Nga SERGIO RAMÍREZ (1942)
Shkrimtar, gazetar dhe politikan nikaraguan.
Një ditë, kur miqtë civilë dhe ushtarakë po festonin ditëlindjen e udhëheqësit në një nga fermat e shumta që ai kishte buzë detit, pasi u shërbyen ushqimet e rralla, pas dollive dhe fjalimeve, po kërkohej mënyra më e mirë për të davaritur mërzinë e udhëheqësit, për ta nderuar dhe për ta zbavitur atë sa më shumë, gjë që, me këngët dhe vallet qesharake, me piruetat, imitimet dhe recitimet e ndryshme, deri atëherë, kishte dështuar.
Ndërkohë që udhëheqësi do të kërkonte veturën për t’u larguar dhe shpura ishte gati t’i shërbente, Ministrit të Kulteve i lindi ideja e mrekullueshme që të bënte një lojë, të cilën, plot entuziazëm, e quajtur Vilhelm Teli.
Ministri i shpjegoi udhëheqësit se, në mungesë të harkut dhe shigjetës, do të përdorej një armë zjarri, me të cilën madhëria e tij do të qëllonte frutin e vendosur saktësisht mbi kokat e të ftuarve, të cilët, me radhë, do të zinin vendin e nderit për ta pritur plumbin mbi kokën e tyre, me lumturinë më të madhe.
Udhëheqësi pranoi dhe vetë Ministri i Kulteve, faqeskuqur prej lumturisë, iu lut të ishte ai i pari në radhë, duke vënë mbi kokën e tij një mango, të cilën, gruaja e tij e dashur, tejet e entuziazmuar, e kishte gjetur sakaq. Shefi i armatimit, duke u paraqitur ushtarakisht dhe lumturisht përpara udhëheqësit, i vendosi përpara një arkë plot me pistoleta, nga të cilat ai zgjodhi një Smith, kalibër dyzet e pesë, me dorezë prej sedefi.
Siç pritej, goditja ishte aq fatale sa i hoqi kapakun e trurit Ministrit. Fruta e mangos ra në tokë, e paprekur.
Nderimet e funeralit të ministrit ishin solemne.
Në shqip: Bajram Karabolli