Gjykata e Apelit nuk e ka ndryshuar masën e sigurisë për kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë “arrest shtëpie”. Organi i akuzës kërkoi “arrest me burg” për kryetarin e Bashkisë së Kavajës për akuzën e falsifikimit të dokumenteve, në këtë rast formularin e dekriminalizimit. Rroshi nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore, ndërsa avokati kërkoi lirimin e tij, por gjykata e rrëzoi kërkesën e tij. Kryebashkiaku i Kavajës u akuzua për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, fshehje të veprave penale në të kaluarën e tij.
Rroshi nuk ka pasqyruar në formular 4 raste të dënimit apo dëbimit të tij nga dy shtete të Europës. Nga hetimi rezulton se Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për një përdhunim të kryer në vitit 1995 në Campobasso, ndërsa nga ky shtet ishte dëbuar po në atë vit. Gjithashtu, Elvis Rroshi ishte dëbuar dhe dënuar dhe nga drejtësia zvicerane, një herë më 1993 dhe një herë më 1997 kur dhe ishte arrestuar.
Elvis Rroshi u arrestua më 13 qershor 2016 pasi me kërkesë të Prokurorisë Gjykata e Tiranës dha masën e sigurisë “arrest me burg”. Prokuroria, në akuzën e saj, ditën e arrestimit, njoftoi se Rroshi nuk ka paraqitur në formularin “Për dekriminalizimin” të dhëna penale dhe personale, të cilat janë të detyrueshme për t’u shënuar.
Prokuroria e Tiranës nisi hetimin kryesisht, në bazë të informacionit të përcjellë nga ana e Sektorit për Verifikimin e Integritetit të Personave në Funksione Publike në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo strukturë kërkoi fillimisht verifikimin paraprak të formularit të subjektit Elvis Rroshi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Më pas, ky sektor vijoi verifikimin sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Në bazë të të dhënave të përftuara nga ky verifikim i thelluar, sektori përkatës në Prokurorinë e Përgjithshme përcolli informacionin në Prokurorinë e Tiranës, e cila regjistroi procedimin penal.
Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton se Elvis Rroshi nuk ka deklaruar dënimin e dhënë nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të përdhunimit të kryer në vitit 1995 në Campobasso, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 1 të formularit të vetëdeklarimit.
Po ashtu, ai nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian dhe ai zviceran respektivisht në vitin 1995 dhe 1993, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikën 7 të formularit të vetëdeklarimit.
Gjithashtu subjekti Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është arrestuar në gusht të vitit 1997 në Zvicër me urdhër të Gjykatës së Shtetit të Zyrihut dhe është dëbuar sërish, duke pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit.
Ndërkohë, nga të dhënat e deritanishme, janë siguruar informacione se shtetasi Elvis Rroshi ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës. Në bazë të këtyre të dhënave, Prokuroria e Tiranës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Elvis Rroshi, me funksion kryetar i Bashkisë Kavajë, i dyshuar për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.