Përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar mbërrijnë sot në Shqipëri. Diskutimet pritet të përqendrohen në zhvillimet ekonomike në vend, por edhe në ndërhyrjet që mund të realizohen në paketën fiskale për vitin 2017.Misioni i FMN-së pritet të takohet me drejtuesit më të lartë të institucioneve financiare në vend të të cilëve siç është bërë me dije do t’i shprehin rezervat në lidhje heqjen e disa taksave. Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar pritet të mbërrijë në Tiranë ditën e mërkurë. Mësohet se në vëmendje të përfaqësuesve të Fondit do të jenë zhvillimet ekonomiko-financiare, por edhe hartimi i paketës fiskale për vitin 2017. Përfaqësuesi i FMN në Shqipëri, Jens Reinke, në një intervistë për mediat shqiptare ka bërë me dije se ky mision pritet t’i kërkojë qeverisë heqjen e çdo përjashtimi taksash të bërë deri tani për sektorë të caktuar, siç është rasti i heqjes së taksave për biznesin e vogël apo edhe tarifat zero për shumë produkte. Përfaqësuesit e një prej institucioneve më të rëndësishme financiare në botë do të qëndrojë në Shqipëri, për rreth 2 jave. Ndër të tjera diskutimet me drejtuesit shqiptarë do të fokusohen edhe në pritshmerinë ekonomike për të ardhmen, nevoja për ndryshime në politikat si dhe parashikimet afatmesme për ekonominë. Misioni i FMN-së do të zhvillojë takime me Ministrin e ri të Financave, Arben Ahmetaj, me Guvernatorin Gent Sejko. Kjo vizitë e FMN-së në Tiranë vjen pas miratimit të dy kësteve të kredisë për Shqipërinë me vlerë totale 72.4 milionë euro. Programi parashikon një mbështetje financiare prej rreth 330.9 milion euro në kohën e nënshkrimit dy vjet më parë, lëvrimi i së cilës është i ndarë në 9 këste. Shqipëria pritet të ketë rritjen më të ulët në rajon të ekonomisë për këtë vit, prej 2.7%, ndërsa do të vazhdojnë të kryesojnë Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, me 3.2% secila. Pasi ka zyrtarizuar rishikimin në ulje të rritjes ekonomike në 2015-ën në 2.7%, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin e tetorit të “Perspektivës ekonomike Globale” është treguar mjaft konservativ dhe për rritjen e Shqipërisë në afatin e mesëm. Sipas tabelave të publikuara vetëm një ditë më parë nga FMN, për vitin 2015, rritja është ulur nga 3% në 2.7%, një rishikim që është deklaruar tashmë prej muajsh dhe nga zyra e FMN-së në Tiranë. Por, raporti i djeshëm zbulon edhe pritshmëritë më pak optimiste për 2016 deri në afatin e gjatë (2020).