Për ata që thonë pse SPAK heton Berishën për “Partizanin” dhe jo Ramën për inceneratorët

Nga Blendi Kajsiu

Ndalimi i Sali Berishës nga SPAK ka hapur një debat të gjerë mbi pavarësinë e këtij institucioni. Kritika që po i bëhet atij nga një pjesë e mirë e opinionit publik, pa llogaritur berishistët, është se po përdor një standart të dyfishtë. SPAK akuzohet se po godet abuzimet e Berishës me sport-klub Partizanin por jo ato të Ramës me aferën e inceneratorëve. Është një kritike e kuptueshme dhe që duhet marrë seriozisht, pa e reduktuar tek propaganda berishiste.

Problemi i kësaj kritike është që ngatërron standartin politik dhe atë juridik. Idea se SPAK duhet të arrestojë njëkohësisht edhe Ramën edhe Berishën mund të argumentohet politikisht por jo juridikisht. Cështja e inceneratorëve dhe e privatizimit të sport-klub Partizanit nuk janë ekuivalente nga pikëpamja juridike, sidomos përsa i përket përfitimi direkt të vendim-marrësve Rama dhe Berisha.

Në rastin e inceneratorëve kemi plot evidencë të vendimarrjes abusive dhe të parregullt. Ama ende nuk ka evidencë se Edi Rama apo familjarët e tij kanë përfituar nga afera korruptive e inceneratorit. Në rastin e privatizimit të sport-klub Partizanit ka plot evidencë që familjarët e kryeministrit (pra të vendim-marrësit publik) kanë përfituar direkt nga kjo vendimmarrje.

Natyrisht kjo nuk do të thotë që automatikisht kemi të bëjmë me korrupsion nga ana e ish kryeministrit Berisha. Neni 260 i kodit tonë penal e përkufizon korrupsionin pasiv si “Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt … për vete ose për persona të tjerë… nga personi që ushtron funksione publike”. Duhet vërtetuar në gjykatë që këto përfitime kanë qenë të parregullta apo që vendimarrja e kryeministrit Berisha është bërë në shkelje të ligjit (apo në mënyrë të parregullt) me qëllim që familiarët e tij të përfitonin direkt nga ajo.

Pra nuk bëhet fjalë vetëm për vendime të parregullta, apo shpërdorim detyre. Bëhet fjalë për vendime të parregullta që prodhojnë përfitim për zyrtarin publik që i merr këto vendime. Zyrtarët e ndaluar tek afera e inceneratorëve janë arrestuar (ndonëse jo të gjithë) jo thjesht për shpërdorim detyre por sepse kanë pëfituar nga vendimmarrja e tyre e parregullt.

Në rastin e Edi Ramës nuk kemi ende ndonjë evidencë që ai ose familiarë të tij kanë përfituar direkt nga afera e inceneratorëve. Natyrisht kjo evidencë mund të zbulohet nesër. Mund të mësojmë se pas Klodian Zotos qëndron Edi Rama, se pronarët e inceneratorëve i kanë dhuruar apartamente fëmijëve, apo nuseve të Edi Ramës, apo gruas së tij. Në këtë rast nëse SPAK nuk do të veprojë atëherë kemi të bëjmë me standart të dyfishtë juridik.

Kjo nuk ka lidhje me standartin politik. Pavarësisht llogjikës juridike Rama ka përgjegjësi të qartë politike për aferën e inceneratorëve. Justifikimet e tij se gjithcka ndodhi parapa krahëve të kryeministrit janë qesharake nga pikpamja politike. Për këtë arësye shumica e shqipëtarëve janë të pakënaqur me qeverisjen e tij.

Politikisht si privatizimi i sport-klub Partizanit si afera e inceneratorëve mund të shikohen si dy raste ekuivalente të shpërdorimit apo keq-perdorimit të pushtetit. Madje mund të argumentohet se afera e inceneratorëve i ka bërë më shumë dëm interesit publik shqiptar sesa privatizimi i sport-klub Partizanit. Kjo është llogjika politike.

Problemi është se po të ndjekim standartin politik që barazon Berishën dhe Ramën duhet të presim që kryemnistri Rama të mbushë 80 vjec për tu arrestuar. Duhet të presim që të dalë në opozitë. Të rrijë nja 10 vite aty deri sa të shpallet non-grata dhe pastaj ta arrestojë SPAK-u, pasi ka gjetur prova se inceneratorët u ndërtuan nga djali apo nusja e tij.

Në këtë rast standarti politik është shumë poshtë stanadartit juridik që ofron SPAK. Dhe kjo për faktin e thjeshtë sepse i tillë është cdo standart politik i vendosur nga Berisha në këto tridhjet vite demokraci. Ndaj është paradoksale të përdorim keq-qeverisjen e Berishës si kut matës për keq-qeverisjen e Ramës. Është pikërisht kjo llogjikë që e mban Ramën në pushtet.

Qeverisja Rama mund ti kalojë shumë më lehtë standartet politike që ka vendosur Berisha sesa standartet jurdike që po vendos SPAK, të cilat kanë rrëzuar plot pesha të rënda të pushtetit socialist. Ndaj është cudi e madhe që sot përdorim standartet e kalbura të politikës shqiptare për të denoncuar standartet juridike që po vendos SPAK./Lapsi.al

Exit mobile version