Megi, një 30-vjeçare nga Durrësi, po kërkon ndihmën e ligjit për të marrë detyrimin ushqimor nga ish-bashkëshorti për dy fëmijët e tyre.
Edhe dy vjet pas divorcit, ai nuk e shlyen këtë detyrim, ndaj ajo i është drejtuar fillimisht përmbarimit dhe më pas gjykatës. Këtë herë, me një padi për mosdhënie të mjeteve për jetesë.
“Unë kam dy fëmijë dhe 250 mijë lekë ma ka caktuar gjykata dhe deri sot nuk kam marrë asnjë lek. Është e vështirë se djali është 5 dhe goca 11 dhe e dimë shumë mirë se sa kërkesa dhe detyrime kanë fëmijët. Baballarët sidomos nuk e japin kontributin e fëmijëve, sepse mendojnë se po ia japin nënës për ta harxhuar ajo për qejfin e saj. Jo, ato lekë janë për fëmijët, për t’u dhënë atyre bukën”, thotë një nënë e divorcuar.
“Mospagimi në kohë kohë dhe në shumën e caktuar të detyrimit përbën vepër penale dhe si i tillë dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit. Ajo që kemi vënë re nga praktika gjyqësore është fakti se nuk jepet dënimi maksimal i parashikuar në Kodin Penal me pretendimin se nëse ish-bashkëshorti do të futet në burg atëherë kush do të paguajë për fëmijën e mitur”, u shpreh ekspertja ligjore, Eriselda Shpata.
Durrësi është rajoni me numrin më të lartë të divorceve në shkallë vendi për numër popullsie, por janë të pakta rastet kur prindi që ka detyrimin për të paguar pensionin ushqimor, kryesisht babai, ta bëjë këtë vullnetarisht. Të lodhura nga një sërë faktorësh dhe përballjesh, vetëm pak nëna të divorcuara i drejtohen Zyrës së Përmbarimit, apo Gjykatës për të marrë zgjidhje.
“Vitin e kaluar kanë ardhur në Përmbarim 60-62 dosje, pa ato të mbartura, dhe 75 % e tyre janë ekzekutuar, pjesa e mbetur, rreth 15 raste janë kallëzime penale”, tha përmbaruesi i Durrësit, Marsel Himallari.
“Procedura që ndjek zyra është një kalvar i gjatë evidentimi pasurish në emër të debitorit dhe sipas statistikave rezulton negative. Kemi vënë re që debitori, prindi që ka detyrimin ushqimor nuk ka pasuri në emrin e tij, ose është i punësuar në mënyrë informale dhe s’ka të deklaruar një të ardhur, nuk ka llogari bankare, apo dhe pasuritë e paluajtshme mundohen t’i tjetërsojnë”, tha avokatja.
“Nuk vijnë të paraqiten fare. Ka raste që kur u shkon lajmërimi dhe tjetërsojnë dhe pasurinë, po flasim më shumë për ato të luajtshme, paratë në banka. Kanë inate me njëri-tjetrin, po dëmi është ndaj fëmijës”, u shpreh Himallari.
Edhe kur u sigurohet ndihma ligjore falas, për nënat e divorcuara procedurat dhe ecejaket për ekzekutimin e vendimit gjyqësor dhe përfitimin e pensionit ushqimor për fëmijët mbartin kosto të larta sociale dhe ekonomike.
“Pensioni ushqimor hapet pranë Zyrës pa pagesë, por kur e orientojmë që duhet të bëjë pagesën te ASHK për dhënien e informacionit ose vënie në sekuestro ka nga palët që nuk kanë. Sipas K.Pr.C. pagesa kryhet fillimisht nga kreditori dhe i ngarkohet debitorit”, shtoi Përmbaruesi i Durrësit.
“Nga ana e Kadastrës kërkohet pagesë për marrjen e shërbimit dhe Zyra e Përmbarimit Shtetëror nuk ka një buxhet të dedikuar për këtë duke ua kërkuar këtë pagesë vetë grave. Në të tilla kushte ne vlerësojmë se është e nevojshme që mes ASHK dhe Përmbarimit të ketë një marrëveshje për përjashtimin e kreditores, gruas nga kjo tarifë”, tha avokatja./ Top Channel