Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, shprehu solidaritetin me protestuesit iranian, duke thënë se regjimi i atij vendi është i rrezikshëm për popullin e vet dhe në arenën ndërkombëtare. Zoti Pence foli në një intervistë për bashkëpunëtoren e “Zërit të Amerikës”, Greta van Susteren.
Nënpresidenti Pence tha se, nuk duhet harruar se Irani është një nga vendet kryesore që sponsorizon terrorizmin në botë dhe se regjimi jo vetëm që shtyp dhe i mohon të drejtat popullit të vet, por eksporton gjithashtu terroristë në gjithë rajonin dhe vazhdon të jetë një forcë destabilizuese e rrezikshme.
“Kur populli i Iranit ngrihet në këmbë dhe kërkon ndryshim, çdo amerikan që do lirinë dhe të gjithë ata që duan lirinë në gjithë botën duhet të ndjehen të frymëzuar”, tha nënpresidenti.
Zoti Pence vlerësoi përgjigjen e administratës së tanishme ndaj protestave, duke thënë se ish-presidenti Barack Obama nuk kishte shprehur të njëjtën mbështetje në kohën e revolucionit të gjelbër në Iran.
“Mbështetja e qartë që Presidenti Trump ka shprehur për protestuesit që po ngrihen në qytete në gjithë Iranin është dramatike dhe mendoj se është në përputhje me rolin e Amerikës në botë si kampione e lirisë”.
Nuk është hera e parë që ish-Presidenti Obama kritikohet se heshti përballë protestave të 2009-ës, pasi presidenti i atëhershëm Mahmoud Ahmadinejad deklaroi se kishte fituar në zgjedhjet, ku kishte rikandiduar. Kundërshtari i tij kryesor Mir Hossein Moussavi tha se në zgjedhje kishte pasur shkelje të shumta. Fitorja e Ahmadinejadit u shpall më 13 qershor. Më 15 qershor protestat e drejtuara nga Moussavi ishin bërë më masivet që nga Revolucioni i vitit 1979.
Presidenti Obama foli atë ditë, duke thënë se i takonte popullit të Iranit të vendoste, por gjithashtu e dënoi dhunën. Ai foli edhe disa ditë më pas.
Nënpresidenti Pence tha në intervistën për “Zërin e Amerikës” se, ish-presidenti Obama foli vetëm, pasi Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati miratuan rezoluta ku mbështeteshin protestuesit.
Zoti Pence foli për “kontrast mes heshtjes dhe dështimit për të mbështetur lirinë në administratën e kaluar dhe qëndrimit të pakompromis të Presidentit Trump për të qenë në krah të popullit kurajoz të Iranit”.
“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim jo vetëm me fjalë, por ndërsa sjellin ndryshim në vend. Mund t’ju garantoj se Shtetet e Bashkuara dhe bota më gjerë qëndrojnë me popullin e Iranit që do një të ardhme më të mirë, më të begatë dhe më të lirë”.
I pyetur se pse nuk kishte përmendur pasoja të mundshme për regjimin Iranian në kohën e protestave të vitit 2009, ish-presidenti Obama kishte thënë se nuk dihej ende se si do të shkonin ngjarjet.
I pyetur se çfarë janë të gatshme Shtetet e Bashkuara të bëjnë për të mbështetur protestuesit, nënpresidenti Pence, tha se si Shtetet e Bashkuara, edhe vendet e tjera mund të bëjnë shumë nëse populli i Iranit vazhdon të ngrihet kundër ideologjisë radikale që ka marrë prej dekadash kontrollin e vendit.
Ai kritikoi gjithashtu marrëveshjen bërthamore me Iranin, të cilën administrata aktuale nuk e riçertifikoi. Zoti Pence tha se, marrëveshja nuk solli një qëndrim më të moderuar nga Irani.
“Shpresa ime është që njerëzit që po dalin në rrugët e Iranit ta dinë që nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, ata nuk janë të vetëm, se populli amerikan është me ta dhe nëse vazhdojnë të tregojnë kurajon e bindjeve të tyre dhe përqafojnë një të ardhme të lirë dhe demokratike, Amerika dhe bota do të jetë me ta”.