Përfaqësues të OSBE-së në Bashkinë Kamëz për rehabilitimin e lumit Ishëm

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti në një takim përfaqësues të OSBE-së në Shqipëri, këshilltarin e lartë për qeverisjen në Departamentin e Mirëqeverisjes në Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore, Paolo Fraccaro si dhe Silvana Malaj, përfaqësuese zyrtare për çështjet vendore në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Në këtë takim, kryebashkiaku Mziu përcolli mesazhin e rëndësisë së këtij takimi, i cili kishte të bënte me mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e lumit të Ishmit.
“Prania e përfaqësuesve të OSBE-së në këtë kohë paraqet për institucionin tonë një vlerësim për çështjen për të cilën ne jemi mbledhur së bashku për të diskutuar”, u shpreh ai, duke dhënë më pas një panoramë të përgjithshme se si është trajtuar qyteti në lidhje me mjedisin. Kreu i Bashkisë vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me OSBE-së që nga viti 2007, duke ruajtur raportet e bashkëpunimit serioz në të gjitha fushat në të cilat institucioni ka qenë përfitues i projekteve të ndryshme si dhe përvojën e fituar në aplikimin për projekte të ndryshme me interes publik që janë kryer në Bashkinë Kamëz përgjatë kësaj periudhe.
Në fillim të takimit, Mziu theksoi gjithashtu rëndësinë që merr në këtë kohë si dhe në perspektivë trajtimi i mbetjeve urbane. “Për këtë qëllim, Bashkia operon me një strukturë funksionale, që është Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit, me stafin dhe pajisjet e ndryshme, makineri dhe mjete mbështetëse. Kjo strukturë kryen të gjitha shërbimet që janë funksionale për një shërbim cilësor për jetën e qytetarëve që jetojnë në territorin e Bashkisë Kamëz”, theksoi Mziu, duke shtuar se, për sa i përket trajtimit të mbetjeve urbane, Bashkia ka qenë e hapur për bashkëpunim, si brenda dhe jashtë vendit, për ngritjen e një landfildi që do të shërbente për përpunimin e mbetjeve urbane. “Duke e konsideruar këtë hap mjaft të rëndësishëm kemi arritur që nëpërmjet Drejtorisë së Koordinim-Zhvillimit të aplikojmë në projekte mjaft konkurruese për të përfituar fonde nga institucione prestigjioze të BE-së në përfitimin e projekteve, siç është IPA Adriatik, në përfitimin e mjeteve të pastrimit të standardeve evropiane si dhe të konteinerëve që shërbejnë për grumbullimin e mbetjeve organike dhe inorganike”, theksoi kryebashkiaku Mziu.
Ndërkaq, kreu i Bashkisë bëri me dije se reforma territoriale solli përpara institucionit që drejton sfida të reja, përballjen me situata të vështira, pasi Njësia Administrative e Paskuqanit, përpara reformës, e kishte dhënë me sipërmarrje shërbimin e pastrimit dhe trajtimit të mbetjeve deri në periudhën janar 2016. Duke qenë përpara realiteteve transfomuese, Bashkia Kamëz njësoi shërbimin duke ia kaluar funksionin dhe përgjegjësinë e këtij shërbimi Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit.
Duke folur për lumenjtë që kalojnë nëpër territorin e Kamzës, Mziu tha se, ky territor laget nga tre lumenj: lumi i Tiranës, lumi i Tërkuzës dhe lumi i Lanës. “Deri në këto momente nuk kemi realisht asnjë investim për të bërë të mundur uljen e ndotjes së tyre nga ana e autoriteteve përgjegjëse për të minimizuar sadopak ndotjen e këtyre lumenjve, gjë që ka sjellë vështirësi të jashtëzakonshme, duke përjashtuar vetëm një pjesë të lumit Tirana, e cila e mori vëmendjen në kohën e përmbytjeve të banesave që ishin vendosur në të dyja anët e këtij segmenti”, bëri me dije Mziu.

Exit mobile version