Pedagogu në protestën te Teatri: Jam djali i një polici, por babanë tim kurrë s’e kam parë të veprojë kundër interesit publik

Aktivisti i shoqërisë civile, pedagogu Adriatik Lapaj teksa ka marrë fjalën tek protesta për mbrotjen e Teatrit Kombëtar, apelin e ka pasur për policët që kanë rrethuar artistët, një mesazh si djali i një polici.

“Unë jam djali i një ish-polici dhe ja kam dalë të shkollohem falë rrogës së dinjitetshme të babait tim. Por kurrë nuk e kam parë tim atë të veprojë me ndërgjegje kundër interesit publik.

Unë ja di hallin policit të thjeshtë, sepse ju çoni në shtëpi një rrogë të vogël. Unë e di se si është shpirti juaj, i shumicës tuaj, se si vlon ai brenda. Unë e di se ju qan zemra se ju kanë ikur fëmijët në emigrim, se ju nuk i keni lekët në fund të muajit për të paguar shkollimin e fëmijëve.

Unë e di se si është të jesh fëmija i një polici, por edhe ju duhet ta dini mirë se si është të jesh prindi i fëmijëve që ikin në emigrim se baballarët e tyre i shërbejnë klikës më të korruptuar. E unë këtu nuk jam vetëm për tulla dhe llaç, e unë këtu nuk jam vetëm për azil. E unë këtu nuk jam vetëm për tryezat e këtij teatri, unë jam këtu që nesër vajzën time ta shoh në sy e t’i them se u përpoqa”, tha Lapaj gjatë fjalës së tij në protestë.

Artikulli paraprakBasha do niset drejt Teatrit për t’u bashkuar me qytetarët
Artikulli tjetërE tha: Mos bëni sikur nuk e dëgjuat