Për t’i futur thikën pas shpine Lulzim Bashës!

Nga Ermal Peçi

E sigurt që kur Lulzim Basha ta lexojë këtë shkrim, do të buzëqeshë ose do të vendosë buzën në gaz. Jo për titullin që kam zgjedhur për shkrimin, por për vetë çfarë ai ka përjetuar në shpinën e tij edhe pse kundërshtarët e quanin të “përkëdhelurin”.

Një i përkëdhelur, i cili shpatullat e tij i ka plot me thika të ish-bashkëpunëtorëve, njerëzve të cilët ai i ka promovuar, kundërshtarëve politikë, deri edhe tek Sali Berisha.

Napoleon Bonoparte e përcaktonte mjaft mirë se: “një lider ka të drejtë të habitet, por kurrë të çuditet për sulmet ndaj tij”. Prandaj Basha në asnjë moment nuk ka kthyer asgjë personale, por ka qëndruar tek politika dhe idetë e tij për të sjellë një mendësi ndryshe në realitetin politik shqiptar, i cili është i ndotur nga gjuha e urrejtjes.
Një gjuhë urrejtje, e cila e ka ndarë Shqipërinë dhe e ka polarizuar shoqërinë në kahe të kundërta, gjuha berishiste, gjuha anti- berishiste dhe gjuha e Ramës që i bënte thirrje efektivëve të policisë të mblidhnin vota për PS-në.
Kjo narrativë ka sjellë edhe këtë situatë politike, e cila jo vetëm prej gjuhës së urrejtjes, interesave të përbashkëta, por edhe marrëveshjeve politike të bëra në këto 33 vite me aktorët kryesorë. Berisha-Rama-Meta po bëhen bashkë, për t’i futur thikën e radhës Bashës për ta vrarë atë politikisht, nga shtatori e në vazhdim.
Një thikë, e cila ka vite që mprehet për të vrarë politikisht njeriun e vetëm që iu cënon pushtetin politik dhe shihet në sytë e shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarëve si kryeministri i ardhshëm.
Realiteti i ri politik nuk ka asnjë figurë të re apo të vjetër, e cila të ketë stofin, eksperiencën, por edhe të ketë bërë akte politike.
Pavarësisht “Pushtetit të Thashethemeve” dhe 50 milionë mesazheve të paguara për të njollosur imazhin edhe për ta bërë qesharak në opinionin publik, Basha mesa duket po i lë pa gjumë kundërshtarët politikë të cilët nga mëngjesi në darkë e kanë kryefjalë.
Strategjia që ka ndjekur Lulzim Basha, i ka dhënë efektet e veta në shoqërinë shqiptare, ashtu edhe në politikë.
Përjashtimi i Sali Berishës nga PD-ja solli edhe procesin e njohur në botë që është “shkatërrimi kreativ” që ndodh brenda një partie, brenda një vendi dhe që është procesi më i shëndetshëm që mund të ndodhë.
Falë strategjisë së tij sot ajo çfarë luhej nëntokë jashtë syve të opinionit publik, u shfaq në publik ku Rama-Berisha dhe Meta po veprojnë si një parti e vetme dhe jo si kundërshtarë politikë.
Marrëveshjet për Amnistinë Penale, marrëveshjet për Kodin Zgjedhor dhe marrëveshjet për të goditur SPAK-un, po nxjerrin në pah bashkëpunimin dhe lidhjet e vjetra të klasës politike shqiptare.
Lidhje të vjetra, të cilat sot e kanë ndarë shoqërinë në njërëz, të cilët mbështesin SPAK-un dhe GJKKO-në. Si dhe nga ana tjetër një klasë e vjetër politike që e sulmon drejtësinë nga mëngjesi deri në darkë, secili me formën e vet helmuese, edhe duke i shantazhuar.

Prandaj edhe shtatori dhe në vazhdim do të jetë një luftë politike, e cila do të ketë për qëllim vrasjen politike të Lulzim Bashës.
Në realitetin e ri politik me figurat e reja apo edhe lëvizje që priten të bëhen publike askush nuk e ka stofin për të cënuar pushtetin politik të klasës së vjetër sepse është ndryshe të shesësh shpresë në një vend të varfër dhe ndryshe të bësh politikë!
E prandaj Rama-Berisha-Meta dhe biznesmenë, të cilët financojnë pranë tyre po bëhen gati për të nisur një thikë tjetër mbi supet e Bashës, për ta vrarë politikisht sepse është i vetmi njeri, i cili ka prodhuar akte politike.
Në politike edhe në luftë ka shumë vlerë shprehja e Epictetus:
“Një njeri nuk ka mbaruar kur është i mundur. Ai mbaron kur jep dorëheqjen”. E pavarësisht humbjes së vulës në Apel si pasojë e makinaciove politike ata e dinë mjaft mirë që Basha nuk po dorëzohet e kjo i tremb. I tremb fakti me të pa njohurat që do të ju vijnë nga tetori e në vazhdim.

Exit mobile version