Përdhunuesi, simbol i Rilindjes socialiste

Pak javë më parë, ish-kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi deklaroi se ishte gjykuar në Gjermani, por nuk mbante mend se për çfarë dhe nëse ishte dënuar. Pastaj ai “prodhoi” një dëshmi, me gjasa, të falsifikuar penaliteti gjermane, e cila e nxirrte të pastër, madje në kundërshti me vetëdeklarimin e tij. Pastaj, papritur, ai na njoftoi dje se sapo e kishin informuar se ishte dënuar në Itali, por nuk i kishte thënë njeri, as drejtësia italiane, për këtë gjë. Po dje u botua në media, se ai ishte dënuar në Itali për dhunë seksuale.
Por gjatë gjithë kësaj historie, madje edhe pasi nuk ka më dyshim që ai ka dhunuar seksualisht, Kryeministri Rama dhe politikanët e lartë socialistë janë deklaruar haptazi dhe pa asnjë mëdyshje në mbështetje të tij.
Pjesa cinike e qëndrimeve të tyre është se, ndërsa çdo ditë lëshojnë akuza, me ose pa bazë, ndaj kundërshtarëve politikë, në rastin e Elvis Rroshit ata bëjnë thirrje për kujdes dhe etikë puritane. Kurse pjesa qesharake është që të gjithë duket se kanë rënë në nivelin mediokër dhe pa imagjinatë të Rroshit, duke i justifikuar me teorinë e “humbjes së kujtesës”.
Kryeministri Rama, në një postim pas deklarimit i dënuar të Rroshit, në vend t’i kërkonte falje qytetarëve, përbalti opozitën dhe shprehu vlerësim për figurën e Elvis Rroshit:
“Kam besuar dhe me siguri do të besoj gjithnjë se të trajtosh një njeri si kriminel për vepra që nuk i ka bërë, është kriminale. Ishte kriminale dje dhe mbetet kriminale sot e gjithmonë, çdo shpifje, akuzë, fabrikim që synon të kriminalizojë një person për shkak të detyrës. Edhe Elvis Roshin!”
Ndërsa deputeti dhe sekretari dixhital i PS-së Alfred Peza u shpreh se:
“Partia Demokratike nuk mund të pretendojë se ka ndonjë meritë në rastin e dorëheqjes së ish-Kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi. Sepse, ai u dorëhoq vetë pasi u njoh me të vërtetën”.
Edhe ministrja Milena Harito, pak ditë më parë, e ftuar në një emision televiziv u shpreh se:
“Zoti Roshi është i gatshëm dhe operacional, më ka surprizuar me bashkëpunimin dhe aftësitë e tij menaxhuese. Unë i besoj kur thotë se nuk e mbaj mend pse është arrestuar në Gjermani”.
Në fakt, gjatë gjithë kohës që Elvis Rroshi ka drejtuar Bashkinë e Kavajës, figura e tij është lartësuar brenda dhe jashtë Partisë Socialiste. Elvis Rroshi u bë simboli i Rilindjes, shembulli i përpikmërisë nga i cili duhet të merrnin shembull kryebashkiakët dhe drejtuesit e tjerë.
Tani që u bë publike e shkuara kriminale e Elvis Rroshit, Kryeministri Rama dhe drejtuesit socialistë vazhdojnë të përpiqen të zbehin të vërtetën e të mos pranojnë në asnjë moment përgjegjësinë.
Në fakt, Elvis Rroshi nuk kishte harruar asgjë. Ai thjesht shfrytëzoi hapësirën që ju jep kriminelëve një klasë politike e korruptuar si kjo e sotmja. Ai u fut në politikë, shfrytëzoi “naivitetin” e Kryeministri Rama, u bë simbol i Rilindjes e tani po shikon teksa Rilindja po mundohet t’i ngrejë një lapidar pas dorëheqjes.
Exit.al

Exit mobile version