Perëndimi shpreson ta detyrojë Rusinë të negociojë, por nuk mjafton lodhja e Putinit

Nga Nona Mikhelidze

Kanë kaluar 2 vite e gjysmë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkallë të plotë nga ana e Rusisë, dhe strategjia e SHBA-së për t’i dhënë fund kësaj lufte mbetet e qëndrueshme. Amerikanët i ofrojnë Ukrainës mbështetje të mjaftueshme ushtarake dhe financiare për t’i rezistuar agresionit rus dhe për të stabilizuar frontin, por jo aq mjaftueshëm sa për të çliruar territoret e pushtuara.

Njëkohësisht, amerikanët u përpoqën që t’i impononin Rusisë kosto të mëdha, të cilat do ta pengonin presidentin rus, Vladimir Putin, të përparojë përtej territoreve që ka pushtuar deri më sot, në mënyrë që ta detyrojnë t’i japë fund konfliktit. Pra Uashingtoni ka synuar në thelb ruajtjen e një ekuilibri delikat: mbështetjen e Ukrainës dhe ndëshkimin e Rusisë, por duke shmangur një përshkallëzim e një lufte që mund të dalë jashtë kontrollit.

Edhe pse kjo strategji mund të duket e arsyeshme, ajo bazohet mbi një supozim të gabuar: tek aftësia për të ndikuar mbi procesin e vendimmarrjes së Putinit. Për pasojë, lufta pushtuese e Rusisë u shndërrua në një luftë të zgjatur rrënuese. Edhe pse perëndimorët kanë shpresuar gjithmonë se një ditë rusët do të ulen në tryezën e bisedimeve, konflikti është zvarritur deri këtë vit pa asnjë shenjë se do të përfundojë vitin e ardhshëm.

Në realitet, duket se do të ndodhë krejt e kundërta: të mbështetura nga një industri e mbrojtjes gjithnjë e më aktive, forcat ruse kanë mbajtur një ritëm konstant në operacionet e tyre, edhe pa arritur përparime vendimtare në fushën e betejës. Koreja e Veriut dërgoi së fundmi mijëra trupa për ta ndihmuar Kremlinin, ndërsa Uashingtoni u detyrua të vendosë sanksionet e para ndaj kompanive kineze që e furnizojnë me armë Rusisë për luftën ndaj Ukrainës.

Ndërsa ushtria ruse e vazhdon ofensivën e saj, mbetet e paprekur aftësia e Ukrainës për të rezistuar. Edhe pse jetike, mbështetja ushtarake perëndimore është shpesh e vonuar dhe e kufizuar. Por pavarësisht nga kjo, Ukraina ka treguar një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme në fushën e betejës sa herë që i jepen burimet e duhura.

Një shembull i kësaj ishte ofensiva e fundit në rajonin rus Kursk. Por edhe pa atë operacion, Ukraina ka treguar vazhdimisht dhe në shumë raste aftësinë e saj për t’i rezistuar pushtimit brutal të Rusisë. Në fillim ushtria ukrainase u konsiderua inferiore në armë dhe mjete, por ajo reagoi me inteligjencë dhe ashpërsi.

Në dallim nga frika e përçarjes, ukrainasit u bënë bashkë në mbrojtje të atdheut të tyre. Po ashtu, Ukraina ka rifituar gjithashtu kontrollin e Detit të Zi, që lejon eksportin e grurit pa pasur nevojën e një marrëveshje me Rusinë. Duke sfiduar parashikimet e zymta, Ukraina arriti të zmbrapsë ofensivën ruse në pranveror ndaj Kharkiv, kur shumë media shkruan: ”Kievi do kapitullojë!”.

Ndërkaq, ushtria ruse ka pasur më shumë se 600.000 ushtarë të vrarë dhe të plagosur që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, dhe shtatori i kërij viti ishte muaji më i përgjakshëm për forcat ruse. Përveç disa sukseseve të kufizuara ushtarake në terren, Kremlini është përballur me disa probleme për të mbajtur në këmbë ekonominë ruse në mesin e sanksioneve perëndimore.

Analistët vënë në dukje se përveç humbjeve ushtarake dhe eksodit të burrave që i shmangen rekrutimit në ushtri, Rusia po përballet edhe me një “krizë demografike”. Ekonomia është dobësuar më tej nga rënia e të ardhurave nga nafta dhe gazi – prodhimi i Gazprom ka rënë në nivelin më të ulët në historinë e tij – dhe mungesat e vazhdueshme të pjesëve rezervë dhe mjeteve të prodhimit perëndimor.

Rusia e harxhon rreth 40 për qind të buxhetit të saj për ushtrinë dhe organet e sigurisë, gjë që tregon se Putin po e merr seriozisht mundësinë e humbjes. Gjithsesi, ai ka shmangur shpalljen e mobilizimit të përgjithshëm, duke u mbështetur kryesisht tek ushtarët me kontratë, një vendim që vështirë se pasqyron një luftë ekzistenciale për Rusinë.

Në fakt, ndërsa Putin e cilëson luftën si jetike për mbijetesën e Rusisë, e rrezikuar është në fakt e ardhmja e saj politike. Një tërheqje nga Ukraina, nuk do të kërcënonte ekzistencën e shtetit rus, por mund të dëmtonte rëndë fuqinë e tij. Siç e tregoi rebelimi i Evgeni Prigozhin vitin e kaluar, pengesat ushtarake në Ukrainë mund të nxisin trazira të brendshme, duke e bërë luftën ekzistenciale për regjimin e Putinit.

Për Putinin, parandalimi i ndërtimit në Ukrainë të një demokracie të stilit perëndimor e të integruar në strukturat euroatlantike, është një qëllim madhor. Tani për tani, presidenti rus beson se Rusia po fiton. Por ambiciet e Kremlinit shkojnë përtej përmbysjes së qeverisë së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Qëllimi i tij është të zhdukë plotësisht pavarësinë e Ukrainës, ose të paktën të aneksojë pjesë të mëdha të vendit, duke kontrolluar atë që ka mbetur nga një shtet sovran. Në këto kushte, përpjekjet për ta qetësuar apo detyruar Putinin të braktisë këtë qëllim janë të kota. E tillë është edhe shpresa për ndonjë përçarje të madhe brenda Rusisë.

Një skenar i tillë, nuk ka gjasa të ndodhë për sa kohë që Rusia mbetet financiarisht e qëndrueshme (për shkak të zbatimit jo të qëndrueshëm të sanksioneve perëndimore), ruan një avantazh ushtarak ndaj Ukrainës dhe ushtron kontroll të rreptë brenda vendit.

Pra, Putini nuk do të tërhiqet nga Ukraina, ai nuk do të pakësojë qëllimet e tij, dhe as nuk do të dorëzohet. Ai do të vazhdojë të refuzojë të ulet ne bisedime me Zelensky-n për çdo iniciativë paqeje, duke hedhur poshtë të gjitha propozimet aktuale, nga plani i Donald Trump deri tek ai i Kinës.

Prandaj, Perëndimi duhet ta pranojë se politika e tij aktuale ndaj Ukrainës, e bazuar më moton “për aq kohë sa duhet” dhe “menaxhimit të përshkallëzimit”, nuk ka gjasa që të çojë tek negociatat. Prandaj ka përpara vetëm 2 skenarë të mundshëm.

Së pari të braktisë qasjen e tij të kujdesshme ndaj “menaxhimit të përshkallëzimit”, duke i ofruar Ukrainës burimet ushtarake dhe financiare që i nevojiten për të çliruar territoret e pushtuara dhe ndalur përparimin e Rusisë. Kjo do të sillte një angazhim të plotë ndaj “planit të fitores” të presidentit Zelensky, do të nënkuptonte transferimin e aseteve të ngrira ruse tek Ukraina dhe zbatimin e rreptë të sanksioneve kundër Rusisë.

Skenari i dytë është ruajtja e statuskuosë, e cila do të çonte në një konflikt të zgjatur dhe të përgjakshëm. Kjo rrugë, do të shkaktonte kosto të mëdha njerëzore për Ukrainën dhe një barrë të konsiderueshme ekonomike për Perëndimin, i cili do të detyrohej të vazhdonte mbështetjen e Ukrainës, të zmbrapsë përparimin e rusëve dhe të shpresojë t’i rezistojë sa më shumë Putinit. Por shpresa nuk është një strategji, dhe Perëndimi ka nevojë për një strategji, sepse në këtë luftë nuk ka ndonjë alternativë të tretë. /Përshtatur nga “Il Foglio”

Artikulli paraprakSilvio Gonzato i tregon vendin Fatmir Xhafajt: Harroje se mund të zhbësh reformën në drejtësi!
Artikulli tjetërNgjarja e rëndë në Shkodër, reagon Elezi i PD-Demokratët Euroatlantikë: Besimi i qytetarëve te policia ka rënë, për shkak të lidhjeve të politikës me krimin