Prof. As. Dr. Enver Bytyçi
Në debate televizive ose në komente, analiza dhe opinione takojmë thuajse çdo ditë nga ata “mendjendritur”, të cilët përpiqen të ngjizin në opinionin publik idenë se “Në diskursin, ballafaqimin dhe debatin me të tjerët Edi Rama është i papërsëritshëm”! Dhe në këtë ndërmarrje propagandistike kjo kategori e servilëve të pushtetit deri diku ia ka arritur të bëhet e suksesshme. Jo pak kritikë të Ramës e pranojnë se në këtë lloj sfide kryeministri është i pakonkurueshëm!
Po cila është e vërteta? Në karrierën e tij politike si kryetar i Bashkisë së Tiranës e si kryeministër, veçmas në dy vitet e funfit, Edi Rama ka përdorur në diskutime e debate të njëjtën teknikë komunikimi. Edhe kur është shfaqur në auditore e salla pompoze për dialog, edhe në ekranet televizive ai më së shumti ka bërë monolog. Kur është nisur të trajtojë probleme serioze e kapitale për vendin, ka përdorur si mjet komunikimi batutat, maksimumi metaforat, pa i shkuar në thelb çeshtjes dhe pa mundur të dëshmojë zgjidhjet ose të japë mesazhet e duhura!
Ndërkohë jemi dëshmitarë të faktit se në përdorimin e këtyre teknikave komunikuese ai ka ngjizur negativitet e pesimizëm te dëgjuesit. Kulti i të paprekshmit në debat arriti kulmin e vet në sallën e parlamentit, ku ai vuri në shënjestër të batutave fyese, përçudnuese dhe poshtëruese kolegët e vet opozitarë. Derisa mori si përgjigje nxirjen me bojë të fytyrës së tij prej kryeministri.
Ishin studentët ata që thyen mitin Rama të komunikimit. Përballë batutave të studentëve kryeministri shqiptar i shpërfaq dhe u asgjësua si “mit” në komunikimin publik . Kryeministri ynë tashmë në diskursin e tij komunikues nuk ka më asnjë objekt dhe objektiv konkret, për të shfaq refleksione ose për të dhënë mesazhe, përkundrazi manifeston thjesht fyerje, sharje, shpifje, denigrime, poshtërime të njerëzve që ai ka përballë tij. Shtrohet çeshtja: A do ta bënte ai këtë këtë lloj debati me kritikët e tij, nëse nuk do të kishte pushtet?! Vështirë të thuhet se po, nëse kemi parasysh gjithashtu karakterin e tij deri diku prej frikacaku.
Por le t’i përmbahemi disa rregullave teknike të debatit. Sidomos në debate, por edhe dialog shprehen dy pozicione të kundërta lidhur me objektin e diskutimit. Ato zhvillohen për ngjarje të ndryshme, ose për ide, alternativa, projekte, ku palët mbrojnë fort pozicionet e tyre. Teknikat e debatit janë dy llojesh: Ato që sulmojnë kundërshtarin dhe teknikat mbrojtëse. Ky lloj debati në politikë zhvillohet në shout televizive ose në parlament. Por në të dy rastet duhet të mbisundojë strategjia e argumentit.
Në vend të retorikës së tipit “Ju jeni për t’ju qarë hallin…”, kjo teknikë shprehet me argumentin kundër ktitikës. Si rregull pjesmarrësit në debat ose në dialog shprehen të gatshëm të respektojnë barazinë dhe integritetin e njëri-tjetrit. Japin fakte, të dhëna dhe ngrejnë hipoteza të formës krahasuese, me qëllim ballafaqimin në dialog ose në debat. Ndërkaq dialogu ose debati janë të paplotësuar pa pjesmarrjen në të krahas personazheve kryesore edhe të ekspertëve ndihmës, të cilët sjellin fakte, të dhënë e argumente të mjaftueshme në bisedë. Në debatet dhe dialogun e kryeministrit Rama nuk gjen në asnjë rast forma të tilla shprehjeje dhe organizimi. Në vend të tyre ai përpiqet t’I ikë debatit me kundërshtarin, gjë që do të thotë se i ikën argumentit, të vërtetës dhe fakteve që atë e komprementojnë.
Ndërkohë një lideri politik në pushtet ose jo i kërkohet që në diskutimin e tij e në paraqitjet e veta të jetë jetë i strukturuar, të përdor një sistem shprehjeje në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve që ai qeveris. Kjo do të thotë, sipas Karl Buehler, se lideri politik duhet të jetë konkret, duhet t’i drejtohet një grupi të caktuar, duhet të paraqesë informacion të bollshëm, të ndërtojë një gjuhë funksionale e të kuptueshme, të kontaktojë poetikisht me dëgjuesit, të japë një mesazh dhe të bëjë një apel të caktuar.
Edi Rama këto metoda thjesht nuk dëshiron t’i përdorë, sepse mungesa e rezultateve, skandalet e shumta dhe dështimet e njëpasnjëshme ia pamundësojnë përdorimin e modelit modern të komunikimit.
Ndërsa sipas Heiko Ernst, terapia e komunikimit përpiqet të analizojë problemet, të cilat i shqetësojnë njerëzit. Kjo u jep mundësi qytetarëve që të kuptojnë zgjidhjet që duhet të vijnë. Edi Rama të vetmen gjë që eviton në dialog dhe debat janë shqetësimet e qytetarëve shqiptarë. Për të “Shqipëria nën qeverisjen e tij ka vetëm suksese, asnjë dështim e asnjë shqetësim”, pavarësisht se dhjetramijë qytetarë të saj si zgjidhje të krizës kanë emigrimin! Për kryeministrin i vetmi shqetësim është opozita, por jo edhe arroganca e qeverisë, korrupsioni, bashkëpunimi i segmenteve të shtetit e ministrave të qeverisë me krimin e organizuar dhe grupet e trafikantëve. Mohimi është paradigma kryesore e kryeministrit shqiptar. Dhe për t’i veshur një tis gri aksionit të tij mohues e propagandistik ai përdor batutën ose metaforën si përgjigje për kritikët e tij.
Përfundimisht në mesin e dy kategorive, pohimit të sëmundjes dhe marrjen e masave për shërimin e saj, nga njëra anë dhe mohimit të sëmundjes që bart qeverisja nga ana tjetër, Edi Rama nga dita e parë e punës së tij në politikë e në vazhdim ka zgjedhur këtë të dytën, pra mohimin e gjithçkaje që kritikët adresojnë ndaj tij. Për pasojë ai është bërë paranojak, i paparashikueshëm dhe aspak sfidues në dialog dhe në debate me kritikët e tij. Kulti i epërsisë së tij në dialog e debat është thjesht pjesë e propagandës, për t’ia paraqit publikut si një “udhëheqës unikal”, njëjtë sic kishte prodhuar propaganda komuniste “udhëheqësin e vetëm në botë” të diktatorit shqiptar!
Tiranë, më 14.04.2019