Interi kërkon përforcime për mesfushën dhe drejtuesit kanë bërë një listë të gjatë me alternativa, të cilat mund të ndihmojnë zikaltërit për të bërë hapin cilësor të radhës. Emri i parë, sipas mediave italiane, është Zhoao Mutinjo. Portugezi është shumë pranë largimit nga Monako, ku merr një rrogë prej 4 milionë eurosh në vit, por ku nuk luan rregullisht, aq sa në këtë sezon ka luajtur vetëm 9 ndeshje si titullar.
Meqë klubi po mendon ta largojë, edhe Interit i pëlqen shumë si alternativë. 30-vjeçari ka një kontratë që mbaron në qershorin e vitit 2018 dhe tërheq shumë zikaltërit, të cilët synojnë ta huazojnë në janar para se ta blejnë përfundimisht gjatë verës.
Ndërkohë, po monitorohen lojtarë të tjerë. Mendohet se Interi i ka kërkuar PSG-së polakun Gregorz Kriçoviak, por ka marrë përgjigje negative, por palët do të rifillojnë bisedimet në verë. Luiz Gustavo është një tjetër emër që tërheq, por për momentin Volfsburgu nuk është i interesuar për para, por për të mbijetuar, meqë gjendet pranë zonës së ftohtë të klasifikimit.
Emri tjetër, është ai i Lasana Diarra. Ish-futbollisti i Real Madrid mund të largohet nga Olimpik Marseja, por kartoni i tij kushton 10 milionë euro, po aq sa i detyrohet Lokomotivit të Moskës, pasi klubi francez nënshkroi me lojtarin para se ai të kishte ndërprerë kontratën me rusët.
Mauro Ikardi është lojtari simbol i Interit. Sulmuesi argjentinas është njëri prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës dhe më të vlefshëm të Europës.
Portalet argjentinase e kanë vlerësuar së tepërmi 23-vjeçarin, duke nxjerrë në pah një statistikë interesante. Ai është sulmuesi më i vlefshëm i pesë kampionateve më të rëndësishme në Europë, pasi ka “gisht” në 19 gola të Interit. Ai është autor i 14 golave dhe 5 asisteve. Në këtë aspekt, Mesi është larg, pasi ka shënuar 12 gola dhe ka dhënë 3 asiste, ndërsa Ronaldo ka shënuar 10 rrjeta dhe i ka ndihmuar shokët ekipit që të gjenin golin vetëm dy herë.
Maurito këtë sezon po ecën me hapa gjigantë, pasi në 18 ndeshje ka shënuar plot 14 gola. Nëse do të vazhdojë kështu, atëherë 23-vjeçari do ta mbyllë kampionatin në kuotën e 30 golave. Edhe pse në ndeshjen me Lacion, ai tregoi se kishte një ambicie të tillë.