Pensionistë të kursyer, politikanë të shfrenuar

Si do të ndikojë në ekonominë botërore brezi kursimtar “baby boomer”? Ata po kursejnë si kurrë më parë. Por edhe kjo mund të mos i ulë normat e interesit

Perëndimorët e brezit “baby boomer” (siç quhen ata njerëz të lindur në vitet 1946-1964), janë brezi më i pasur që ka jetuar ndonjëherë, por nuk shpenzojnë si të tillë. Sipas raportimeve të ndryshme, të moshuarit po ruajnë para mënjanë, shkruan The Economist.

Shkaqet për këtë janë të shumta: zgjatja e periudhës së jetës të kaluar si pensionist, nevoja për të ruajtur para për banimin në një azil, pasiguria e pashmangshme se për sa kohë do të jetojnë, si dhe dëshira për t’ua kaluar pasurinë fëmijëve.

Ndërsa në mesin e viteve 1990, amerikanët e moshës 65-74 vjeç po shpenzonin 10% më shumë se të ardhurat e tyre, që nga viti 2015, e njëjta grupmoshë është treguar kursimtare e madhe.

Vërejmë një gjendje të ngjashme në të gjitha shtetet e pasura të botës, nga Kanadaja në Japoni. Ky brez, që shpesh dallohet për lundrimet me kroçiere luksoze dhe pushimet në Château Margaux, duket se në fakt, është shumë dorështrënguar.

Kjo ka rëndësi sepse pensionistët janë aq të shumtë dhe të pasur, sa që sjellja e tyre mund të nxisë tregjet e kapitalit. Brezi “boomer” i Amerikës ka një vlerë neto prej 76 trilionë dollarësh, ose e barasvlefshme me mbi 1 milion dollarë për njeri.

Për dekada, kursimet e tyre për pension kanë ndihmuar në uljen e normave të interesit, të cilat në një periudhë afatgjatë, pritet të baraspeshojnë kursimet dhe investimet globalisht.

Por ekonomistët kishin hamendësuar se, me ardhjen e fundit të karrierës, brezi “boomer” do të hapte kuletat, duke përmbysur këtë prirje. Disa ekonomistë madje shqetësoheshin se pensionistët që do të likuidonin me shpejtësi asetet, mund të shkaktonin trazira në tregun e aseteve.

Nuk duket se ka pasur një përmbysje të tillë. Në një pamje të parë, kjo mbështet tezën se së shpejti, do të bien ndjeshëm normat e interesit, të cilat kanë qenë vazhdimisht të larta këtë vit ndërsa bankat qendrore kanë luftuar për të mposhtur inflacionin.

Në nivel global, pritet vazhdimi i plakjes së popullsisë dhe rritjes së kursimeve.

Një grup akademikësh vlerëson se trysnia për rënien e interesave, për shkak të ndryshimit demografik, po bëhet më e fortë, jo më e dobët me kalimin e viteve, për shkak të plakjes së popullsive në ekonomitë e mëdha si Kina, Japonia, Gjermania dhe, me kalimin e kohës, edhe India.

Problemi është se kursimi privat është vetëm një nga nxitësit e normave të interesit. Askush nuk do të ishte më i lehtësuar se qeveritë, nëse do të binin normat e interesit.

Por yield-et e bonove afatgjata janë të larta pjesërisht sepse financat e qeverive janë në një gjendje aq të keqe, saqë borxhet e tyre mund të shkatërrojnë “cunamin” e kursimeve.

Borxhet publike të Amerikës parashikohet të rriten përsëri sa gjysma e rritjes së ekonomisë, gjatë dekadës së ardhshme, duke arritur në 48 trilionë dollarë (sa 116% e PBB-së).

Buxhetet e një së tretës së vendeve të pasura, po shkojnë në një drejtim që është i paqëndrueshëm në planin afatgjatë.

Pjesërisht, huamarrja e tepërt reflekton rritjen e shpenzimeve qeveritare për të moshuarit, qoftë nëpërmjet shërbimeve të përgjithshme si kujdesi shëndetësor falas dhe pensionet, ose ndihmat e posaçme për pensionistët e varfër.

(Edhe pse brezi “boomer” mesatarisht është i pasur, të moshuarit në gjendje të vështirë ekonomike janë ende të shumtë në numër, në terma absolutë).

Huamarrja e tepërt ka ardhur gjithashtu nga nevoja e madhe për investime të gjelbra, për të eliminuar emetimet e karbonit, si dhe nga rritja e shpenzimeve për zhvendosjen e zinxhirëve të ndjeshëm të furnizimit dhe forcimin e mbrojtjes së vendeve.

FMN-ja parashikon se shtetet e pasura, do të kenë nevoja shtesë vjetore për shpenzime, prej 6-7% të PBB-së, deri në vitin 2030. Investimet më të larta të sektorit privat në ndjekjen e këtyre qëllimeve do të ndikojnë gjithashtu në baraspeshën midis kursimeve dhe investimeve, si dhe rritjen e shpenzimeve kapitale për Inteligjencën Artificiale.

Po bëhet gjithnjë e më e pamundur që kursimet, madje edhe ato të popullsisë së moshuar, të mund t’i financojnë të gjitha këto me një çmim të ulët, sidomos në një kohë kur qeveritë po kthehen në proteksioniste dhe po harxhojnë para me bollëk për politika joefikase industriale.

Dëshira globale për të investuar mund të tejkalojë kërkesën për të kursyer, madje edhe atë të brezit koprrac “baby boomer”./Monitor.al

Artikulli paraprakTre “stacione” ku shumica popullore opozitare firon në pakicë politike
Artikulli tjetërKrahasimi me Europën, paga minimale në Shqipëri 6 herë më e ulët se në Gjermani