Skema e ish-kapobandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i cili u lirua nga burgu pas kërkesës drejtuar Gjykatës se, vuante nga një sëmundje e rëndë, po përdoret edhe nga Emiliano Shullazi për të lënë qelinë. Në këtë mënyrë, me porosi të Ramës po përgatitet edhe lirimi i Shullazit me katër anëtarët e bandës së tij, të cilët ndodhen në qeli për gjobëvënie. Për t’ia arritur këtij qëllimi po ndiqet e njëjta stretegji si me Lul Berishën, i cili u lirua nga burgu gjoja sikur ishte i sëmurë.
Duket se heqja e burgut të përjetshëm kapobandës Aldo Bare i ka dhënë zemër Shullazit, që të shtiret si i sëmurë për të dalë nga burgu. Shullazi ka përfunduar sërish në spital ditën e djeshme, pak orë para se të niste seanca gjyqësore ndaj tij. Shullazi duhej që të përballej në sallën e gjyqit me Ylvi Beqajn, biznesmenin e penduar të Prokurorisë, por sërish kjo seancë nuk u zhvillua. Janë 14 seanca gjyqësore që nuk janë zhvilluar për shkak të mungesës së Shullazit, i cili pretendon se është i sëmurë, duke u shtruar edhe në një spital privat.
Për bllokimin e qëllimshëm të seancave gjyqësore nga Shullazi dhe katër bashkëpunëtorët e tij, ka reaguar Prokuroria për Krime të Rënda. Prokuroria i kërkoi Gjykatës të marrë masa dhe të gjejë rrugë që të zhbllokojë procesin gjyqësor të sigurimit të provës së Ylvi Beqajt për gjobat që i janë vënë nga Shullazi dhe bashkëpunëtorët e tij.
Biznesmeni Ylvi Beqja, ka rrëfyer në Prokurori, kërcënimet e vazhdueshme të bandës së drejtuar prej Shullazit dhe vetë këtij të fundit, që me anë të dhunës i kanë marrë rreth 550 mijë euro para cash. Dosja voluminoze lidhet me ish-hotel “Vollgën” në Durrës, ku Shullazi u bë aksioner pas presioneve dhe kërcënimeve ndaj Ylvi Beqes. Nën kërcënimin e armës, biznesmeni Beqja është detyruar të nënshkruajë para noterit kontratën e dhurimit në vlerën 30 për qind. Gjatë gjithë bisedave të bëra i pranishëm ka qenë edhe personi tjetër në hetim, Gilmando Dani, i cili ka qenë në dijeni të të gjitha bisedave të bëra dhe veprimeve të kryera mes Emiliano Shullazit dhe biznesmenit.
Shullazi u shtrua në një spital privat edhe para dy javësh, gjoja për shkak të problemeve shëndetësore. Pas kësaj sajese me porosi të Ramës, pritet që mjekët nën presion direkt të organizatës kriminale të paraqesin një raport, ku të shkruajnë se gjendja e tij është e rënduar dhe se ai nuk mund të qëndrojë në qeli. Pas këtij raporti, nën presion direkt të kreut të qeverisë, Gjykata pritet të vendosë masën “arrest shtëpie” për Shullazin. Në këtë mënyrë, ai do të përdoret nga Rama ashtu si edhe banditët e tjerë të liruar për grabitjen e votave më 18 qershor.
Kryeministri që erdhi në pushtet në vitin 2013, duke përdorur bandat, po ushtron presion tek gjyqësori për të liruar të gjithë kriminelët për t’i përdorur për vjedhjen e votave më 18 qershor.
Ai jo vetëm që i përdori banditët e kriminelët për grabitjen e votave, por disa prej tyre i futi në Parlament, duke i bërë deputetë. Këtë strategji po kërkon të ndjekë edhe në zgjedhjet e ardhshme.
Rama e nisi me lirimin e kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha dhe vazhdoi me heqjen e dënimit për anëtarët e organizatës terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”, për të vijuar me Aldo Baren dhe me të tjerët. Tashmë radhën për t’u liruar nga burgu e ka Zani Çaushi e Kostandin Xhuvani.
R.POLISI