Përgjaken rrugët, 3 të vdekur dhe 7 të plagosur në aksidente të dielën

Aksidentet rrugore kanë përgjakur rrugët, duke e çuar në 3 të vdekur dhe 7 të plagosur bilancin ditën e diele në Lezhë, Gjirokastër e Fier. Në Lezhë, një person ka humbur jetën, ndërsa 6 të tjerë janë plagosur në aksidentin rrugor në aksin Lezhë-Shkodër. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të dielës në kryqëzimin e fshatit Gjadër ku janë përplasur tre automjete. Sipas burimeve policore, viktima është një shtetas 39 vjeç me iniciale B.F. nga Kosova, ndërsa 4 të plagosur në gjendje të rëndë janë transportuar për në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Dy të plagosur të tjerë, sipas policisë, po trajtohen në Spitalin Rajonal të Lezhës. Pasi kanë mbërritur në vendngjarje, shërbimet policore kanë konstatuar se janë përplasur me njëri-tjerin mjetet “Volkswagen” me targë DBF 54 me “Audin” me targë SH 0044 E dhe me “Benz”-in me targë AA 627 JH.
Paraprakisht dyshohet se shkak për aksidentin është bërë parakalimi i gabuar i mjetit tip “Audi” si dhe një manovër e tij, megjithatë, grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Ndërkaq, një tjetër aksident është shënuar në afërsi të fshatit Dervician në Gjirokastër, ku një automjet ka aksidentuar për vdekje një 87-vjeçar me iniciale A.Q, banues në Sarandë. Autori nuk është identifikuar ende, pasi është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Më herët, një 88-vjeçare humbi jetën në Fier po për shkak të një aksidenti rrugor, ndërsa nipi i saj 8 vjeç ka mbetur i plagosur. Ngjarja ka ndodhur në autostradën Levan-Tepelenë pranë fshatit Cakran, ku automjeti tip “Skoda” që drejtohej nga djali i saj, shtetasi me iniciale Th.SH ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Numri i aksidenteve njeh rritje gjatë sezonit veror, kur fluksi i pushuesve është i lartë dhe kur mjaft emigrantë kthehen për të pushuar në vendlindje. Në disa zona, gjatë orëve të vona të natës ekziston edhe fenomeni i mungesës së patrullave, duke sjellë edhe abuzime nga ana e drejtuesve të mjeteve, dhe si rrjedhojë edhe aksidente rrugore.

Artikulli paraprak4 kg heroinë dhe 32 kg kanabis gati për t’u trafikuar në Malin e Zi
Artikulli tjetërBllokohen autobusët me pushues nga Kosova të hyjnë në Durrës