Pedagogët-Ramës: Dialog ose grevë e përgjithshmë

Kreu i qeverisë ka sulmuar me një fjalor vulgar dhe në të njëjtën kohë ka paralajmëruar se nuk do të japë para për pagat e pedagogëve dhe se ata duhet të nxjerrin vetë universitetet, të cilët ndonëse nuk janë universitete privatë, por janë publikë, sipas Ramës duhet të sillen si pronë private.
“I takon çdo universiteti të vendosë për rrogat. Dikush mund të marrë më shumë dhe dikush më pak, kjo varet në bazë të performancës”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me senatin e Universitetit të Tiranës tha se, vonesa e pagave tregon se Reforma në Arsimin e Lartë është një sifdë. Rama duke iu referuar akreditimit të universiteve tha se, Universiteti i Tiranës është bishti i fundit i kavallit.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se nuk do rrisë më pagat për pedagogët, pasi janë vetë universitetet që duhet të përcaktojnë për rritjen ose jo të pagave dhe kjo do të varet nga performanca.
Rama: Sot, jeni bishti i të gjithë universiteteve të Shqipërisë bazuar nga akreditimi i britanikëve. Jeni bishti i fundit të kavallit të universiteteve të Shqipërisë dhe nuk ka faj as reforma, as ligji dhe as aktet nënligjore. Nëse doni përgjegjësinë, hajde ta ndajmë, por ju tuajën ne tonën. Ne nuk ndërhyjmë çfarë kërkoni nga ne. Merrni fjalën shyqyr bukën e gojës ta zgjidhëm”.
Fjalimi i Ramës ka sjellë reagimin e pedagogëve, të cilët kanë paralajmëruar se, nëse Rama nuk do të pranojë dialogun me ta, atëhere ata do të nisin një gervë të përgjithshme.

Forumi për liritë akademike

Pas takimit që zhvilloi kryeministri Edi Rama me Senatin e Universitetit të Tiranës, vjen reagimi i ashpër i Forumit për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare. Përmes një deklarate për shtyp, Forumi i Pedagogëve bëri të ditur kryeministrit që të marrë rolin e kryetarit të senatit apo të organeve të zgjedhura të UT-së.
Po ashtu, nuk do të ketë negociata me qeverinë nëse flitet me gjuhë shantazhi. Mes të tjerash, Forumi paralajmëron se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, ata do të shkojnë të futen në grevë.
Deklarata e plotë:
Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare ndoqi takimin e kryeministrit Edi Rama dhe të ministres së Arsimit dhe Shkencës znj. Lindita Nikolla me senatin e Universitetit të Tiranës.
Forumi mendon se ky takim nuk është në përgjigje të kërkesave që ne kemi paraqitur publikisht, pasi forumi nuk i ka kërkuar Kryeministrit që të marrë rolin e kryetarit të senatit apo të organeve të zgjedhura të UT-së. Forumi nuk i ka kërkuar qeverisë që “t’i heqë veshin burokracisë universitare” dhe as shndërrimin e saj në palë për larjen e hesapeve mes klaneve të brendshme por, hapjen e një dialogu me profesoratin, studentët dhe shoqërinë shqiptare për marrjen e përgjegjësive që i takojnë qeverisë dhe jo vetëm qeverisë, pra, për bashkëndarjen e përgjegjësisë për degradimin e gjendjes së Arsimit të Lartë në vend dhe mosfunksionimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.

Forumi nuk ka pasur një kërkesë formale të ardhur nga kryeministri, por edhe sikur të kishte pasur, një takim i tillë pa axhendë të përcaktuar do të ishte krejt i padobishëm. Arsimi i Lartë në Shqipëri nuk mund të shndërrohet në show, ai është tashmë një dramë. Një dramë për ne profesoratin, për studentët dhe shoqërinë, një dramë që shpaloset sot para syve të kujtdo me përjashtim të kryeministrit dhe ministres. Një dramë, që nesër mund të shndërrohet në tragjedi për dijen dhe vendin. Forumi refuzon gjuhën shantazhuese dhe tallëse, por megjithatë të shqetësuar më shumë se prej talljeve apo kërcënimeve, nga gjendja dramatike dhe problemet e mprehta të pazgjidhura që vazhdojnë të shtohen pafundësisht, shpreh vullnetin për dialog, të cilin përveçse publikisht do ta adresojë edhe në mënyrë zyrtare.
Grupi i negocimit i zgjedhur nga pjesëmarrësit e Forumit, pret me seriozitet një përgjigje. Forumi mbetet i palëkundur në vullnetin e tij që në rast refuzimi, të bashkuar me studentët tanë të shkojmë drejt një greve të përgjithshme.

Koordinatori i Forumit
Prof. As. Dr. Mark Marku

Exit mobile version