Pedagogët i bashkohen protestës: Varfëria në Shqipëri i afrohet skamjes

Në ditën e tetë të protestës Lulzim Basha pati një bashkëbisedim në Sheshin e “Lirisë” me qytetarët lidhur me emigracionin dhe pasojat e tij në vend. Në këtë takim, u diskutua dhe u analizua në thellësi gjendja aktuale, kriza e shumëllojshme që ka detyruar qytetarët të braktisin vendin
Për Zamira Sinën, pedagoge në qytetin e Vlorës, studentët e sotëm ndihen të nëpërkëmbur, pasi tre vite e gjysmë më parë votuan një kryeministër, i cili premtoi 300 mijë vende pune, por faktikisht ato u përkthyen në 500 mijë të papunë. Pedagogia Sina tha gjithashtu se, fjala e Kryeminsitrit Rama e një dite më parë në auditoret e Vlorës, ishte ofenduese dhe tallëse për vlonjatët. “Vlora nuk ta pati borxh dhe dje në auditor u tallët me pedagogët dhe studentët, pasi thatë se të gjitha dështimet e projekteve në Vlorë vijnë si pasojë e bllokimit të procesit të vettingut. Por kush ju beson më zoti Kryeministër?”
Sipas analistit politik Ergys Mërtiri, kjo qeveri nuk e ka realizuar misionin e saj më të qenësishëm. “Varfëria në Shqipëri i afrohet skamjes. Varfëri ka kudo, shtresa në nevojë ka kudo, por në Shqipëri ata janë në zgrip të mbijetesës dhe kjo e bën fenomenin tepër problematik. Një shtet, i cili nuk kujeset për gjënë më elementare të njeriut: jeta”. Për Mërtirin, ajo që dhemb më shumë sot është se Shqipëria nuk ka njerëz të varfër, por të gjithë ne jemi të varfër dhe pikë së pari, ajo vjen në aspektin ekonomik përmes monopoleve. “Kemi monopole që rrënojnë jetën tonë, mbitokën dhe nëntokën tonë. Po shterin resurset tona dhe ne po i  lëmë fëmijëve tanë një vend me pasuri të ezauruara dhe nga kjo ne po shkatërrojmë jo vetëm të tashmen, por edhe të ardhmen tonë. Monopolet shkatërrojnë konkurencën dhe shtrenjtojnë jetën tonë”. Këto monopole sipas Ergys Mërtirit janë të shtrira jo vetëm në ekonomi, por edhe në Shoqërinë Civile në media dhe në shoqëri. Sipas tij, shteti po uzurpon çdo hapësirë të jetës së qytetarëve, e sakaq vazhdon dhe rrisë shpenzimet e luksit. “Nuk  ka rëndësi kush fiton në zgjedhje, rëndësi ka që ka garë. Demokracia është një mjet që garanton rregullat e lojës dhe nëse ato prishen, atëherë pushteti bëhet i rrezikshëm dhe nuk kemi çfarë kërkojmë gjë tjetër. Unë nuk mendoj se ai që nuk ka bukë apo shkollim për fëmijët, ka nevojë për buzëkuq. Edhe Shqipëria nuk mendoj se është një vajzë provinciale që jeton për t’u dukur dhe që ka nevojë vetëm për buzëkuq dhe makiazh. Njerëzit të cilët janë në kufi të mbijetesës e kanë të vështirë të mendojnë veç hallit të përditshëm dhe kjo i bën të nënshtrueshëm. Një pushtet që rrit zullumin e vet, siç ka thënë edhe studiuesja Hannah Arendt, rrit mundësinë ta kontrollojë shoqërinë. Një shoqëri që nuk mendon dot veç mbijetesës ka paaftësinë të ngrihet dhe të vërë në vend dinjitetin e vet”.
Kastriot Sulka tha se, me kufizimin e ndihmës ekonomike që qeveria parashikoi, 75% e kësaj kategorie do të marrë më pak mbështetje. Mungesa e rritjes së pensioneve në anën tjetër, për Kastriot Sulkën, tregon se ato realisht janë ulur, duke marrë parasysh edhe shifrën prej 40% të rritjes së çmimeve për familjet shqiptare. Rinia e vuan më shumë këtë me një shifër papunësie e cila arrin 80%. Por edhe sipas shifrave të INSTAT, tha Sulka,  papunësia është rritur me 20% tek të rinjtë dhe është varfëria, mungesa e vizionit dhe shpresës.
Kjo, për Lorenc Sinanin, ilustrohet qartë me paralelizmin që sot, pedagogët nuk lejojnë studentët të hyjnë në provime, pasi nuk kanë paguar tarifën e arsimit, apo trajtimi që i bëhet qytetarëve në adminsitratën punblike, institucion, i cili paguhet nga taksat e shqiptarëve.
Zoti Basha iu drejtua të pranishmëve, duke i kujtuar se janë njerëzit e ndershëm dhe të vërtetë, ata të cilët po i japin formë kësaj qëndrese. “Kemi këtu shumë intelektualë të shquar, të cilët janë pjesë e kësaj proteste, po që po e kthejnë këtë protestë në një laborator politik, në një kantier politik. Në këtë kantier politik ju qytetarët, ju populli po identifikoni dhe po nxisni përfaqësuesit tuaj të ardhshëm politik në republikën e re të demokracisë, lirisë dhe të drejtësisë së vërtetë”. Gjatë aktivitetit, protestës iu bashkua edhe një përfaqësi e zgjeruar e minatorëve.

Artikulli paraprakHalimi: Rama i pashpresë, urdhër politik policisë kundër Bashës
Artikulli tjetërGoditet Spahiu, agresori: Mos shaj më Ramën