Përfshirja e rrezikshme e partive tona në debatin e brendshëm në SHBA

Nga Fitim Zekthi

Është e pranueshme madje plotësisht e drejtë që një parti politike të ketë simpati apo marrëdhënie politike më të ngushta me parti të ndryshme të vendeve të Europës apo të SHBA-së. Gjithmonë në këto 34 vite pluralizëm dy partitë e mëdha (edhe të voglat por kjo nuk është vënë re) në Shqipëri kanë patur marrëdhënie më të afërta me partitë që janë më afër ideologjive të tyre (për aq sa mund të thuhet se kanë ideologji partitë tona). Partia Socialiste është më afër partive të majta apo socialiste ndërsa Partia Demokratike është afër partive liberale, konservatore apo atyre popullore.

Në lidhje me marrëdhëniet me partitë në SHBA dallimi ka qenë shumë i vogël ose nuk ka patur fare dallim. PD-ja ka shkuar edhe tek takimet e demokratëve në SHBA edhe tek ato të republikanëve siç ka bërë edhe PS-ja ndonëse në eter sikur vihej re një afrim i vogël i PD me republikanët dhe i PS me demokratët.

Kurrë ndonjëherë nuk ka thënë ndonjë parti në Shqipëri që laburistët janë të këqinj apo që Kristian-demokratët janë të këqinj. Kurrë nuk ka thënë ndonjëherë ndonjë parti në Shqipëri që PASOK apo Siriza janë të këqinj dhe Demokracia e re e mirë apo anasjelltas.

I pari ishte kryeministri Rama i cili me një sjellje të padëgjuar më parë sulmoi kandidatin republikan për president në vitin 2016, Donald Trump, si shumë të keq, shkatërrimtar, fatkeqësi etj. Më pas kryeministri Rama u kujdes të krijojë marrëdhënie të ngushta me presidentin Trump dhe u duk sikur e kaloi budallallëkun e sulmit ndaj tij.

Gjatë tre katër viteve të fundit Partia Demokratike, Sali Berisha, zyrtarë të lartë të PD kanë sulmuar sekretarin e shtetit si të ndikuar nga “armiku” Xhorxh Soros, kanë sulmuar partinë demokrate të SHBA-së si një parti që ka shtyrë përpara programe politike shaktërrimtare. Kohët e fundit madje kandidatja Kamala Harris u qujat një kandidate Soros dhe presidenti Biden u quajt një njeri që instaloi një regjim.

Veç kësaj Partia Demokratike, Sali Berisha dhe zyrtarë të tjerë të kësaj partie po thonë përditë se presidenti Trump po shkatërron ‘Deep state’-in, po zhduk sorosizmin, po zhduk regjmin e liberalëve, po shpëton Amerikën dhe botën. Ata thonë se kjo që ndodhi ishte një mrekulli sepse Amerika po shkatërrohej dhe se tashmë jo vetëm Amerika por edhe Shqipëria do të çlirohej. Njerëz të PD-së, zyrtarë të saj përditë komentojnë si të drejta dhe shumë shpresëdhënëse çdo vendim të qeverisë amerikane, të presidentit, të Elon Musk apo sekretarëve të ndryshëm.

Ka shumë mundësi që SHBA të ketë shkuar shumë larg dhe të ketë shkuar shumë keq me qeverisjen e demokratëve. Ka shumë mundësi që SHBA të ketë shkuar shumë larg dhe shumë keq me imponimin e marksizmit kulturor, me imponimin e e disa “të drejtave abstrakte” që janë krijesa artificiale të ideologjisë neomarksiste, ka shumë mundësi që SHBA të ketë rënë polotësisht nën ndikimin e ideve ultraliberale të cilat morën në kontroll institucione dhe krijuan një “deep state”. Ky është një debat që e bëjnë gazetarët, politologët, filozofët, e bëjnë politikanët në SHBA por ky nuk është dhe nuk mund të jetë një debat që e bën një parti në një vend shumë të vogël duke hyrë në mes të dy partive gjigande në SHBA. Parti si PD-ja apo si PS-ja nuk mundet dhe nuk duhet kurrë të mbajnë qëndrime nëse bën apo Biden apo Trump, nëse e rrënon apo e prish Amerikën Biden apo Trump, nëse favorizon shkatërrimin e familjes apo regullimin e saj Biden apo Trump, Obama apo Bush, Klinton apo Doll. Këto janë marrëzira dhe janë shumë të rrezikshme për Shqipërinë.

Për Shqipërinë dhe për partitë politike shqiptare ekzston dhe duhet të ekzistojë vetëm SHBA dhe qeveria amerikane. Partitë amerikane duhen parë vetëm se si ato mund të ndihmojnë vendin tonë dhe nuk mund të mbahen qëndrime për to. Ky është mjerim i plotë, ky vjen vetëm nga nevoja të vogla, meskine personale.

Nëse do të duhet të flasim për disa vlera, nëse do të duhet të mbrojmë disa vlera kjo nuk bëhet nëpërmjet qëndrimit të partive apo të qëndrimit të politikanëve. Politikanët kanë vetëm një detyrë. Detyra e tyre është të bëjnë çdo gjë, edhe duke sakrifikuar veten në dobi të popullit të tyre. Nuk ka asnjë të mirë populli i tyre, domethënë populli jonë nga budallakëku i futjes në një debat politik apo ideologjik mes vetë amerikanëve dhe partive atje. Futja në këtë debat dëmton vendin tonë.

Nëqoftëse si qenie njerëzore, nëqoftëse si politologë apo gazetarë, si mjekë apo si sociologë, si psikologë apo si inxhinierë duhet të flasim dhe mbajmë një qëndrim për ato gjëra atëherë nuk duhet të rrimë në parti. Duhet të dalim nga partia, duket të zhvishemi nga të qenit politikanë.

Dhe në qoftë se mbajmë qëndrime si njerëz që nuk jemi në parti por si qytetarë apo intelektualë atëherë është turp e faqja e zezë të lavdërosh një politikë të pastrimit etnik të Gazës aq më tepër kur ne jemi një popull që kemi vuajtur vetë nga spastrimi etnik, jemi therur dhe djegur nga serbët dhe grekët. Nëse do të mbajmë qëndrime si qytetarë dhe intelektualë atëherë nuk mund të mbrohet kurrë dhe të shihet me simpati një politikë që kërkon arrestimin e miliona emigrantëve edhe kur çojnë fëmijet në shkollë, edhe kur janë në xhami apo në kishë, edhe kur janë në qendra sociale. Nëse do të mbajmë qëndrime si qytetarë atëherë nuk mund të ngazëllehemi ide të të marrjes së territoreve, apo nga nxjerrja antikushtetuese (siç thanë gjykatat) e dy milionë punonjësve në lirim me kusht, apo nga bllokimi i ndihmës në ushqime, ilaçe etj, që bënte USAID. Në qoftë se do të duhet të jemi kundër axhendës ultraliberale apo të marksizmit kulturor që shkatërron idenë tonë mbi njeriun dhe familjen, mbi seksin dhe gjininë, atëherë këtë nuk mund ta bëjmë thjesht sot por duhet ta kishim bërë gjithmonë. Dikur jemi sjellur (sillemi edhe sot kjo dihet) si liberal të thekur madje PD-ja ka bërë një gjë shumë vulgare duke miratuar një ligj për diskriminimin që ishte zemra dhe thelbi i axhendës liberale ose axhendës që në fokus kishte dhe ka promovimin e homoseksualiteteit.

Artikulli paraprakAzgan Haklaj: Pak rreshta për një “disident” të rrejshëm
Artikulli tjetërMesazhi i ambasadorit të BE në Prishtinë: Qytetarët e Kosovës duhet të votojnë dhe të shprehin lirshëm zgjedhjen e tyre