Në fillim të muajit dhjetor ministri i brendshëm Taulant Balla miratoi një urdhër të posaçëm që kishte të bënte me vetëdeklarimin e të gjithëve punonjës të Policisë së Shteti AMP dhe Gardës së Republikës, nëse kanë përdorur aplikacionet SKY EÇ apo Encro Chat.
13.500 punonjësve të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Gardës së Republikës iu dha afat 30 ditë për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit nëse kanë përdorur më herët aplikacionet që po tronditin botën e krimit, “SkyEÇ” dhe “EncroChat”.
Ndërsa sot edhe pse nuk është plotësuar afati 30 ditor që iu ishte dhënë të gjithë punonjësve të policisë por siç duket për të dalë sa më pastër ministria e Ballës në takimin e përvitshëm me gazetarët, drejtuesi i Policisë së Shteti Muhamet Rrumbullaku teksa fliste për vetëpastrimin e policisë në lidhje me plotësimin e formularëve deklaroi se asnjë nga punonjësit e organit që ai drejton nuk ka pranuar që ka patur Sky EÇ apo EncroChat.
Po kush po gënjen SPAK apo Policia?
Dy ditë më parë në një takim informal me dyer të mbyllura me gazetarët, kreu i SPAK, Altin Dumani deklaroi:
“Të përdorësh Sky EÇ dhe Ecrochat nuk është shkelje e ligjit, por përmbajtja e komunikimeve. Këto të fundit kur gërshetohen me prova të tjera, atëherë mund të përdoren nga prokuroria. Numri i policëve që dalin në Sky nuk është ajo shifër që qarkullon në media”, duke lënë të kuptohet që ka policë të cilët janë të implikuar në dosjet që po hetohen.
Kujtojmë se SPAK po zhvillon hetime të thelluara në bazë të të dhënave të ardhura nga EUROPOL për të identifikuar punonjësit e policisë që kanë pasur kontakte me botën e krimit përmes aplikacioneve të komunikimit “Sky EÇ” dhe “EncroChat”.