PD sfidon Ramën dhe Veliajn: Të vijnë në gjyq për të treguar kujt i kanë dhënë 23 milionë euro për një incinerator fantazëm 

• Përballja me drejtësinë për pronarët e fshehtë të inceneratorit të Tiranës

DEKALRATA E INA ZHUPËS DHE BELIND KËLLIÇIT TEK GJYKATA E TIRANËS

Ina Zhupa: Sot ishim në një përballje gjyqësore me inceneratorim të Tiranës si dy përfaqësues politikë të Partisë Demokratike që kemi denoncuar me fakte dhe prova, siç ju i keni ndjekur edhe nga landfilli i Sharrës dhe inceneratori i Tiranës, sesi është abuzuar me fondet publike, si është bërë korrupsioni shtetëror, sesi janë dhënë miliona euro pronarëve qё fshihen nё ofshore dhe sesi prona publike e shqiptarëve keqpërdorohet.

Sot jemi 4 vjet pasi ёshtё dhёnё koncesioni i inceneratorëve tё Tiranës dhe ende vazhdon procesi i shpronësimeve qё e bёn shteti pёr njё privat. Miliona euro janë dhёnё deri mё sot pёr njё incenerator qё nuk ekziston. Ne mund tё shkojmë sё bashku nё çdo moment, jemi tё hapur, i thamë dhe gjykatës ne mund tё shkojmë ta vërtetojmë se atje nuk digjet asgjё.

Ne paguajmë njё shërbim qё nuk e marrim, nga njё shërbim publik qё ishte Sharra dhe landfilli i Sharrës brenda natës u kthye nё njё monopol privat dhe u 100- fishuan çmimet dhe e paguajnë qytetarët e Tiranës.

Deri më sot ne kemi paguar 23 milion euro për një inceneratori që nuk ekziston dhe pastaj jemi të detyruar të vijmë këtu dhe të mbrojmë interesat e qytetarëve shqiptarë, për të treguar që akuzat tona janë të drejta.

Partia Demokratike ka bërë dhe një padi në SPAK ku ka denoncuar me fakte dhe prova se kush janë shkeljet ligjore dhe çfarë besojmë ne se është e drejta për qytetarët shqiptarë për t’i dhënë fund një herë e mirë këtyre abuzimeve që i tregojnë fare qartë dhe raportet ndërkombëtare.

Po ta keni lexuar dje raporti i departamentit Amerikan të shtetit thotë: Shqipëria është parajsë e pastrimit të parave të pista, të parave ofshore dhe të parave që nuk dihet kush i merr dhe kë i ka nga mbrapa. Ne do të jemi përballë mafies së inceneratorëve. Gjithmonë na kanë përballë, nuk trembemi nga gjyqet, nuk trembemi nga shantazhet. Më 25 prill merr fund çdo lloj abuzimi me fondet publike.

Belind Këlliçi: Erdhëm sot në zbatim të ligjit për t’u përballur në fakt me palën që na ka akuzuar. Prisja në gjykatë Mirel Mërtirin të parin, bashkëpronarët e tij në parajsat fiskale. Të vijnë që t’ia bëjnë publike gjithë qytetarëve të Tiranës se kush janë në fakt pronarët e vërtetë. Këtu duhet të ishte edhe Erion Veliaj në gjykatë, bashkë me Edi Ramën, mafia e plehrave, kokat e mafies së plehrave. Të na thonin se kush janë në të vërtetë pronarët e një inceneratori fantazmë që i kushton qytetarëve të Tiranës deri tani 23 milion euro dhe që Tirana sot është më e pistë dhe qytetarët e Tiranës paguajnë 51 mijë euro në ditë për pastrimin e kryeqytetit.

Tirana është e mbushur me plehra, sepse Tirana duke nisur nga zyra e kryetarit të Bashkisë dhe e kryeministrit në brendësi të saj ka vetëm plehra. Ka plehra të cilët kanë lënë Shqipërinë në vendnumëro. Ka politikanë të korruptuar, drejtues qeveritar të korruptuar që luajnë me fatin e të rinjve, që luajnë me fatin tonë, luajnë me fatin e shqiptarëve.

Ne erdhëm këtu për t’u përballur por përballje nuk pati. Pala kundërshtare as nuk denjoi të vinte, të paraqiste prova se pse po gënjejmë ne, çfarë po gënjejmë, çfarë kemi thënë që nuk shkon që nuk është e vërtetë. Nuk na trembin dot. Jo me padi, jo me shantazhe, jo me kërcënime, e kanë të kot.

Për fat të mirë sot jemi 52 ditë larg nga 25 prilli një datë që do të ndajë njëherë e mirë të ardhmen e këtij vendi. Mjaft më me abuzimin me fondet e shtetit, me buxhetin e shtetit, me lekët e taksapaguesve shqiptarë. Ne me të vërtetë jemi një vend i vogël, një vend i varfër, por me aq para sa ka, sigurisht nëse ka një vullnet të mirë dhe një mirëqeverisje, edhe Tirana mund të pastrohet edhe rrugë mund të ketë në kryeqytet edhe lagjet mund të rregullohen edhe kopshte mund të ndërtohen edhe çerdhe mund te ndërtohen edhe ky vend mund të bëhet i jetueshëm. Sot Tirana është e pajetueshme duke nisur pikërisht nga niveli i ndotjes në kryeqytet.

Gazetarja: A kishte përfaqësues nga qeveria sot në gjyq?

Belind Këlliçi: Duhet të vinin. I kemi kërkuar, nuk vijnë. Tirana sot është i vetmi vend në botë që paguan miliona euro për djegien e plehrave dhe nuk digjen plehrat dhe qyteti është i mbushur me plehra. Dhe pse të çohemi ne para gjykatës, dy të rinj, unë dhe Ina ? Pse ? Sepse kemi ngritur zërin. Të dalin ta bëjnë transparente, nuk ka asnjë problem. Të thonë të vërtetën ku shkojnë këto para. Ne nuk jemi të varfër, ne jemi të vjedhur, këtë duhet të dinë shqiptarët. Raporti i KLSH- e ka shprehur qartë, të zezë mbi të bardhë, se në 8 vite janë vjedhur 6.2 miliardë euro të lekëve të taksapaguesëve shqiptarë. Kjo është absurde, kjo histori duhet të marrë fund. Në këtu do të jemi, do të jemi sërish në mbrojtje të opinionit publik, në mbrojtje të kauzave të qytetarëve, për të ngritur zërin, jo për veten tonë por për interesin e qytetarëve shqiptarë. Kemi vendosur të jetojmë në këtë vend, ta bëjmë këtë vend të jetueshëm, të jetë një vend normal.

Të jetë një vend normal. Për fat të keq ne, sot, e kam thënë disa herë, gjendemi gjeografikisht në zemër të Europës, por Shqipëria ka standarde Afrikane, si ato të Mirë Mërtirit në Zimbabve. Kështu që i bëj thirrje të gjithë qytetarëve ta refuzojnë dhe ta përbuzin këtë model keqqeverisjeje, vjedhje të taksapaguesve dhe i premtoj që do ti çojmë të gjithë para drejtësisë. Të gjithë para drejtësisë. Ata që vjedhin lekët e taksapaguesve shqiptarë dhe ata që i kanë marrë jetën një të riu si Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, para 4 vite e gjysmë, që sot nuk ka asnjë të dënuar asnjë të akuzuar para drejtësisë. Kjo është e turpshme, është e pafalshme.

Dhe ajo ç’na ka ndodhur para pak muajsh në landfillin e Sharrës, ka qenë absurde! Dilnin punëtorët na shantazhuan duke thënë që ju gënjeni sepse këtu nuk ka humbur jetën askush. Kjo është absurde! Ne nuk e meritojmë këtë qeveri, nuk e meritojmë këtë bashki, nuk i meritojmë këtë klasë politikanësh në krye të qeverisë të korruptuar në çdo qelizë të tyre. Ndaj, 25 prilli është një referendum për t’u ndarë një herë e mirë nga e keqja. Faleminderit!

2 15

Artikulli paraprakSkandali me aferen e inceneratoreve, Alqi Bllako i jep miliona euro Zotos, Zoto, pagë 10 milionë lekë babit të Alqit
Artikulli tjetërBasha në Kombinat: Procesin e rindërtimit do ta bëjmë ne dhe do ta drejtojnë ekspertë, jo politikanë!