I penduari rrëfen klanin e drogës së Vilunit, hoteli 500 euro në natë

Një nga 7 të arrestuarit për 1.5 tonët e kanabisit sekuestruar dy ditë më parë në Vilun ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë. Emri i tij bëhet publik nga grupi hetimor, por sqarohet se mbi dëshminë e tij është zbardhur roli i të prangosurve dhe personave të shpallur në kërkim. Sipas këtij deponimi, droga sigurohej në Vlorë, Tepelenë dhe Përmet.
Të arrestuarit e operacionit “Viluni Beach”, Enriko Zyle, Arbër Bozhanaj, Sokol Ujka, Genti Dano, Dervish Gjolekaj, Fation Merko dhe Jaho Berdo do të dalin përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda ditën e martë. Prokuroria do të jetë e prerë në qëndrimin e saj përpara trupës gjykuese, duke kërkuar të njëjtën masë sigurie për të gjithë, atë të arrestit me burg, për shkak edhe të provave që disponon mbi rastin në fjalë, 1.5 ton drogë e kapur, automjeti tip “Furgon”, vila ku fshihej një pjesë e lëndës narkotike, telefonat celularë të sekuestruar të këtyre shtetasve etj.
Megjithëse gjatë marrjes në pyetje, ato kanë mohuar lidhjet me njëri-tjetrin dhe përfshirjen në trafikun ndërkombëtar të drogës, janë përgjimet ato që i fundosin, por edhe dëshmia e njërit prej tyre, i cili ka pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë, duke dhënë detaje në lidhje me trafikun.
Ndërsa një tjetër i pandehur 20-vjeçari Jaho Berdo, ka theksuar se do të flasë në një moment të dytë për të gjithë ngjarjen. I riu që rezulton të jetë pronari i furgonit, ku u kap sasia më e madhe e drogës, sipas burimeve policore dispononte edhe një patentë skafi dhe me gjasa, ai do të ishte drejtuesi i gomones që do të dërgonte lëndën narkotike në Itali.
Punonjësi i policisë, Enriko Zyle, i dalë garant ndaj trafikantëve, nuk ju ndalua policisë ditën e ngjarjes, e madje ka tentuar të korruptojë kolegët e tij. Por një prej dëshmive të të arrestuarve e rëndon edhe më shumë pozitën e tij, pasi ai i ka thënë policisë se, Zyle ka paguar hotelin në Velipojë plot 500 euro për një natë ku do të përpunohej droga. Hoteli në pronësi të Petrit Vuksanit që jeton në Itali, administrohej nga fqinji i tij, Sokol Ujkaj edhe ky i arrestuar nga policia brenda shtëpisë, ndërsa aty kishte edhe makinën e tij tip “Merdes Benz” me targë AA 388 ME.
Sokol Ujka dhe Enriko Zylo janë të vetmit që janë arrestuar në afërsi të vendit të ngjarjes. Emri i bashkëpunëtorit që ka folur deri më tani për policinë mbahet i fshehtë, por ai pritet të jetë një shtysë më shumë në hetimin e ngjarjes.

Policia e Shkodrës u shmang nga operacioni

Operacioni, Drejtoria e Policisë së Shkodrës nuk u njoftua për operacionin e drogës në Vilun të Velipojës nga frika e dekonspirimit. 1.5 ton drogë u sekuestrua në zonën e Vilunit. Operacioni u zhvillua nga FNSH pas kërkesës së Prokurorisë. Prokuroria shmangu nga operacioni Policinë e Shkodrës nga frika e dekonspirimit të operacionit. Në trafik ishin të përfshirë edhe drejtues të lartë të Policisë së Qarkut të Shkodrës. Operacioni është mbajtur sekret për një pjesë të drejtuesve të Policisë së Shkodrës, nga frika e dekonspirimit.
Gjatë operacionit, Policia arrestoi punonjësin e policisë Enriko Zylo dhe Sokol Ujkajn, banues në Velipojë, i cili kishte në administrim vilën, që ishte në pronësi të një emigranti, i cili jeton në Itali. Banesa shfrytëzohej nga grupi si magazinë e përkohshme për drogën që trafikonin në Itali. Ndërsa efektivi i Policisë, Enriko Zylo, sipas burimeve, është parë afër shtëpisë ku u gjet droga me makinën e tij tip “Golf”, me targë AA 355 SL, ndërsa brenda mjetit ishte dhe Gjovalin Ndoji nga Velipoja.
Zylo nuk i është bindur postbllokut të Policisë dhe ka tentuar të largohet. Efektivët i janë vënë në ndjekje, derisa e kanë arrestuar te vendi i quajtur “Harku i Bërdicës”, pasi makina e Zylos doli jashtë rrugës nga shpejtësia. Edhe pse ka kundërshtuar, policia e ka arrestuar, ndërsa Gjovalin Ndoji mundi t’i shpëtojë prangosjes.
Në vijim të operacionit u arrestuan dhe Arbër Bozhanaj, Genti Dano dhe Dervish Gjolekaj, të tre nga Vlora, që dyshohet se janë poseduesit e kanabisit, si dhe Fation Merko, banues në Përmet. Gjatë marrjes në pyetje, të gjithë, përveç “bashkëpunëtorit”, kanë mohuar të kenë lidhje me njëri-tjetrin. Por, nga tabulatet e telefonave të tyre rezulton se të arrestuarit kanë pasur komunikime me njëri-tjetrin.
Nga hetimet rezulton se nuk ka qenë Bendo, ai që ka drejtuar furgonin, por Fation Merko. 32-vjeçari ka bërë rolin e shoferit, duke drejtuar furgonin me drogë nga Vlora në Velipojë. Ndërsa Enriko Zylo, punonjës Policie në Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Emigracionit në Tiranë, ishte në rolin e garantit dhe i ka shoqëruar gjatë udhëtimit.
Furgoni i ngarkuar me drogë është ndaluar në një moment nga efektivët e Policisë ende pa mbërritur në bregdetin e Velipojës, por më pas Merko është lënë i lirë të kalojë, por është mbajtur në vëzhgim nga policia në mënyrë që të zbuloheshin dhe pjesëtarët e tjerë.

Oficeri i arrestuar, i dënuar në Itali, Tahiri e futi në polici

Polici i arrestuar për 1.5 tonët e drogës së kapur në Vilun të Velipojës ka qenë i dënuar në Itali, ndërsa u u fut në radhët e policisë nga Tahiri me urdhër të Habilajt. Denoncimi është nga kryetari i PD, Basha, i cili deklaroi se, Prel Enriko Zyla ka qenë i dënuar për trafik dhe shpërndarje droge në Romë dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Rebibbias.
Basha shkruan në një postim në Facebook se, Prel Enriko Zyla ka qenë i dënuar për trafik dhe shpërndarje droge në Romë dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Rebibbias. “Polici mbrohej nga Habilajt në kohën e Tahirit dhe pas ardhjes së Fatmir Xhafës kaloi nën mbrojtjen dhe shërbimin e vëllait të Xhafës, Agronit”, shkruan Basha.
Burime të sigurta informojnë se: “Prel Enriko Zyla ka qenë i dënuar për trafik dhe shpërndarje droge në Romë, Itali, dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Rebibbias.
Partnerët e kanë ngritur disa herë këtë çështje, por personi ashtu si shumë të inkriminuar të tjerë në Polici mbrohej nga Habilajt në kohën e Tahirit dhe pas ardhjes së Fatmir Xhafës kaloi nën mbrojtjen dhe shërbimin e vëllait të Xhafës, Agronit”, shkruan Basha.

Garanti i drogës në Vilun, vëllai i zv/shefit të Kufirit

Oficeri i Policisë, Enriko Zyle, vëllai i cili është vëllai i zv/shefit të Komisariatit të Kufirit të Shkodrës, kishte dalë garant për transportin e drogës. Arrestimi i policit është kryer gjatë aksionit ku u sekuestruan 1.5 ton kanabis në Vilun të Velipojës, pranë plazhit. Droga ishte në një furgon dhe do ngarkohej në një gomone për t’u trafikuar drejt Italisë.
Enriko Zyle, jo vetëm ishte i përfshirë në trafikun e drogës, por në momentin e arrestimit, ka tentuar të korruptojë me para kolegët e tij, që do t’i vinin prangat. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se, Zyle, punonjës në Drejtorinë e Kufirit dhe të Migracionit Tiranë i ka premtuar një shumë të hollash komandantit të FNSH-së, Shkodër që të tërhiqte forcat e policisë, pasi në të kundërt këtë histori do t’ia kthente në personale.
Fillimisht punonjësi policisë, kishte tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Golf”, në afërsi të hotelit ku u gjet lënda narkotike, por u kap pasi humbi kontrollin dhe ra në kanal. Por, burime nga organi i akuzës pohojnë se, paligjshmëria e 42-vjeçarit Zyle ka shkuar deri në nxjerrjen e armës. Zyle u shoqërua forcërisht, duke mospranuar të prangoset dhe duke mos e dorëzuar armën e shërbimit. Enriko Zyle është vëllai i zv/komandantit të Kufirit në Shkodër Ndrek Zyle. Sipas hetimeve të deritabnishme, lënda narkotike ishte mbledhur, magazinuar në zonën e Vilunit, duke u bërë gati për t’u transportuar në rrugë detare drejt brigjeve italiane.
Bëhet e ditur se droga do të transportohej me skaf drejt Italisë Jaho Berdo. 20-vjeçari Berdo u kap vetëm pak orë pas operacionit të sekuestrimit të kanabisit, në qytetin e tij të Orikumit. Gjatë marrjes në pyetje, i riu ka thënë se do të flasë në një moment të dytë dhe as nuk ka pohuar dhe as mohuar në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.
Berdo, përveçse kishte në përdorim furgonin ku u gjet droga, mësohet se disponon edhe një patentë skafi. Policia dyshon se është pikërisht 20-vjeçari, ai që do të bënte transportimin me skaf të drogës prej 1.5 tonësh nga Viluni i Velipojës drejt Italisë.

R.POLISI

Artikulli paraprakSi do pastrohen paratë e mafias
Artikulli tjetërFaqja e pare