bashkohemi të gjithë për t’i bërë ballë Kryeministrit Rama, i cili përmes pushtetit dhe lidhjeve të tij me krimin jo vetëm vjedh të tashmen, por edhe të ardhmen e gjithsecilit” tha Tabaku.

Exit mobile version