Pengmarrja e anijes shqiptare, egjiptiani kërkon 70 mijë euro

Një peshkarexhë shqiptare e nisur pesë ditë më parë nga Porti i Durrësit po mbahet peng në afërsi të Aleksandrisë së Egjiptit. Shtetasi egjiptian që punonte në Portin e Durrësit kërkon 70 mijë euro që të mos fundosë peshkarexhën “Çelepia 2” me dy marinarë shqiptarë në bord. Sipas Policisë së Durrësit janë marrë peng kapiteni Dhimitër Malja, 54 vjeç dhe marinari Luan Mema, 56 vjeç.
Ata janë rrëmbyer nga Adel Mohamed Sallam, një punonjësi egjiptian, i cili është nisur bashkë me ta nga Porti i Durrësit. Sipas Policisë Kufitare, 30-vjeçari ka marrë në telefon një bashkëkombësin e tij 53-vjeçar, të cilit i ka rrëfyer se ka marrë peng peshkarexhën dhe kërkon 70 mijë euro në këmbim, pasi në të kundërt do ta fundosë së bashku me dy marinarët.
Egjiptiani thotë se pronari i peshkarexhës “Çelepia 2” nuk i dhënë rrogën. Pronari i anijes, Murat Çelepia denoncoi pranë Policisë Kufitare në Durrës zhdukjen e anijes që më datën 21 qershor, ndërsa flota e peshkimit thotë se ka dalë nga porti sipas rregullave. Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa po kontaktohet dhe me autoritetet egjiptiane të policisë.
Një prej dy marinarëve shqiptarë të anijes së peshkimit “Çelepia 2” të marrë peng nga një marinar egjiptian 5 ditë më parë mbahet i lidhur në duar dhe në këmbë. Më herët gjatë ditës Policia Kufitare e Durrësit njoftoi se egjiptiani kishte telefonuar Kapitenerinë e  Durrësit, të cilës i kishte thënë se do ta fundosë anijen nëse nuk i jepen 70 mijë euro. Anija është lokalizuar në ujërat pranë Aleksandrisë.
Marinari egjiptian Mohamed Sallam, 30 vjeç, e ka kryer këtë akt pasi pretendon se nuk është paguar për punën nga pronari shqiptar i anijes, Murat Çelepia. Më poshtë njoftimi i policisë për ngjarjen.
Në datë 18 qershor 2016, kapiteni i motopeshkatores Dhimitër Malja, 54 vjeç, ka paraqitur kërkesën për nisje të mjetit lundrues për peshkim së bashku me 2 marinarë, shtetasin Luan Mema, 56 vjeç nga Durrësi dhe shtetasin egjiptian, Adel Mohamed Sallam, 30 vjeç. Motopeshkatorja “Çelepia 2” është në pronësi të shtetasit Murat Çelepia.
Punonjësit e policisë sipas procedurave standarde ushtruan kontroll në bord dhe pasi u konstatua gjithçka në rregull në orën 14:30, të datës 18 qershor, iu dha leja për nisjen për gjueti në ujërat e brendshme territoriale. Në orën 24:00, të datës 21 qershor 2016, pronari i anijes “Çelepia 2”, Murat Çelepia u paraqit pranë Policisë Kufitare në Durrës, ku ka deklaruar se ka humbur kontaktet me motopeshkatoren.
Policia Kufitare ka nxjerrë menjëherë në patrullim mjetin lundrues. Megjithë kontrollin me radar dhe thirrjeve të vazhdueshme në kanalin e komunikimit, nuk është bërë e mundur gjetja fizike e motopeshkatores. Të gjitha veprimet e Policisë Kufitare janë koordinuar me Rojen Bregdetare. Trupa Detare e Forcave të Armatosura nisën në mënyrë të menjëhershme operacionin e kërkim-shpëtimit.
Në datë 22 qershor 2016, rreth orës 10:00 shtetasi egjiptian Adel Mohamed Sallam ka marrë në telefon bashkëkombasin e vet, shtetasin egjiptian R.A., 53 vjeç, i cili punon në Portin detar Durrës, duke i thënë se motopeshkatorja ndodhet në afërsi të Aleksandrisë në Egjipt. Ai kërkon 70 mijë euro, duke kërcënuar se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Reagojnë familjarët e peshkatarëve që po mbahen peng në Egjipt

Flori Çelepia, djali i pronarit të anijes së peshkimit “Çelepia 2”, Murat Çelepia, të marrë peng nga marinari egjiptian, Adel Muhamet Sallam, shprehet se nuk i kanë asnjë borxh këtij të fundit.Ai shprehet se anija ka dalë në det më datën 18 dhe më datë 21 ka humbur kontaktet me stafin e anijes.
Flori Çelepia pohoi për mediat se ka komunikuar me Adel Muhamed Sallam, përmes Whatsapp-it dhe ky i fundit i kërkon 70 mijë euro pasi në të kundërt nuk e kthen anijen. Çelepia i bën apel policisë dhe strukturave përgjegjëse të ndërhyjë për të kthyer dy marinarët dhe anijen në atdhe.
“Nisim anijen nga ora 2 e drekës në datën 18 qershor, me rregull dhe me çdo gjë. Del anija në det për lundrim. Kontaktojmë mbas kalatës së parë ku jeni, ku s’jeni dhe na kontakto kur të nxjerrësh rrjetën çfarë keni kapur, çfarë s’keni kapur. Ndërkohë që ata nuk kontaktuan, u bë dita e dytë në radio nuk përgjigjeshin dhe kështu me radhë. Sot morëm një njoftim që barka është në Egjipt. Marinari e ka çuar atje, i ka marrë me vete dhe ata dy të tjerët, kapitenin dhe peshkatarin tjetër i ka rrëmbyer. Kemi pasur kontakte me ata dhe kërkon 70 mijë € për lirimin e barkës dhe të personave. Ai me ne ka qenë shumë i kënaqur, madje i kemi dhënë edhe shtesë. Ai ka marrë pagë dhe mbi pagë. Ne kërkojmë nga shteti të na sjellë marinarët gjallë se, janë dy prindër që kanë lënë familjen. Edhe në lidhje me lekët do i përgjigjemi, por s’dimë se si t’i përgjigjemi dhe duhet të na ndihmojë shteti”, shprehet Çelepia.
Ndërkohë, Damian Malja, djali i kapitenit të peshkarexhës “Çelepia 2”, Dhimitër Malja, rrëfen se familja e tij është shqetësuar për fatin e kryefamiljarit. Ai i bën apel shtetit të ndërhyjë urgjentisht. “Babi u nis ditën e shtunë në drekë, më datë 18 dhe që pas asaj dite nuk pata më asnjë lloj kontakti me babin. Sot pastaj mora vesh që anija ndodhet në Egjipt. U trembëm, nuk dimë se ku të drejtohemi. I drejtohemi shtetit dhe i bëj thirrje që të na ndihmojë. Babi ishte shumë i kënaqur. Nuk ka dhënë asnjë shenjë pakënaqësie më përpara që të tregonte babi që fliste dhe të tregonte që jam i pakënaqur këtu. Kam tentuar të lidhem me babin vazhdimisht gjatë ditës, por është e pamundur”, u shpreh Malja. Damian Mema pohon se babai i tij s’ka pasur asnjëherë problem në çështjen e pagesës me pronarët e peshkarexhës “Çelepia 2”.

Artikulli paraprakKopshti i dhunës ndaj të miturit, si Shqipëria ku sundon Edi Rama
Artikulli tjetërSkandali me dizenjimin e bluzave të kombëtares, Rama beson vetëm genjeshtrën e vet