Parlamenti Europian do të dërgojë një delegacion vëzhguesish për zgjedhjet e 25 qershorit. Këtë e konfirmoi raportuesi në hije për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Eduard Kukan. Në një intervistë ekskluzive për “ABC News”, Kukan flet edhe për marrëveshjen Rama–Basha, që e vlerëson si tepër pozitive dhe garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Tani sipas tij pritshmëria e zhvillimit të zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike duket realiste, pasi do të ketë marrëveshje midis partive politike se si të organizohen zgjedhjet, opozita po merr pjesë në mënyrë aktive në përgatitjen e tyre përmes përfaqësuesve të saj në qeveri, ashtu edhe përmes kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Fituesit e kësaj marrëveshjeje janë shqiptarët dhe Shqipëria. Kjo është ajo që ne kemi përsëritur vazhdimisht. Politikanët duhet të mendojnë së pari për interesat e qytetarëve, për vendin dhe për të ardhmen e tij. Ky moment erdhi. Ne jemi të gjithë të kënaqur, kështu që ju lutem, mos e prishni”, tha Kukan.
Për sa i përket delegacionit që do të dërgohet ai po plotësohet me emërimin e përfaqësuesve të grupeve të ndryshme politike. Për Partinë Popullore Europiane, do të jetë vetë Kukan dhe Cristian Dan Preda. Ata pritet që të zhvillojnë këto ditë edhe një takim për misionin e vëzhgimit që do të zhvillojnë në Shqipëri dhe do të mbërrijnë në Tiranë 4 ditë para zgjedhjeve.