Pa u mbyllur ende plagët e aksidentit tragjik të Velipojës, një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi dje në Bulqizë dhe sërish për shkak të rrugës. Tre persona humbën jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë në një aksident që ndodhi në hyrje të fshatit Trebisht, në kufi me Maqedoninë. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 të ditës së djeshme. Burimet e policisë bënë të ditur se si pasojë e daljes nga rruga të një automjeti tip “Opel Astra” me targa AA 791 JY me të cilin udhëtonin katër persona, kanë humbur jetën 3 persona, mes tyre një motër e vëlla, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.
Sipas burime zyrtare, viktimat janë Azem Karabrahimi, 21 vjeç, banues në fshatin Ostren dhe motra e tij, Elena Bajrami, rreth 32 vjeç, banuese në fshatin Tuçep, të cilët po ktheheshin pas një vizite mjekësore në Maqedoni. Po ashtu ka humbur jetën edhe drejtuesi i mjetit, Musa Nuredini, rreth 55 vjeç, ndërsa Gentjan Sula, 27 vjeç, ndodhet i plagosur në gjendje të rëndë dhe po mjekohet në Spitalin e Dibrës së Madhe në Maqedoni.
Burime në vendin e ngjarjes thanë se dyshohet që shkak të jetë bërë gjendja e rrugës. Mungesa e barrierave anësore ka bërë që automjeti të rrëzohet nga një lartësi e madhe në humnerë. I plagosuri është ndihmuar nga banorë të zonës për t’u transportuar në spital. Në vendin e aksidentit, kanë shkuar forcat e policisë dhe ekspertët, të cilët do të përcaktojnë shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga hetimet paraprake, policia thotë se shkak i rënies së mjetit në humnerë ka qenë infrastruktura rrugore, pasi aksidenti ndodhi në një zonë ku mungon brezi mbrojtës anësor i rrugës.
Nuk ka ditë që të mos ndodhë një aksident në rrugët e vendit. Dhe në të shumtën e rasteve shkaqet e aksidenteve janë rrugët. Infrastruktura e dobët dhe mungesa e mbrojtëseve në rrugë dhe sinjalistika vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Qeveria jo vetëm që nuk ka hapur asnjë kilometër rrugë të re gjatë këtyre tre viteve e gjysëm, por nuk ka barë asnjë investim për rrugët aktuale ndonëse janë harxhuar miliarda lekë nga banda në qeverisje.
Para dy ditësh katër të rinj, dy prej të cilëve turistë italianë humbën jetën në një aksident tragjik në Velipojë, ndërsa po shkonin për pushime. Edhe në këtë rast, shkak ka qenë rruga e papërfunduar nga rikonstruksioni. Ndonëse aksidentet marrin përditë jetë njerëzish, askush nga qeveria nuk mban përgjegjësi. Vetëm hedhin akuza ndaj njëri-tjetrit. Qeveria bën përgjegjës pushtetin vendor për rrugët dhe sigurinë në plazhe, ndërsa kjo e fundit akuzon qeverinë.
Aksidentet e shtuara me shumë viktima e të plagosur kanë si dëshmitarë edhe qytetarë të rastësishëm, të cilët ndodhen para dilemave të ndihmojnë apo të presin ambulancën. Specialistët e trajtimit për ndihmën e parë flasin se, kjo ndihmë është vendimtare për shpëtimin e çdo jete, por kur ajo jepet nga qytetarë të pa trajnuar apo informuar, kthehet në disfavor të të plagosurit.
Nisur nga bilanci i rënduar i aksidenteve, Kryqi i Kuq Shqiptar bën apel për dhurim gjaku vullnetar për t’iu gjendur atyre që po luftojnë për jetën.
Specialistët thonë se, në kushtet e një aksidenti, ku ndihma e parë është vendimtare, por kur nuk jepet nga personat e formuar, përkthehet në humbje jete. Aksidentet e ditëve të fundit kanë shkaktuar panik tek qytetarët që duan të nisen me pushime apo janë duke udhëtuar në rrugët e Shqipërisë nga mundësia e përfshirjes në një aksident. Nisur nga këto ngjarje është kthyer në domosdoshmëri edhe dhurimi vullnetar i gjakut, pasi raporti i kërkesës për gjak me ofertën është një raport i zhdrejtë dhe negativ. Specialistët flasin se, nëse një personi të aksidentuar nuk i jepet ndihma e parë e nevojshme nga 2-8 minuta ka më shumë mundësi që të humbasë jetën.
R.POLISI
PD: Bilanc lufte në rrugët e vendit, Rama përgjegjës për kaosin e pasigurinë
Partia Demokratike ka reaguar dje për situatën e aksidenteve në rrugët e vendit, duke e cilësuar si një bilanc lufte viktimat e përditshme në akset rrugore. Me anë të një deklarate për shtyp deputetja e PD, Mimoza Hajdarmataj, bëri përgjegjës kryeministrin Edi Rama për kaosin dhe pasigurinë e shqiptarëve. “Aksidenti tragjik sot në Dibër ku humbën jetën tre qytetarë dhe mbeti i plagosur rëndë një 27-vjeçar, është dëshmia e ditës për kaosin total në rrugët tona dhe mungesën e theksuar të sigurisë.
“Siguri, që qeveria e Edi Ramës nuk e ofron më prej kohësh. Aksidentet janë shtuar në mënyrë dramatike dhe qytetarët po bëhen çdo ditë dëshmitarë të skenave fatale nëpër rrugët e vendit.
Tre ditë më parë, 4 të vdekur nga aksidenti në Velipojë. Katër ditë më parë, dy të vdekur në rrugën Fushë-Krujë Lezhë. Me 1 gusht një i vdekur në rrugën Levan-Tepelenë. 10 ditë më parë, tre të vdekur e 5 të plagosur në Gjirokastër”, u shpreh Hajdarmataj.
Ajo e cilësoi një bilanc lufte situatën e rëndë si pasojë e aksidenteve rrugore. “Ky kaos total, kjo pasiguri, e ka burimin kryesor tek përqendrimi i vëmendjes së Edi Ramës në biznesin e drogës, dhe rrjedhimisht policia është atje, duke ruajtur parcelat me kanabis e duke vjelë 30 përqindëshin”, tha deputetja e PD.
Hajdarmataj tha më tej se, Policia bëhet prezente gjithnjë pas ngjarjeve, dhe askush nuk merr përgjegjësi, por kërkohet faji tek bashkitë apo institucionet e tjera.
“Mbarë opinioni publik dhe përfaqësuesit me zë të medias kanë reaguar këto ditë për gjendjen e rënduar të pasigurisë, por i vetmi që nuk reagon është Edi Rama dhe Tahiri i tij. Pse? Sepse është koha e korrjes së drogës, dhe është momenti i miliona eurove që merren nga hambarët e hashashit në gjithë vendin, dhe ky është interesi i tyre i vetëm.
Arsye tjetër e aksidenteve është mosinvestimi në infrastrukturë në ato që njihen si pika të rrezikshme, pasi Edi Rama, pjesën më të madhe të parave i çon për udhëtime jashtë, për rregullime zyrash, për palma e fasada. Kur dihet se, siguria, është dhe duhet të jetë prioritet i padiskutueshëm”, u shpreh Hajdarmataj.
Partia Demokratike bën përgjegjës për këtë pasiguri, Edi Ramën, njeriun që rreh gjoksin se po lyen me bojë muret e komisariateve, ndërkohë që rrugët e vendit po lahen çdo ditë me gjakun e qytetarëve.
“Edi Rama e ka braktisur de fakto mandatin e tij si kryeministër, ndaj ka ardhur koha të largohet edhe de jure, për t’i dhënë fund pasigurisë dhe krizës që po kalon vendi. Shqipëria do të jetë më e sigurtë dhe më e mirë pa Edi Ramën”, tha gjatë deklaratës së saj, Hajdarmataj.