“Për Edi Ramën kanë rëndësi vetëm oligarkët”, Orjola Pampuri: Pagat dhe pensionet e qytetarëve qëndrojnë në vend

Nënkryetarja e PD, Orjola Pampuri, shprehet se në Shqipëri vetëm pagat dhe pensionet qëndrojnë në vend, ndërsa shtrenjtësia e jetesës vijon të rritet. Ne postimin e saj në Facebook, Pampuri thotë se kjo vjen nga politikat ekonomike dhe sociale të ndjekur nga qeveria Rama, e cila çon miliona euro për afera korruptive dhe një grusht të vogël oligarkësh, ndërsa lë pas dore mirëqenien e shqiptarëve.
Deputetja e PD, sjell në vëmendje të dhënat e fundit të INSTAT për rritjen çmimit të mobilerive, gjë që do të ndikojë në në shtrenjtimin e produkteve të mirëmbajtjes së shtëpisë. Sipas saj, Partia Demokratike zotohet se në programin e saj ekonomik do t’i japë zgjidhje shqetësimeve dhe halleve të njerëzve, si një detyrim politik dhe moral.

Postimi i plotë i nënkryetares së PD, deputetja, Orjola Pampuri:

Në këtë vend vetëm pagat dhe pensionet qëndrojnë në vend.
Shtrenjtësia e jetesës në Shqipëri shkon në proporcion të zhdrejtë me të ardhurat e qytetarëve shqiptarë.
Kjo është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e politikave ekonomike dhe sociale të ndjekur nga qeveria Rama, e cila, duke investuar miliona euro për afera korruptive si ajo e inceneratorëve apo koncensionet abuzive në shëndetësi, ka lënë pas dore mirëqenien e njerëzve.
Për Edi Ramën dhe qeverinë që ai drejton nuk kanë rëndësi qytetarët e thjeshtë të këtij vendi, por vetëm një grusht i vogël oligarkësh, të lidhur me pushtetin dhe pjesë të tjera të politikës, si garanci e mbajtjes në këmbë të një sistemi korruptiv që ka 34 vite që i varfëron shqiptarët dhe i detyron të largohen nga ky vend.
Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, mobileritë dhe arredimi kanë pësuar një rritje të lartë prej mesatarisht 6 për qind duke filluar nga viti 2022 dhe kjo do të ndikojë në shtrenjtimin e produkteve të mirëmbajtjes së shtëpisë, ndërkohë që produktet me bazë drurin janë të rëndësishme për familjet shqiptare.
Ky shtrenjtim i gjithçkaje në këtë vend dhe pamundësia për të përballuar jetën, janë një ndër arsyet e shumta që shqiptarët largohen drejt vendeve të tjera për një jetesë më të mirë.
Ajo që duhet të bëjmë ne, është të largojmë Edi Ramën dhe qeverinë e tij dhe t’u mundësojmë shqiptarëve një jetë më të mirë në vendin e tyre.
Për këtë arsye, Partia Demokratike e Shqipërisë zotohet se në programin e saj ekonomik do t’i japë zgjidhje shqetësimeve dhe halleve të njerëzve, si një detyrim politik dhe moral, për t’u shkëputur një herë e përgjithmonë nga mendësia e politikës që vjedh njerëzit për të mbajtur pushtetin.
Për Partinë Demokratike të Shqipërisë, një individ i fuqishëm në aspektin ekonomik, do të thotë një shoqëri më e mirë dhe më e qëndrueshme, do të thotë një Shqipëri e begatë dhe e jetueshme, dhe këtë do ta realozojmë sepse ua kemi borxh shqiptarëve!

Exit mobile version