Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur këtë mbrëmje në aksin Sukth-Maminas. Sipas informacioneve paraprake, një makinë ka përplasur një këmbësor. Ky i fundit për pasojë ka ndërruar jetë.
Identiteti i viktimës ende nuk bëhet me dije por mësohet se ai ka mbetur i vdekur në vend menjëherë pas përplasjes. Sipas raportimeve nga vendngjarja, viktima është rreth 45 vjeç.
Drejtuesi i automjetit mësohet se është shoqëruar në ambientet e komisariatit për veprime të mëtejshme hetimore. Policia dhe grupi Hetimor ndodhen në vendngjarje për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.