Me urdhër të Ramës, Shukri Xhelili, Kryebashkiaku socialist i Peshkopisë, i cili kërkonte favore seksuale në këmbim të vendeve të punës nuk u arrestua dje, ashtu siç duhej të ndodhte. Rama doli menjëherë në mbrojtje të tij, aq sa nxorri deputetin, Ulsi Manja ta cilësonte skandalin në fjalë si një ngjarje të inskenuar politikisht ndërsa i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë ngjarjen dhe të zbardhë autorët e këtij inskenimi. Mbrojtja e Ramës ndaj Xhelili vjen si vijim i mbrojtjes që ai vijon tu bëjë në mënyrë fanatike të inkriminuarve e të korruptuarve që ka ngjitur në pushtet.
Vrasësit, baronët e drogës, përdhunuesit e pedofilët qeverisin sot vendin. Lidhjet e Ramës janë të shumta e të faktuara tashmë, nga vëllezërit vrasës Mark e Arben Frroku, trafikanti i prostitutave Arben Ndoka, i inkriminuari Armando Prenga, Shullazi e banda e tij, baroni i Ballkanit, Balili, Drejtoresha monstër e Lushnjes, pedofili i PS së Sarandës e deri tek përdhunuesi i Peshkopisë, Xhelili. Ky i fundit, tregoi dje se falë mbrojtjes së Ramës është i paprekshëm.
Pas publikimit të videoskandalit, Policia dhe Prokuroria e Dibrës nisën hetimet. Fillimisht janë sekuestruar pamjet filmike të videoskandalit dhe më pas kanë nisur verifikimet. Grupi hetimor ka marrë në pyetje 20-vjeçaren, e cila mësohet se i ka qëndruar deklarimeve të dhëna në emision. Vajza ka deklaruar se ishte vënë nën presion nga kryebashkiaku për t’i ofruar favore seksuale në këmbim të një vendi pune.
Më pas në Policinë e Dibrës është shoqëruar në prani edhe të avokatit edhe vetë kryebashkiaku. Ai mësohet se u ka thënë hetuesve se njihej me vajzën prej një viti dhe ajo ishte punësuar prej tij prej tre muajsh. Në lidhje me skandalin seksual Xhelili ka pretenduar se ishte inskenim pa pranuar të japë më shumë detaje. Më pas grupi hetimor ka mbërritur në zyrat e Bashkisë së Peshkopisë ku ka sekuestruar gjithë praktikën që është ndjekur në punësimin e 20-vjeçares. Për kryebashkiakun është regjistruar procedimi penal në gjendje të lirë ndërsa do të duhej që në këto momente ai të ndodhej në qelinë e burgut.
Ambasadori Donald Lu: E rëndë dhe skandaloze
Për skandalin e ish-kryetarit të Bashkisë së Peshkopisë reagoi dje edhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu që e konsideroi një krim skandaloz. Gjatë një takimi në Bashkinë e Fierit, Lu zgjodhi të përcjellë për të gjithë kryebashkiakët mesazhin që t’u shërbejnë qytetarëve. Ambasadori amerikan, Donald Lu e cilëson krim skandaloz aferën seksuale ku u përfshi ish-kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili, duke ofruar një vend pune. Ndërsa këtë reagim e përcolli në gjuhën shqipe gjatë takimit që zhvilloi në Bashkinë e Fierit, ambasadori amerikan zgjodhi të flasë në anglisht për të qenë më i saktë në mesazhin e tij për të gjithë kryebashkiakët. “Mendoj se në ditën e sotme, në një ditë kur Shukri Xhelili është arrestuar në Dibër për një krim skandaloz, që kryetarët e bashkisë në Shqipëri të tregojnë një menaxhim dhe qeverisje të mirë të bashkive që ata përfaqësojnë. Për këtë arsye, ne jemi të kënaqur që kemi mundësinë të jemi në partneritet me Bashkinë e Fierit përmes programit tonë të qeverisjes vendore për të përmirësuar shërbimet që i ofrohen qytetarëve nga ana e bashkisë”. Deklaratat e ambasadorit amerikan Lu u bënë gjatë një takimi në Bashkinë e Fierit, ku i shoqëruar nga drejtori i USAID-it, u njoh me resurset turistike e ekonomike të njësisë vendore.
Reagon ashpër shoqëria civile
Përfaqësues në zë të shoqërisë civile dënojnë aktin e paprecendent, ku ish-kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili i kërkoi favore sekuale një vajze 20-vjeçare në këmbim të punësimit. Shoqata e Autonomisë Vendore dhe ajo e Mbrojtjes së të Drejtave të Grave thonë se videoskandali ishte shokues dhe tregon se si shpërdorojnë detyrën të zgjedhurit me votë. Shoqata për Autonominë Vendore dhe ajo në Mbrojtje të Drejtave të Grave dënojnë aktin e paprecedentë ku kryetari i Bashkisë së Peshkopisë, Shukri Xhelili kërkon favore seksuale në këmbim të firmosjes së kontratës së punësimit të një vajze 20-vjeçare. Adelina Farrici, nënkryetare e Shoqatës për Autonomi Vendore e konsideron videoskandalin e transmetuar në “Ora Neës” shokues dhe ngjarjen në tërësi si cenim të integritetit të pushtetit vendor. Adelina Farrici: “Ishte një fenomen shokues, i cili cenon rëndë integritetin e pushtetit vendor. Kjo bie ndesh me funksionet e pushtetit vendor, me filozofinë e pushtetit vendor ku qytetarë të pushtetit vendor dhe drejtuesit e pushtetit vendor si i zgjedhur me votë shikojnë mbrojtësin e interesave të tyre dhe përballë kësaj ndeshen me një fenomen të tillë dhe kjo e thyen të gjithë këtë imazh”. Sevim Arban nga Shoqata e Punësimit dhe e Mbrojtjes së të Drejtave të Grave e sheh këtë akt të rëndë dhe rrënim të vlerave morale të shoqërisë dhe të atyre që janë zgjedhur për të qeverisur. Sevim Arban: “Videoja e mbrëmshme, demaskimi i këtij kryebashkiaku ishte vërtet ajo që ku po shkon shoqëria shqiptare: Humbja e një shprese për vlerat morale që çdo shoqëri duhet të ketë ose ka. Po shpërbëhen të gjitha, nuk ka më vlera morale. Ka politikanë që vjedhin e abuzojnë, kryetarë bashkish që vërtet nuk kanë asnjë lloj vlere edhe si profesionalë edhe si qytetarë”. Shoqëria civile në tërësi ka reaguar ashpër ndaj skandalit që përfshiu ish-kryetarin e Bashkisë së Peshkopisë dhe ngre shqetësimin se ky fenomen i shpërdorimit të detyrës në këtë formë i kalon kufijtë e Dibrës dhe shtrihet në gjithë vendin.
Bregu: Shukriu, një fëlliqësirë më shumë i mozaikut Rama
Majlinda Bregu, deputetja demokrate ka qenë e ashpër në reagimin ndaj Shukri Xhelilit, kryebashkiakut të Peshkopisë, të cilit iu publikua një video intime me një femër. Sipas Bregut, Shukri Xhelili është një fëlliqësirë më shumë që i shtohet mozaikut që pasurohet çdo ditë me poshtërsi ndaj grave e vajzave. “Ky Shukriu, zgjedhur si ‘më i miri’ për të drejtuar Bashkinë e Peshkopisë, është një fëlliqësirë më shumë që i shtohet mozaikut që pasurohet çdo ditë me poshtërsi ndaj grave e vajzave. Por si dhe ai i Sarandës para dy vitesh është pusht pushteti. Me këtë pjesë ia vlen të merremi. Se mund të ndodhë që ky t’i shpëtojë edhe veprës penale ‘Ushtrim i ndikimit të paligjshëm’, meqë vajza nuk ishte minorene. Kur Agron Cane që kërkonte seks me një 14-vjeçare u dënua vetëm me 2 vjet burg, largqoftë ky del nga kjo histori vetëm me pushim nga puna”!
Anika Dokle: Shukriu është produkt i politikës
Pas publikimit të videos skandal të kryebashkiakut të shkarkuar të Peshkopisë, Shukri Xhelili, reagimet kanë qenë të shumta. Gjatë ditës së djeshme ka reaguar edhe Anika Dokle, vajza e deputetit socialist Namik Dokle. Dokle siç duket e ka inatin dhe mllefin me politikën që promovon dhe prodhon kaq shumë “Shukri”. “Refleksion pas “Shukriut”. E neveritur e gjithë shoqëria nga një skandal që nuk ishte as i denjë për një skandal seksual. Të pezmatuar fëmijët tanë për modelin e punësimit dhe të konkurrencës në këtë vend. E shokuar familja e Shukriut. Tallëse deri në dhembje hapësira virtuale, që ngriti në kult “brekët” e Shukriut. Të tulatur ata që i dhanë votën. Krenar kryetari që e promovoi Shukriun si “shërbëtor vs pelivan”. I pashpresë çdo njeri që punon dhe jeton me integritet. Në hall të madh gratë dhe vajzat që nuk ja falin shpirtin dreqit, me çimkë ose pa çimkë, me vrimë ose pa vrimë. Rrëqethës qëndrimi i Donald Lu-së. Dhe në fund, mos harroni! Shukriu është produkt i politikës, e keqja më e madhe në këtë vend!”