Pep Guardiola pranon dështimet. U transferua tek Man.City me entuziazëm shumë të madh, i ofruan një kontratë faraonike, merkato voluminoze, por pavarësisht të gjithë këtyre elementëve, tekniku ka dështuar tek të gjithë objektivat sezonalë. Jashtë garës së Champions League, FA Cup dhe titullit kampionë në Premier League. Panoramim i një sezoni pa shumë shkëlqim, shumë larg asaj që ndoshta kishin menduar sheikët e klubit anglez, lojtarët, por edhe nga vetë Guardiola. Në një intervistë katalanasi ka pranuar se ky vit futbollistik ishte i dështuar për të dhe nëse do të kishte qenë tek ndonjë skuadër tjetër me shumë mundësi do të ishte shkarkuar nga detyra.
“Pritshmëritë ishin të mëdha për shkak të atyre që kisha arritur në të kaluarën. Në situatën që ndodhem nëse do të kisha qenë pjesë e një klubi të madh si Bayerni i Mynihut ose Barcelona brenda 6 muajve do të isha shkarkuar. Janë skuadra që nuk ta japin një mundësi të dytë, te City m’u dha një tjetër shans dhe unë do të përpiqem të mos i zhgënjej. Nëse edhe për sezonin e ardhshëm gjërat nuk do të ndryshojnë atëherë drejtuesit do të kërkojnë një trajner të ri”, u shpreh Guardiola. Një lloj “mea culpa” nga ana e Pep Guardiolës, i cili premton dhe shpreson se sezoni i ardhshëm do të jetë ndryshe, në të kundërtën ndoshta tekniku për të parën herë në karrierën e tij do të provojë shijen e shkarkimit nga detyra.