Përgjaken sërish rrugët, 1 i vdekur dhe 7 të plagosur në 3 aksidente

Një grua humbi jetën dhe 5 të tjerë u plagosën në një aksident në autostradë në afërsi të tregut të Milotit. Dy autovetura janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të 70-vjeçares Ganie Fida, pasagjere në automjetin tip “Nissan” që drejtohej nga shtetasi D.F. Sipas policisë, mjeti tip “Nissan” është përplasur në orët e para të mëngjesit me mjetin tip “Opel” me targa të Kosovës që drejtohej nga shtetasi me incialet A.C.
5 personat përfshirë edhe drejtuesit e mjetit që gjendeshin në dy makinat kanë marrë plagë të rënda dhe janë dërguar me urgjencë në Spitalin Universitar të Traumës në kryeqytet. Sipas policisë, shkak për aksidentin dyshohet të jetë shpejtësia tej normave të lejuara të mjetit “Opel” dhe parakalimi i gabuar. Mësohet se udhëtarët nga Kosova po shkonin drejt bregdetit të Shëngjinit për pushime.
Më herët, një aksident automobilistik ndodhi në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në afërsi të Urës së Lizës. Një automjet tip “Ford” ka përplasur një person që po udhëtonte me biçikletë, por pa rrezik për jetën. Policia ka shoqëruar për në komisariat drejtuesin e mjetit.
Po ashtu një tjetër aksident ka ndodhur mesditën e djeshme pranë kryqëzimit tek Libri Universitar në Tiranë. Një automjet luksoz “Audi” A6 është përplasur me një motor, duke lënë të plagosur drejtuesin e motorit. Ambulanca ka transportuar të plagosurin në urgjencë. Nuk dihet ende identiteti i tij, ndërsa nuk ka ende asnjë njoftim nga policia. Grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet procedurale në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave.
Mund të cilësohet pa frikë, bilanc lufte kjo që po ndodh këtë verë në rrugët e Shqipërisë, ku vetëm javën e fundit, numri i viktimave të shkaktuara nga aksidentet rrugore ka shkuar në 10 të tillë, ndërsa numri i të plagosurve në 21. Bilanc me shtrirje gjeografike të frikshme nga Jugu në Veri të vendit, ku viktima kanë mbetur edhe foshnje. Të dielën e kaluar në mesditë një furgon me pasagjerë u përplas dhunshëm me një automjet tip “Nissan” me targa të huaja, duke shkaktuar vdekjen e një nëne me fëmijën e saj 6 muajsh, si edhe të një fëmije 1 vjeç e gjysëm që udhëtonte me familjen në mjetin tip “Nissan”, ndërkohë që mbetën të plagosur rëndë 7 persona të tjerë.
Ndërsa para tre ditësh pa u zbardhur mirë dita në një tjetër aksident humbën jetën dy shtetas drejtuesi i mjetit dhe nëna e tij, ndërkohë që mbeti e plagosur rëndë bashkëshortja e shoferit. Ajo që të bie në sy në të gjithë këto aksidente që e kanë kthyer në horror qarkullimin në rrugët e Shqipërisë, është se nuk ka asnjë masë shtesë nga Policia Rrugore me qëllim parandalimin e këtyre aksidenteve.

Artikulli paraprakSi i transportoi Tahiri nga Semani 1.2 ton drogë në Itali
Artikulli tjetërAtentat në Burgun e Vaqarrit, qëllohet me snajper i burgosuri