PE: Blerja e votave në Kuvend, e papranueshme

Reforma në Drejtësi vetëm përmes konsensusit

Europarlamentarët dhe raporterët për Shqipërinë, Eduard Kukan dhe Knut Flekenshtajn, shprehen se trafikimi i votës në Kuvend është i papranueshem nga Europa. Kukan dhe Flekenshtajn, njëkohësisht raporterët për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian, janë shprehur dje kategorikisht kundër kalimit të Reformës në Drejtësi me trafikim të votave në Parlament.
Në një prononcim për mediat, Kukan dhe Flekenshtajn thanë se blerja e votës është e papranueshme dhe theksuan se Reforma në Drejtësi duhet të kalojë me konsensus dhe jo me imponimin e njërës palë mbi tjetrën.
“Miratimi i Reformës në Drejtësi pa opozitën nuk shtrohet si çështje. Çështja shtrohet nëse ata e kanë mazhorancën për çka kërkohet dhe në dijeninë time kjo bëhet me 2/3 e votave për të ndryshuar Kushtetutën. Nëse i kanë këto vota është në rregull, por pa i blerë ato, pasi nëse votat blihen kjo është e papranueshme për këdo”, u shpreh Knut Flekenshtajn.
“Blerja e votës nuk është një praktikë europiane dhe ne e refuzojmë kategorikisht atë në çdo shoqëri demokratike. Çdo përpjekje e tillë e ngjashme për të zgjidhur çështjen e një projekti kaq të rëndësishëm sikurse është Reforma në Drejtësi, nëpërmjet blerjes së votës, është thjesht e paimagjinueshme në Parlamentin Europian.
Prandaj është e rëndësishme për të gjithë liderët politikë të flasin dhe të gjejnë rrugët për të arritur një marrëveshje. Asnjë blerje vote dhe asnjë imponim i një pale mbi një tjetër nuk është rruga e duhur, por procesi duhet të ketë mbështetjen e të gjitha forcave politike, sepse vetëm atëherë mund të sjellë progresin e qëndrueshëm të një vendi”, u shpreh Eduard Kukan.

– Mbeten edhe pak ditë para përfundimit të afatit për finalizimin e reformës së gjyqësorit. Ju jeni raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe keni theksuar që në fillim se reforma e gjyqësorit është prioriteti më i rëndësishëm në mesin e 5 prioriteteve që Shqipëria duhet të përmbushë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE-në. Së bashku me zotin Kukan ju keni korrur sukses në ndërmjetësimin e marrëveshjes së dekriminalizimit të jetës politike në Shqipëri. A do të ndërmjetësoni këtë radhë finalizimin e reformës së gjyqësorit? Si do të procedoni?
Është e vërtetë që ne, unë së bashku me Kukan dhe Komisionin Europian po mendonim, se çfarë mund të bëjmë këtu në Bruksel që të thyejmë akullin, duke qenë se ka mbetur vetëm një problem pa zgjidhur. E di që Komisioni do të diskutojë me Partinë Demokratike sot për të parë se çfarë është e mundur të bëhet. Për momentin, nuk mendoj të udhëtoj drejt Tiranës, pasi janë politikanët shqiptarë që duhet të gjejnë një zgjidhje. Ne menduam që nëse kemi ide të mira, mund të këshillojmë palët nga Brukseli. Pra, nuk do të ketë udhëtim dramatik nga Kukan dhe Fleckestein këtë radhë.

– Jemi mësuar  të shohim grupet politike në Parlamentin Evropian dhe liderët europianë në Këshillin Evropian të luftojnë për të gjetur konsensus kur bëhet fjalë për çështjet të rëndësishme dhe të ndjeshme. Komisioni Evropian ka theksuar gjatë gjithë procesit të zgjerimit që nga pikëpamja politike, qëllimi kryesor i procesit të zgjerimit është për të nxitur forcat politike brenda vendit për të gjetur konsensus, përmes mënyrës evropiane të të bërit politikë. Konsensusi në Shqipëri duket shumë i vështirë të gjendet. Kur bëhet fjalë për reforma madhore si ajo e gjyqësorit a është e nevojshme të gjendet konsensusi?
Është e mundur vetëm përmes konsensusit që mund të realizohet, pasi kërkohen ndryshime kushtetuese në disa pjesë. Nëse politkanët shqiptarë nuk janë shembulli më i mirë, atëherë merrni si shembull ekipin kombëtar. Ata luajnë gjatë gjithë vitit kundër njëri-tjetrit në klube sportive të ndryshme. Por kur vjen fjala në nivelin kombëtar, ata bashkohen dhe arrijnë sukses në Kampionatin Europian. Kjo duhet të jetë rruga që duhet të zgjedhin edhe politikanët.

– Lidhur me pikën që ndan qeverinë dhe opozitën, pika 88 e rekomandimit të Komisionit të Venecias. A keni mendimin tuaj për këtë pikë apo ju duket teknike?
Jo, kam mendimin tim. E kuptoj, që opozita do të evitojë që qeveria të drejtojë vetë të gjithë lojën, por nga ana tjetër me vendet e rezervuara vendoset një marrëdhënie midis politikanëve dhe personave që emërohen në organet e drejtësisë, si gjyqtarët apo të tjerë. Nuk është ky rezultati që po kërkojmë në fakt. Besoj, se është e mundur të gjendet një zgjidhje e ndërmjetme për këtë opsion dhe për këtë të dyja palët duhet të lëvizin pak nga pozicioni i tyre.

– Deklarata e shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini për një përgjegjësi individuale të deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Shqipërisë është  përçuar nga disa si një presion i hapur që i ushtrohet palëve. Ç’mendoni ju për këtë deklaratë?
Kjo dihet që çdo deputet është përgjegjës për votën e tij dhe ka përgjegjësi para votuesve dhe ndaj asnjeriu tjetër. Ne jetojmë në një realitet ku jo vetëm një, por grupe të ndryshme ushtrojnë presion, sepse nëse nuk qëndrojnë të bashkuar, nuk mund të arrijnë shumë. Por në këtë rast, bëhet fjalë për vendin. Së pari, shpresoj që të gjendet një zgjidhje e përbashkët dhe pastaj kur të kalohet në votim, çështja është se sa duhet të presë Shqipëria për stadin e ardhshëm të integrimit në Bashkimin Europian dhe për këtë secili duhet të vendosë vetë.

Exit mobile version