Gjatë rishikimit rutinë të marrëveshjes me Shqipërinë në fillim të këtij viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar, njoftoi në një raport zyrtar se detyrimet e prapambetura të qeverisë shqiptare kishin arritur në 26.7 miliardë lekë në fund të vitit 2017, ku 65% e detyrimit i përkiste qeverisë qendrore dhe 35% pushtetit lokal. Në fund të vitit 2017, totali i borxheve të papaguara ishte 1.7% e PBB-së, e cila nuk u përfshi në llogarinë zyrtare të borxhit publik. Borxhi faktik i certifikuar nga qeveria shqiptare për vitin 2017 ishte 69.9% e PBB, por nëse do të përfshiheshin detyrimet e prapambetura, vlera e detyrimeve do të ishte 71.6%.
Të njëjtën përllogaritje bëri edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili gjeti shkelje të rënda si në përllogaritjen e deficitit buxhetor, ashtu edhe në raportin e borxhit me PBB. KLSH në raportin e buxhetit faktik 2017, gjeti se qeveria ka disbursuar kredi të huaja në vlerën mbi 3.7 miliardë lekë, të cilat nuk i ka përfshirë në llogaritë e deficitit 2017, duke i transferuar në llogaritë e 2018, në shkelje të ligjit organik të buxhetit të shtetit.
Sipas KLSH-së, deficiti buxhetor vjetor faktik më 2017 është -2.3% e PBB-së, teksa Ministria e Financave e ka raportuar -1.99% e PBB. Duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura që, sipas KLSH, për vitin 2017 janë më shumë se 19 miliardë lekë, borxhi publik është shumë më i lartë se 71% e PBB-së.
Më herët FMN ka tërhequr vëmendjen për rreziqet domethënëse fiskale që përmbajnë projekttet e partneritetit publik privat (PPP). Fondi ka kërkuar vazhdimisht që ndikimi i këtyre projekte, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.
Aktualisht qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik. FMN e ka shprehur me parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto përfitime dhe një analizë të plotë rreziku.
Në një deklaratë zyrtare të FMN në fund të vitit të kaluar, vlerësohej se borxhi ose detyrimi i mundshëm që vjen nga investimet e financuara nga PPP-të mund të arrijë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Nëse këtë ia shtojmë borxhit aktual prej rreth 72% të PBB-së, atëhere niveli real i tij mund të ngjitej në gati 80% të PBB-së (koment i Monitor).
Ekspertët e Ekonomisë janë të shqetësuar për mungesën e seriozitetit të qeverisë për transparencën mbi raportin e borxhit real. Eksperti Selami Xhepa tha se ndoshta rreziku më serioz që mbetet i fshehtë, por brenda dy-tre viteve të ardhshme do të shfaqet qartazi dhe brutalisht, është implikimi që sjellin kontratat afatgjata koncesionare dhe Partneritetit Publik-Privat në borxhin publik dhe detyrimet e akumuluara. Të projektuara në kufijtë e 2 miliardë eurove nëpërmjet kontratave PPP për tre vitet në vazhdim, efektivisht borxhi real publik do të rritet dhe jo të ulet. “Kur themi ‘të projektuara’, shifrat reale, që do të rezultojnë në përfundim të kontratave të lidhura, do të jenë shumë më të larta se kjo shifër”, pohoi Xhepa.