Nga njëra anë është futbollisti më i mirë i momentit, ndërsa në krahun tjetër, ai që sëbashku me Diego Armando Maradonën konsiderohen si dy më të mirët e të gjithë kohërave në futboll. Me tregolëshin që realizoi ndaj Ishujve Faroe në elimintoret e Botërorit, Rusi 2018, Cristiano Ronaldo vendosi një rekord historik, duke u bërë lojtari që ka shënuar me shumë gola në të gjithë me skuadrat kombëtare, me yllin luzitan që u ngjit në kuotën e 78 finalizimeve me Portugalinë, duke parakaluar të madhin Pele, i cili është ndalur në kuotën e 77 rrjetave me Brazilin edhe pse nuk duhet anashkaluar fakti që ish-ylli i Selecaos ka zhvilluar 53 ndeshje më pak me Brazilin krahasuar me takimet që ka luajtur CR7-ta me Portugalinë.
3 golëshi i Ronaldos ndaj Ishujve Faroe bëri xhiron e botës pikërisht për faktin se ai la pas një legjendë si Pele. Edhe vetë 76-vjeçari nuk ka nguruar ta urojë dhe ta përgëzojë sulmuesin e Realit të Madridit për arritjen e tij, por në të njëjtën kohë Pele e thumboi portugezin, duke i vënë në dukje Ronaldos diçka shumë të rëndësishme, një rekord tjetër të tijin, që CR7-ta nuk do të ketë mundësi ta thyejë kurrë.
“I pashë golat e Cristianos, ishte diçka me të vërtetë speciale. Bëhet fjalë për kohë të ndryshme, megjithatë bukuria e futbollit janë pikërisht golat. Dua ta përgëzoj Ronaldon për këtë arritje të tijën. Ai është një futbollist i shkëlqyer. Por, tashmë i duhet të shënojë më shumë se 1283 gola”, tha Pele.
Një mesazh i qartë ky i Peles për Ronaldon. 1283 është pikërisht numri i golave të realizuar në karrierë nga braziliani, një shifër që portugezi e ka të pamundur të arrijë.