Kush ka më shumë trofe, kush ka stadiumin më të mirë, kush ka tifozërinë më fanatike … janë vetëm disa nga krahasimet apo rivalitetet e përditshme dhe të zakonshme. Por në Spanjë edhe akademitë e dy klubeve janë kthyer në objekt debati. Akademia e Barcelonës e njohur gjerësisht si “La Masia” ka prodhuar lojtarë të kalibrit botëror, ku po përmendim ata që njihen dhe nga publiku, Iniesta, Ksavi, Pujol. Por nëse Barcelona mund të mburret me kalibrin e lojtarëve që prodhon nga ekipet zinxhir, Reali i Madridit nuk qëndron më pas.
169 LOJTARË –
Në sezonin 2023-2024 kanë qenë plot 96 lojtarë të dalë nga akademia e Barcelonës dhe 73 lojtarë të formuar në ekipet zinxhir të Realit të Madridit që kanë luajtur të paktën një minutë në rreth 180 klube të ndryshme nga pesë kampionatet më të rëndësishme në Europë, që kanë luajtur në Kategorinë e Dytë në Spanjë, si dhe në kampionate të tjerë në Europë. Nga 73 lojtarët e dalë nga ekipet zinxhir të Realit të Madridit, 37 prej tyre kanë luajtur në La Liga, me Realin dhe me klube të tjera që militojnë në elitën e futbollit spanjoll, pra diçka më shumë se gjysma e tyre. Atletiko e Madridit ka aktivizuar 5 lojtarë të dalë nga akademia e rivalëve të qytetit.
Në Kategorinë e Dytë janë rreth 30 lojtarë të dalë nga akademia e Realit që janë aktivizuar. Pjesa e mbetur (6 lojtarë) janë aktivizuar në kampionate të ndryshme në Europë dhe vetëm një tyre, Ashraf Hakimi luan në një skuadër që militon në Ligën e Kampioneve, Paris SG. Nga akademia e Barcelonës kanë qenë plot 96 lojtarë që kanë luajtur në sezonin e kaluar, nga të cilët 44 janë aktivizuar në La Liga dhe 27 në Kategorinë e Dytë. Ajo që bie në sy është se përveç faktit se “La Masia” ka një numër më të madh lojtarësh se “La Fabrica”, numri i lojtarëve të akademisë së Barçës është më i ulët në ligën e dytë spanjolle. Jashtë kufijve të Spanjës, prezenca e lojtarëve të dalë nga akademia e Barcelonës (25 të tillë) më së shumti luajnë në ekipe të dorës së parë, madje disa prej tyre kanë fituar dhe trofe në sezonin që lamë pas.
POZICIONET –
Gjithçka nis me portën. “La Fabrica” e Realit të Madridit ka prodhuar 8 portierë, ku më i dalluari ka qenë David Soria që mbron portën e Getafes në La Liga, me të cilën ai zhvilloi një sezon mjaft të mirë. Ndërkohë, që pjesa tjetër e portierëve të dalë nga akademia e Realit kanë luajtur në Segunda Division. Edhe Barcelona ka vënë në shërbim të ekipeve të ndryshme 8 portierë të dalë nga akademia e saj. Disa prej tyre kanë rezultuar vendimtarë për skuadrat e tyre, si rasti i Josep Martinez te Xhenoa në Serinë A apo Andre Onana te Mançester Junajtid në Premier.
Të tjerët kanë pasur role dytësore në skuadrat e tyre. Në mbrojtje raporti është dukshëm në favor të Barcelonës, me “La Masia”-n që ka prodhuar 37 lojtarë, ndërsa “La Fabrica” ka nxjerrë 21 mbrojtës. Gjithsesi duhet thënë se shumë nga mbrojtësit e rëndësishëm të prodhuar nga akademia e Realit të Madridit janë në perëndim (Naço, Hermoso, Karvahal). Por ndërsa “La Fabrica” duket në vështirësi për sa i përket mbrojtësve, krejt ndryshe te “La Masia”, ku e ardhmja duket vërtet e shkëlqyer. Rinia e Kubarsit, Balde apo Erik Garsia, si dhe Europiani i madh i bërë nga Kukureja janë një tregues i rëndësishëm në prodhimin e mbrojtësve të kalibrit nga akademia e Barçës.
Pa harruar që nga akademia e Barçës janë dhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm si Aleks Grimaldo, Mika Marmol, Çadi Riad apo dhe mbrojtësi i kombëtares kuqezi, Ivan Balliu. Edhe në repartin e mesfushës është akademia e Barcelonës që dominon me 25 lojtarë kundrejt 21 të dalë nga akademia e Realit. Edhe emrat këtu janë vërtet mbresëlënës, Ksavi Simons, Dani Olmo, Niko Gonzalez, Fermin Lopez… sa për të përmendur disa. Në sulm sërish dominon akademia e Barcelonës me 26 lojtarë kundrejt 23 të Reali. Në formacionin tip të kombinuar gjithsesi, rivaliteti bëhet më i ashpër me 6 lojtarë të Barcelonës dhe 5 të Realit të Madridit.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI