Përbuzje për marrëveshjet e fshehta që i dhanë Ramës mandatin e katërt dhe Berishës monopolin e opozitës!

Nga Ardi Stefa

Përpara disa javësh në SHBA, kush merr pak erë nga politika u bë dëshmitar një një “rilindjeje të jashtëzakonshme politike”!

Ndërsa Partia Demokratike përçartej, çalonte, lëkundej dhe gjendej përballë një humbjeje të madhe, mori një vendim që e bëri të ishte më e fortë, më e bashkuar dhe me koordinata të qarta se çfarë drejtimi do të merrte.

Kjo ndodhi, jo vetëm se zgjodhi një kandidat të ri për president në zgjedhjet e ardhshme, por edhe sepse nga kongresi demokratët u rilidhën me elektoratin dhe me shoqërinë amerikane.

Po në Shqipëri?

Qeveria dhe opozita në vendin tonë gjenden përballë në hendeku të tillë. Luftëra të vogla e të mëdha të brendshme, marrëveshje në hije në errësirë, thika që bëhen gati dhe përplasje të hapura- konsumojnë pothuajse të gjithë energjinë e sistemit politik, duke u ofruar një show qytetarëve, të cilët ose jnë zhgënjyer, ose janë krejtësisht indiferentë.

Në realitet, sfida për qeverinë nuk është nëse do të shkojë më majtas, më djathtas, të zhvendoset më ne qendër, të bëhet më populiste apo më e përgjegjshme. Sfida është tjetër! Nëse do të largohet nga hija e skandaleve dhe do të merret seriozisht me problemet reale, që shqetësojnë qytetarët. Nëse do të dëshmojë aftësi administruese të pushtetit.

Ndërkohë që për partitë e opozitës sfida është edhe më e madhe. Sfida kryesore është të ketë përgjegjshmëri politike, qytetare e vlerash; komunikim me elektoratin në përgjithësi dhe shoqërinë shqiptare në veçanti.

Opozita sot është në gjendjen më mjerane në 34 vite tranzicion. Jo vetëm e paaftë të vijë në pushtet; jo vetëm e përçarë, por në shoqërinë shqiptare është krijuar bindja se pozita e opozita janë bashkë për të ruajtur establishmentin, pra për të ruajtur status quo-në aktuale politike.

Pavarësisht se nga shtatori i 2021 opozita nisi riorganizimin, d.m.th rithemelimin ose rilindjen (sinonime kontekstuale janë këto dy fjalë) asgjë e tillë nuk ndodhi. Të njëjtët njerëz, të njëjtat fytyra, të njëjtët deputetë e zyrtarë që shkonin sa nga prehri i njërit kryetar në prehrin e tjetrit, thjesht për një vend të sigurtë në listat për deputetë duke shkelur me të dyja këmbët parimet dhe çdo ideal demokratik.

Dhe, meqenëse kjo quhej politikë, impakti në shoqëri dhe në elektorat ishte negativ: përbuzje dhe braktisje për këtë klasë politikanësh, të cilët nuk janë të zotët t’u mbushin mendjen dhe të ofrojnë zgjidhje.

Përbuzje për përmbysjen që ka 1000 ditë që “o do ndodhë sot, ose kurrë!”, për revolucionin që s’u ndez kurrë, por edhe kur vendos të ndizet, ndizet me leje për dy orë nga policia, për revolucionarët që votojnë njëlloj me kundërshtarin dhe akuzojnë për tradhti ata që votojnë ndryshe kundërshtarit.

Përbuzje për marrëveshjet e fshehta që i dhanë Ramës mandatin e katërt dhe Berishës monopolin e opozitës!

Përbuzje për teatrin politik në Kuvend dhe krijimi i perceptimit në popull që marrëveshja PD- PS nuk ishte prishur asnjëherë dhe se “lideri i opozitës”, pavarësisht se ka 240 ditë “i burgosur” në fakt është i lirë të mbajë fjalime të përnatshme, të akuzojë dhe sa më shumë të ngrerë zërin, aq më i madh pazari! (Këto janë perceptime në popull, jo të miat!)

Dhe opozita mjerane shqiptare vjen vërdallë në një qerthull duke i folur vetëm vetes dhe të bllokuara në një cikël të përhershëm introversioni. Dhe opozita drejtohet edhe matematikisht në një tkurrje të tmerrshme, e cila pritet të vërtetohet në zgjedhjet e ardhshme!

Vjeshta duhet të sjellë dhe të përbëjë një shans për restart të ri.

Opozita duhet të bindë!

Dhe nuk e bind dot popullin e as elektoratin me një “armëpushim” me të rithemeluarve, euroatlantikëve dhe të pakënaqurve nga dy të parët dhe as me daljen e një formacioni të unifikuar përballë kësaj mazhorance.

Populli dhe elektorati nuk binden kur shohin të njëjtat fytyra përnatë në TV, çdo të hënë apo të enjte në Kuvend, e çdo katër vite në lista.

JO!

Shqiptarët janë të lodhur nga partitë vetëm për kryetarët, familjet e kryetarëve dhe enturazhin e kryetarëve!

Exit mobile version