Sali BERISHA
Në një përpjekje të re për të mbuluar tradhtinë e tyre të lartë, faljen e fushave më të mëdha të gazit dhe naftës në Jon dhe Mesdhe palës greke, Edvin Kristaq Rama dhe Ditzi Sulejman Bushati nxorën në treg në mediat e tyre dhe po përdorin për shqiptarët në mënyrën më antikombëtare, gogolin e Protokollit të Korfuzit, aktin më tradhtar të firmosur ndonjëherë nga shqiptarët në vitin 1914, në këtë ishull me të cilin pranohej krijesa e Jorgo Zografit, Vorio Epiri!
Ky protokoll është hedhur poshtë nga 6 fuqitë e mëdha, të cilat kanë firmosur në Firence më 27 janar 1925 Protokollin e përcaktimit të kufirit shtetëror midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ky protokoll njohu si kufij shtetërorë midis dy vendeve këta kufij që janë edhe sot. Megjithëkëtë duhet të pranojmë se deri në vitin 1996 midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk kishte një marrëveshje bilaterale për kufijtë ndërshtetërorë.
Pala greke e konsideronte të panevojshme këtë marrëveshje, pasi të dy palët kishin firmosur aktin e Helsinkit. Por pala shqiptare kërkoi që njohja e kufijve aktualë ekzistues, pra që janë kufijtë e përcaktuar në Protokollin e Firences, të sanksionohej edhe në Traktatin e Miqësisë midis dy vendeve. Kjo kërkesë u pranua nga pala greke. Prandaj në nenin e parë të Traktatit të Miqësisë sanksionohet: “Republika e Shqipërisë dhe Republika greke…. shpallin përkushtimin e tyre ndaj parimit të paprekshmërisë së kufijve ekzistues të njohur ndërkombëtarisht në përputhje me Aktin Final të Helsinkit dhe Kartën e Parisit dhe se vija kufitare midis të dy vendeve do të jetë vijë kufitare paqeje dhe miqësie”.
Pra, në Traktatin e Miqësisë pala greke ka pranuar përfundimisht dhe pa ekuivok kufijtë ekzistues midis dy vendeve dhe vetëkuptohet ka hequr dorë botërisht nga Protokolli i Korfuzit. Kështu që Rama dhe Ditziu i tij pranojnë si plaçkë tregu, si gogol Protokollin e Korfuzit, një protokoll të varrosur përfundimisht nga Protokolli i Firences, Akti i Helsinkit, Karta e Parisit dhe Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis Shqipërisë, por dhe e përdorin dhe si gogol për të mashtruar, por edhe trembur shqiptarët.
Ata, pasi dështuan me shitjen e heqjes së ligjit të luftës, një akt atavik i turpshëm në kancelarinë greke, si justifikim për dhurimin e fushave më të mëdha të gazit dhe naftës në Jon dhe Mesdhe Greqisë, tani Edvini dhe Ditziu i tij iu servirin shqiptarëve si sukses heqjen dorë nga pala greke nga ky Protokoll i Korfuzit të varrosur në mënyrë përfundimtare që në vitin 1925 dhe si shpërblim i dhuruan Greqisë fushat më të mëdha të naftës dhe gazit në Jon dhe Mesdhe. Edhe një herë u bëj thirrje shqiptarëve të ngrihemi me të gjithë fuqitë tona për të mbrojtur integritetin territorial të vendit dhe të përmbysim këtë qeveri që ka shndërruar në plaçkë tregu për karriget e saj pasuritë përrallore të Shqipërisë!