Tjetër paraqitje mbreslënëse për Rei Manajn në radhës e Sivasporit në Turqi. Sulmuesi shqiptar asistoi shokun e tij skuadrës, Mening, në transfertë me Trabzonsporin, në javën e 32-të të Superligës së Turqisë, ku skuadra e futbollistit lushnjar triumfoi me rezultatin 0-1.
Po luhej minuta e 53-të e takimit, kur sulmuesi i Kombëtares Shqiptare shërbeu me zgjuarsi dhe shumë klas për partnerin e sulmit, i cili nuk gaboi, duke e dërguar topin në rrjetë. Ky gol rezultoi vendimtar, pasi rezultati nuk ndryshoi më në minutat e mbetura. Ndeshja u luajt pa tifozë pasi skuadra vendase ishte dënuar për shkak të ngjarjeve në ndeshjen me Fenebahcen. Me këtë rezultat, Sivaspori katapultohet në vendin e shtatë me 44 pikë.
Për sa i përket notës dhe statistikave, Manaj u vlerësua nga “Sofa Score” me 8, duke rezultuar një nga lojtarët më të spikatur në fushë. Përveç asistit, sulmuesi shqiptar regjistroi edhe 2 shanse të mëdha shënimi, teksa fitoi 11 nga 17 duele si dhe arriti të kompletonte 17 nga 23 pasime të sakta.