Perëndimi dhe Rusia: Pse nuk kuptohen?

Pas fundit të Bashkimit Sovjetik, jo vetëm elita properëndimore ruse, por edhe shumica e popullsisë, ushqenin shpresën që të bëheshin pjesë e komunitetit perëndimor ose, më mirë, të bëheshin sërish pjesë e Europës, pasi patën bërë një rrugë të tyren duke filluar nga Revolucioni i Tetorit. Ekzistonte bindja se ky do të kishte qenë rrugëtimi natyral për Rusinë. Por pas gjithë luhatjeve të viteve Nëntëdhjetë, qysh gjatë mandatit të dytë të Vladimir Putinit është shfaqur qartë se një rrugëtim i tillë nuk ishte aspak i sigurtë. Europa nuk e donte Rusinë, por edhe Rusia nuk donte të lidhej më me Europën moderne dhe me vlerat e saj. Të dyja qenë reciprokisht të zhgënjyera, pasi kishin një imazh fals të njëra tjetrës dhe ushqenin pritshmëri po false reciproke. Europa, ashtu si në përgjithësi Perëndimi, ishte e bindur se me tejkalimin e «Luftës së Ftohtë» kishte ardhur «fundi i historisë» dhe se pjesa tjetër e botës, përfshi Rusinë, duhej të ndiqte modelin perëndimor. Në të kundërt, në Rusi rezultonin iluzive shpresat e të qënit të ripranuar në rrethin e shteteve europiane, jo vetëm pse vendi kishte qenë shumë më pak «europian» nga sa ishte imagjinuar, por edhe pse Europa, duke nisur nga fillimi i shekullit të XX, kishte ndryshuar ndjeshëm.
Të dy korrentet kryesore kulturore që në Rusi lidheshin me Europën – lëvizja punëtore dhe kultura borgjeze, me edukimin humanist dhe vetëdijen historike të saj – qenë shpërbërë dhe qenë zëvendësuar nga një korrent krejtësisht ndryshe. Tranzicioni nga modernizmi në pasmodernizëm, që në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara ka ndodhur midis viteve Gjashtëdhjetë e Tetëdhjetë të shekullit të XX, në Rusi ka ardhur me perestrojkën, por është refuzuar me shpejtësi. Kështu që Rusia është kthyer të jetë një bastion i konservatorizmit. Ashtu si në shekullin e XIX qe kështjella e forcave konservatore në Europë, po kështu edhe sot është vendi që i kundërvihet ideologjisë dominuese në Perëndim. Deri shikohet si forca tërheqëse që qëndron prapa lëvizjeve të djathta europiane dhe qeverive aktuale të Europës Lindore, edhe ato shpesh të quajtura «të djathta». Nga se varet? Ndoshta është nënkuptuar një afërsi ideologjike dhe shpirtërore në kuptimin e vërtetë të fjalës, historikisht e bazuar?
Konflikti midis Perëndimit dhe Rusisë nuk ka vetëm motive politike e strategjike, por siç ka shkruar publicisti dhe filozofi gjerman Hauke Ritz në një shkrim shkencor për Institutin Oriental të Wismar, ka edhe një dimension kulturor. Arësyeja qëndron në faktin se Rusia dhe Europa kanë vizione shumë të ndryshme për botën, pavarësisht afërsisë së tyre historike, gjeografike dhe kulturore. Që ndërthurin konflikte midis fqinjve, shikohet qartë në reagimet e ndryshme të elitave perëndimore kur ndodhin devijime nga standardet perëndimore në Shtetet e Bashkuara, në Europën Lindore (Hungari e Poloni), në Turqi, në Rusi apo në Kinë e në Arabi Saudite.
Nëse në rastin e Europës Lindore bëhet fjalë për të ruajtur unitetin e Bashkimit Europian, dhe kjo është e pranueshme, në rastin e Shteteve të Bashkuara reagimi ndaj zgjedhjes së Trump kishte treguar se nuk tolerohej në shtëpi as devijimi në i vogël nga uniteti ideologjik. Për sa mund të jenë të ndryshme, Turqia dhe Rusia gjykohen me të njëjtat kritere. Ato nuk janë Perëndimi dhe megjithatë duhet të orientohen pas vlerave perëndimore; dhe në rast se nuk e bëjnë, është e nevojshme që të merren masa ndaj tyre. Por nuk ndodh e njëjta gjë në rastin e Kinës dhe të Arabisë Saudite. Që në Perëndim nuk bëhet praktikisht asnjë kritikë ndaj asaj që ndodh në Arabi Saudite për si merren në konsideratë të drejtat e njeriut dhe liria fetare ka mundësi nuk varet vetëm nga interesi ekonomik, por edhe nga fakti që ky vend konsiderohet si diçka «ndryshe», si pjesë e qytetërimit mysliman, që ka ligjet e tij.
Kurse Rusisë kjo nuk i lejohet. Megjithatë, anëtarët e elitës aktuale ruse, aidomos Putini, e mbajnë veten «europianë të vërtetë» dhe gardianë të qytetërimit europian, që sot në fakt është zëvendësuar nga multikulturalizmi. Por a është vërtet Rusia një «Europë e vërtetë»? Po Putini është «europian i vërtetë», siç kërkon të duket në sytë e lëvizjeve konservatore në Europë? Apo referimi ndaj vlerave tradicionale për Kremlinin është vetëm retorikë dhe Rusia nuk është një «Europë e vërtetë», por të paktën për sa u përket elitave ekonomike dhe politike, është pjesë e botës së globalizuar pasmoderne ku patriotizmi dhe besimi ndaj vlerave të lashta u lihen qytetarëve të thjeshtë?

Pasmodernizmi i Perëndimit dhe reagimi në Rusi
Thuhet se në Perëndim «modernizmi» është zëvendësuar nga «pasmodernizmi», vlerat e të cilit Rusia, bashkë me Turqinë dhe me shumë vende të tjera joperëndimore, nuk dëshiron t’i pranojë. Me termin «pasmodernizëm» nuk u referohemi këtu arësyeve filozofike, që nuk kanë të bëjnë apsak me Rusinë, por me arsëyet politike e sociale dhe me pasojat e tyre. Në shkrimin e sipërcituar, Ritz pohon se «pasmodernizmi» është krijuar si përgjigje dhe si alternativë ndaj pasmodernizmit komunist. Ndërsa Rusia nga Revolucioni Francez ka marrë vëllazërinë dhe barazinë, Perëndimi është përqëndruar mbi lirinë. Ky proces është avancuar qëllimisht gjatë «Luftës së Ftohtë», për të krijuar një të majtë jokomuniste alternative. Faktikisht është e pamohueshme se zhvillimi i lëvizjes së majtë jokomuniste në Perëndim duhet të kuptohet si reagim ndaj komunizmit. Në vitin 1950 themelohet në Paris «Kongresi për Lirinë Kulturore», me detyrën e kontrollit të politikës kulturore në Europën Perëndimore, me qëllim reduktimin e influencës të bllokut lindor në një zonë të tillë. Nga ky Kongres kanë lindur në Gjermaninë Perëndimore, Britani të Madhe dhe Itali rrjetet e intelektualëve dhe artistëve që e kanë ushtruar me shpejtësi influencën e tyre ndaj popullit.
Ritz pohon se «diskutimet dhe debatet e së majtës të asaj kohe janë analizuar në mënyrë të hollësishme». Janë avancuar disa tema që mund të ndryshonin nga komunizmi: kritika për racizmin, emancipimi i grave, lufta për të drejtat e pakicave, protestat kundër shkatërrimit mjedisor, liria seksuale. Shkruan publicisti gjerman: «Në vitet Tetëdhjetë e majta jokomuniste në Europë ishte bërë aq e fortë sa të krijonte një kulturë të re drejtuese. Njëkohësisht, kishte ndodhur një dobësim dhe, së fundi, rënia e lëvizjes punëtore. Sa më shumë kjo e humbiste rolin e saj tradicional, aq më shumë Bashkimi Sovjetik humbiste shanset e tij për ta influencuar kulturalisht Europën Perëndimore». Nëqoftëse pranohet se, të paktën pjesërisht, është e vërtetë se shfaqja e pasmodernizmit kulturor është e lidhur me kontrastin me komunizmit, atëhere mund të kuptohet sesi pasmodernizmi nuk ka një sharm universal dhe sesi jashtë kulturës perëndimore ai refuzohet. Kjo ndodh në vendet e ish bllokut lindor, por edhe në botën islamike, pavarësisht se në mënyrë të ndryshme nga influenca që Perëndimi ka pasur në fundin e shekullit të XIX dhe fillimet e shekullit të XX, kur disa arritje të modernizmit europian – si për shembull laiciteti dhe demokracia parlamentare – u mirëpritën edhe nga vende joeuropiane. Ritz thekson se se ishte shumë e vështirë të transferoheshin vlerat e pasmodernizmit në kultura të tjera, pasi, «duke qenë se pasmodernizmi ka lindur gjatë “Luftës së Ftohtë”, referimi univok ndaj vlerave të Revolucionit Francez është bërë themelore për sistemin e vlerave». Kështu, Perëndimi ka zhvilluar një kulturë që bazohet vetëm mbi një pjesë relativisht të vogël të traditës europiane, duke i braktisur të gjithë ato aspekte të Iluminizmit që në «Luftën e Ftohtë» kishin qenë rivendikuar nga socializmi.

Kultura europiane dhe Rusia në histori
Nga një pikëpamje historike, është duke filluar nga Pjetri i madh që Rusia është bërë pjesë e mjedisit kulturor europian. Kulmi i një zhvillimi të tillë është arritur në periudhën që shkon nga mbretërimi Katerinës së Madhe deri në fundin e shekullit të XIX dhe në fillimin e shekullit të XX. Në shekullin e XIX dukej se ekzistonte një unitet të kontinentit europian që përfshinte edhe Rusinë. Nuk mund të mohohet se artistë, shkrimtarë dhe eshkencëtarë rusë kanë pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e artit, letërsisë, muzikës dhe shkencës europiane në atë shekull. Nga ana tjetër, edhe influenca e kulturës europiane ndaj Rusisë ka qenë e konsiderueshme. Mund të thuhet se thuajse të gjithë korrentet shpirtërore, nga fundi i shekullit të XVII dhe në fillimin e të XX, kanë gjetur jehonë në Rusi, anipse këtu tingëllojnë ndryshe nga Europa Perëndimore. Kjo mund të konstatohet në rastin e marksizmit.
Akoma më i rëndësishëm është fakti uniteti i dukshëm i kontinentit europian në Rusi është manifestuar vetëm në nivel elite. Idetë që vinin nga Europa nuk i arritën kurrë fshatarët rusë, punëtorët dhe as borgjezinë e vogël. Një shembull i unitetit kulturor të kontinentit europian në fillimin e shekullit të XX është ajo që Thomas Mann përshkruan në veprën e tij Mali i magjepsur (1924), ku ngjarjet zhvillohen në mjedisin ndërkombëtar të një sanatoriumi zviceran. Kur flitet për një vend kurimi në Zvicër apo në jugun e Francës, mund të mendohet akoma sot, si në kohën e Mann, se uniteti i Europës nuk ka humbur kurrë. Vetëm se në këtë – sot si më shumë se 100 vite më parë – vetëm pak mund të jenë pjesëmarrës, të paktën për sa i përket popullsisë ruse. Revolucioni i Tetorit dhe lufta civile pasuese e eliminuan këtë shtrat të brishtë të elitave europiane që shërbente si urë midis botës perëndimore dhe asaj ruse, domethënë midis dy botësh shumë të ndryshme midis tyre. Por komunistët nuk dëshironin ta largonin Rusinë nga Europa: donin që vendi të merrte pjesë në zhvillimin europian, ama sipas ideologjisë marksiste. Do të kishin dëshiruar ta siguronin nëpërmjet forcës me të cilën Pjetri i Madh kishte dashur të siguronte me masën e rusëve që nuk qenë europianë, duke kërkuar që t’i bënte të tillë. Kanë marrë si shembull Gjermaninë dhe Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, rezultati i vetëm konkret se kanë siguruar ka qenë ai i shkatërrimit të Rusisë tradicionale.
Qysh në vitet Njëzet e shekullit të kaluar, rusët kanë kërkuar të bëjnë atë që në Europë quhet «dekonstruktimi» i kulturës, domethënë të zëvendësohej kultura tradicionale me një krejtësisht të re. Krerët e ngjitur në pushtet në një mjedis bujqësor të pasur me shumë potencialitete, por i prapambetur. Diferenca midis qyteteve dhe fshatrave në Rusinë e asaj kohet, si në shumë vende akoma sit, mund të krahasohet me atë që ekziston midis qyteteve tregëtare dhe zonave të brendshme të Kinës. Përpara Revolucionit qytetet e Rusisë, si nga pikëpamja kulturore, ashtu edhe ekonomike, qenë shprehje e shoqërisë moderne industriale, por nëpër fshatra, ku jetonte më shumë se 70% e popullsisë, shpesh mbizotëronin kushte arkaike. Akoma edhe më i rëndë ishte fakti që Rusia, në fillimin e viteve Njëzet, si pasojë e luftës civile, qyteti praktikisht ishte zhdukur: industria ishte shkatërruar, punëtorët qenë kthyer nëpër fshatra, borgjezia dhe fisnikëria, ashtu si edhe inteligjenca e vjetër, qenë eliminuar. Tashmë në një tokë fshatarësh, bolshevikët kishin detyrën e ndërtimit të socializmit, që sipas teorisë marksiste do të mund të zhvillohej vetëm në një shoqëri moderne industriale. Ata kanë mundur të sigurojnë modernizimin, për të cilin kishin nevojë për qëllimet e tyre, vetëm me forcë. Me kolektivizimin dhe industrializimin stalinist, bota e vjetër ruse e fshatit është shkatërruar bashkë me vlerat e saj.
Pas Revolucionit të Tetorit, Rusia i ka paraprirë në shumë mënyra asaj që do të ndodhte në Europë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore. Shkolonizimi ka lulëzuar, bashkë me afirmimin se ish kultura dominuese ruse ishte reaksionare dhe e prapambetur. Ksiha ishte largua nga hapësira publike. Megjithatë, në ndryshim nga vendet e Europës, në Bashkimin Sovjetik i ishte imponuar shoqërisë një ideologji qartazi e pëcaktuar. Vlerat tradicionale janë zëvendësuar nga vlera të reja, por që vetëm pak i kanë marrë seriozisht. Ideologjia komuniste ka arritur ta unifikojë shoqërinë vetëm për një kohë të shkurtër dhe në mënyrë sipërfaqësore, por edhe ky është shkatërruar në periudhën e perestrojkës dhe gjatë viteve Nëntëdhjetë. Pas këtij «dekonstruktimi» të dytë, shoqëria ruse është ndodhur shpirtërisht përpara humnerës. Kështu mund të shpjegohet paradoksi aktual: fakti që Rusia, më e afërt me Europën pasmoderne sa nuk ka qenë kurrë, sigurisht që është shumë më europiane se përpara revolucionit të 1917.
Dy «dekonstruktime» në një shekull kanë qenë të mjaftueshëm për ta çmontuar bindjen se mund të ekzistojë një ideologji e «vërtetë» në shoqërinë ruse. Të gjitha autoritetet janë zhdukur. Në vend të tyre kanë hyrë egoizmi dhe vetëmjerimi, deri në masë të madhe tl vetërealizimit. Shoqëria ka rrezikuar që të implodojë. Pasojat e menjëhershme e kësaj humbjeje totale vlerash kanë qenë kriza e rëndë ekonomike dhe shitja për pesë para e pronave shtetërore «aristokratëve të rinj miliarderë» të paktë, që janë vetëshpallur «elitë e re», duke u ndjerë si në shtëpinë e tyre më shumë në New York apo në Londër sesa në vendlindjen e tyre. Pas rënies së ideologjisë komuniste – që ka qenë një tentativë për ta zëvendësuar artificialisht në shoqërinë moderne mungesën e kuptimit – Rusia ka mbetur pa asnjë ide shtytëse. Karakteristika e pasmodernes, domethënë mungesa e një sistemi koherent vlerash dhe besimesh, është bërë realitet. Pasojat kanë qenë një etikë hedoniste e vetërealizimit e pakufizuar dhe ushtrimi i fesë në lirinë personale.

Nga orientimi properëndimor tek vlerat tradicionale
Qysh në vitet Nëntëdhjetë ka pasur tentativa për ta ndaluar këtë proces, por as Kisha ortodokse, as lëvizjet nacionaliste patriotike nuk kanë qenë të forta sa duhet. Ama kanë krijuar në vend një atmosferë që ka çuar më 2003 në zgjedhjen e Putinit, por edhe në fitoren e partisë «Rusia e Bashkuar», që është paraqitur si parti patriotike dhe tradicionale. Pasi që, falë saj, presidenti Putin ka siguruar një mbështetje të fortë edhe në parlament, është asistuar në një kthesë në politikë: nga orientimi properëndimor tek vlerat tradicionale. Kjo nuk ka qenë vetëm rezultati i tensioneve politike me Perëndimin, por sidomos vendim i vetëdijshëm për të krijuar një ideologji të re shtetërore, të bazuar më shumë mbi patriotizmin sesa mbi lirinë individuale, liberalizmin dhe individualizmin. Kjo ideologji e re jeton me patriotizëm dhe me «vlera tradicionale», të përfaqësuara edhe nga Kisha ortodokse. Por a ka arritur vërtet ta përshkojë shoqërinë ruse? Vetëm pjesërisht. Aktualisht, Kisha ortodokse gëzon një besueshmëri të madhe: sipas një sondazhi të vitit 2016 të Levada Center, 60% e qytetarëve të intevristuar ka pranuar se politika e shtetit është e influencuar nga Kisha dhe vetëm 31% ka deklaruar se jeton në një shtet laik.
Por kjo bindje mbetet vetëm teorike, kur flitet për vendime që njerëzit duhet të marrin për jetët e tyre. Sesa është e pakët influenca e Kishës ortodokse, kjo shikohet në çështjen e abortit. Kisha ortodokse përpiqet ta pengojë që aborti të paguhet me para publike, por këto tentativa janë refuzuar në mënyrë konstante nga parlamenti. Ministria e Shëndetësisë ka shpjeguar se sikur shteti të pushonte së rimbursuari shpenzimet e abortit, kjo do të çonte në diskriminime. Njëkohësisht, qeveria po kërkon – më kot – që ta rrisë koeficentin e lindshmërisë me subvencione ekonomike, me shtrirjen e asistencës ndaj fëmijërisë e kështu me radhë, por nuk dëshiron t’i kufizojë abortet: në vitin 2017 janë kryer 648000. Familja është ende shumë e dobët; numri i divorceve është tejet i lartë. Në vitin 2017, në 1 milion martesa janë prishur 600000. Korrupsioni galopant është edhe një shenjë e faktit që, pavarësisht retorikës, shumë qytetarë i konsiderojnë interesat e tyre shumë më të rëndësishme se ato të shtetit e të popullit. E njëjta gjë vlen për konsumizmin – automobila luksi, pushime të kushtueshme në vende ekzotike etj. – që është shprehje individualizmi më shumë sesa kolektivizmi e solidariteti me shumë qytetarë më pak të kamur.
Rusia i reziston influencës kulturore të Perëndimit pasmodern dhe ja refuzon vlerat jo sepse është aq e ndryshme prej tij; përkundrazi, për shumë aspekte ajo është shumë më e ngjashme me Perëndimin modern nga sa do të donin të ishin elitat politike e fetare ruse. Por, siç e kemi thënë, Rusia ka përjetuar procesin nga paramodernia tek shpërbërja e pasmodernes dhe tek individualizimi i shoqërisë në mynrë të ndryshme nga Perëndimi. Ajo nuk e ka mirëpritur krejtësisht modernen dhe disa shtresa të asaj që ishte akoma një shoqëri arkaike janë detyruar të pranojnë atë që sot quhet «pasmoderne», fillimisht me dhunë nga bolshevikët dhe më pas, në periudhën e perestrojkës, nga të fuqishëm që donin ta riplazmonin vendin sipas modelit perëndimor.
Glaznosti nuk ka qenë gjë tjetër veç pasmodernizmi socialist, dekonstruktimi i socializmit realisht ekzistues. Individualizmi dhe humbja e identitetit janë verifikuar në Rusi në mënyrë më dramatike sesa në Perëndim, pasi procesi ka qenë i dhunshëm dhe jonatyral, dhe pse shoqëria, që tashmë i kishte humbur vlerat dhe strukturat e saj gjatë eksperimentit socialist të shekullit të XX, ka qenë e detyruar. Në fund të shekullit të kaluar Rusia është ndodhur përballë humnerës dhe vetëm instinkti i vetëruajtjes e ka penguar që të hedhë hapin e fundit. Atëhere është kërkuar tqë të bllokohet procesi dhe të rivendosen vlera e struktura të lashta, si familja, feja dhe solidariteti social. Ja pse Rusia është alergjike ndaj çfarëdolloj tentative për të promovuar vlerat pasmoderne. Shikohet në kontrastin që ndeshet lidhur me homoseksualitetin midis të drejtës së Kishës për të përcaktuar, të paktën në aspektin e saj, sesi duhet sjellë (rasti i «Pussy Riot») dhe sovranitetit të shtetit kundër tentativave për ta vendosur problemin nën influencën e strukturave mbishtetërore. Kujtimi i Bashkimit Sovjetik, që e ka katandisur Rusinë në një «territor» të barabartë me republikat e tjera sovjetike, është ende tejet i gjallë. Federata Ruse ka qenë e vetmja nga republikat e Bashkimit Sovjetik që nuk ka pasur një parti komuniste të sajën, gjë që në atë kohë nënkuptonte të mos kishte as një qeveri të veten. Reagimi aktual është një tentativë për ta gjetur identitetin dhe për ta mbrojtur atë.
«Shpërbërja e identiteteve kolektive, siç kërkon të bëjë pasmodernia, është refuzuar nga Rusia, e cila ka kultivuar të paktën disa prej identiteteve të tilla: për shembull, me paradën që zhvillohet çdo vit më 9 maj në Sheshin e Kuq. Edhe identiteti kolektiv i përkatësisë në Kishë mban sot në vend një rol të rëndësishëm dhe mbështetet publikisht. Më shumë se mbi të drejtat individuale, sot politike kulturore ruse bazohet mbi ato të familjes, duke u sforcuar kështu që tejkalojë edhe problemet demografike të vendit. Së fundi, Rusia kërkon t’i qëndrojë besnike pasurisë së saj kulturore të shekullit të XIX. Arti, letërsia dhe filozofia kanë në jetën publike një rol shumë të rëndësishëm në Rusi sesa në shtetet e Bashkimit Europian apo Shtetet e Bashkuara. Faktikisht, në universitetet ruse kurse lidhur me tema pasmoderne – si për shembull lidhur me studimet gjinore – janë pothuajse inekzistentë». E gjitha kjo është rezultati i një politike shtetërore e mbështetura nga pjesa më e madhe e popullsisë, që kërkon të tejkalojë pasojat e dy «dekonstruktimeve» të shekullit të XX. Është një politikë e bindur, por do t’ia dalë në qëllimin e saj? Kjo është një pikëpyetje që mbetet e hapur. Për sa u përket lidhjeve të Rusisë me vendet e Europës Lindore, është e mundur të pranohet një afërsi shpirtërore e caktuar midis tyre, që bazohet mbi faktin se si njëra, ashtu edhe të tjerët duhet të përpunojnë trashëgiminë e «dekonstruktimit» komunist, që ka kërkuar të shkatërrojë shoqëritë e tyre tradicionale.

Konkluzione
Perspektiva që kemi ravijëzuar lidhur me zhvillimin e Rusisë natyrisht që mund të vihet në diskutim: a nuk është ndoshta artificiale dhe e ekzagjeruar të kërkohet të shpjegohet ajo që po ndodh në Rusi me koncepte – «pasmodern» apo «dekonstruktim» – që vijnë nga Perëndimi dhe që mund t’i aplikohen Perëndimit? Ky objeksion është i mundur. Njëkohësisht nuk mund të mohohet se i gjithë procesi evolutiv i Rusisë, duke filluar nga koha e Pjetrit të Madh, është karakterizuar nga fakti që ka ndryshuar ide perëndimore. Një proces i tillë ka qenë jo i vazhdueshëm, i brishtë dhe i futur nga lart prej elitave që janë frymëzuar nga ide perëndimore, përfshi bolshevikët dhe Mikhail Gorbaçiovin. Këto tentativa modernizimi, ashtu si strukturat dhe idetë tek të cilat në fakt është detyruar shoqëria tradicionale ruse, kanë çuar në pasojat që kemi përshkruar. Duke mos e integruar pasurinë e ideve të Perëndimit, Rusia ka jetuar në mënyrë të sforcuar nën influencën e saj. Politika e sotme ruse është një reagim ndaj gjithë kësaj dhe pasqyron edhe dobësimin e shoqërisë ruse gjatë historisë. «Modernizimi i Rusisë nuk ka ndodhur si një proces që ka prekur të gjithë shoqërinë, si në perëndim, por në një alternim periudhash të zgjatura stabiliteti dhe shtytjesh të shkurtëra ndaj modernizimit, që nuk janë paraqitur si zhvillime natyrale, evolutive, por si shkëptuje radikale dhe revolucionare». Dhe nëse sot elita ruse në qeveri, për të ruajtur pushtetin, nënvizon diferencat me Perëndimin, ky rivendikim i «rrugëtimit special» të Rusisë, si një lloj reagimi të kundërt, tregon vetëm sa fuqimisht vendi ka pësuar dhe vazhdon të pësojë influencën kulturore të Perëndimit.
Komunizmi ka marrë dhe ka transformuar shumë koncepte që ekzistonin në Rusi qysh përpara Revolucionit të Tetorit – ato të një perandorie të fuqishme, të kolektivitetit, të nacionalizmit – dhe i ka ripropozuar duke përdorur ide të reja, moderne, të ndryshuara nga jashtë. Tani Rusia kërkon që të mbesë e lidhur pas traditës së saj dhe nga trashëgimia sovjetike ruan vetëm atë që korrespondon me traditën e lashtë ruse. Për këtë arsësye shteti aktual rus ruan ende shumë tipare të rendit totalitar. Predominimi i politikës mbi ekonominë, ai i shtetit mbi shoqërinë dhe ai i vullnetit politik mbi interesat ekonomike mund të çojnë më shumë tek një trashëgimi e tillë sesa tek influenca perëndimore. Ama kjo preferohet të fshihet. Njëkohësisht, nuk mund të mohohet se Rusia ka shumë të përbashkëta me Perëndimin: krizën e familjes, atë demografike, atë të vlerave dhe të fesë. Tentativa e elitës ruse, në ndryshim nga ato më liberale të Perëndimit, për t’i tejkaluar probleme të tilla me forcimin e «vlerave tradicionale» të familjes, të fesë dhe të patriotizmit ka bërë që vendi të paraqitej si një lloj kundërbalance ndaj sistemit modern të vlerave të Perëndimit. Dhe kjo duhet të mbahet mirë parasysh, në rast se vërtet dëshirohet të kuptohen kontradiktat brenda vetë Rusisë dhe në raportet e saj me Perëndimin.
(Vladimir Pachkov për La Civilta Cattolica)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Artikulli paraprakDetyra e kujtesës, kujtesa si detyrë!
Artikulli tjetërShqipëria fiton një ideal të ri që thërret për ndryshim