Për vemjet “antiberishiste” që sot i lëpihen Berishës për një vend në Listë!

NGA ERVIN GOXHAJ

Ju duhet të kishit bërë një autokritikë të thellë dhe të ndershme përse e sulmuat Berishën pa mëshirë, para se të guxonit të futeshit në selinë blu. Për vite me radhë, ju bëtë gjithçka për ta diskredituar atë, duke e kthyer në armikun numër një brenda opozitës. Ishit ju, jo Basha, që e udhëhoqët këtë luftë të turpshme kundër Berishës. Nuk i latë gjë pa thënë, duke e përbaltur dhe duke e akuzuar për çdo dështim të opozitës. Ju, që dikur përhapnit fjalë se Berisha do të përfundonte shumë shpejt në burg, tani bëni sikur e adhuroni dhe jeni gati t’i përkuleni pa pikë integriteti.

Kur Basha dha dorëheqjen, me të gjithë zellin e hipokritit, ju betoheshit se do ta pastronit partinë nga trashëgimia e Berishës dhe do ta rikthenit atë me një frymë të re. Sot, me bishtin nën shale, përuleni për një karrige të mjerë, duke lëpirë ata që dikur i përbuznit. Servilizmi juaj nuk njeh kufij, dhe kjo u pa qartë me kamikazlliqet që bëtë sot në parlament. Por kjo ka nisur që në korrik, kur nisët t’i dërgoni shkresa, duke u përpjekur të siguroni ndonjë favor personal në dëm të të gjithë demokratëve.

Ju që sot i përkuleni Berishës dhe partisë, bëni mirë që të shkoni në selinë blu, por jo si servilë dhe vemje. Nëse keni pak dinjitet, shkoni kokë lartë, por ju e keni humbur atë që prej kohësh. Shqiptarët dhe demokratët kanë nevojë për liderë të vërtetë, me integritet dhe parime, jo për njerëz të vegjël që janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo vlerë për të mbajtur një karrige me çdo kusht. Kështu si po veproni, jo vetëm që karrigen tuaj s’do e mbani më gjatë, por po shkatërroni edhe shpresat e demokratëve, që prej 12 vitesh ju besuan për të sjellë ndryshim. Në vend të ndryshimit, ju keni sjellë vetëm tradhti, përçarje dhe keqadministrim. Turp dhe poshtërsi e pafund!

Exit mobile version