Përgjakja e rrugëve nga të droguarit në timon

Aksidentet rrugore në të shumtën e rasteve shkaktohen nga drejtues mjetesh të droguar. Bëhet e ditur se i riu që shkaktoi aksidentin në zonën e njohur si “Fresku” të hënën pasdite, duke lënë të vdekur një vajzë vetëm 3 vjeçe, teksa ishte me prindërit, duke ecur në trotuar ka qenë nën efektin e drogës. Autori i aksidentit, një 21¬-vjeçar, i cili ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike, ka humbur kontrollin e mjetit, duke përplasur për vdekje vajzën e mitur.
Rastet e kësaj natyre të shkaktimit të aksidenteve janë shtuar së tepërmi gjatë kohëve të fundit, pasi situata ka dalë jashtë kontrollit. Kultivimi i kanabisit në të gjithë territorin e vendit gjatë tre viteve të qeverisë së “Rilindjes” ka bërë që droga jo vetëm të trafikohet drejt vendeve të BE ku trafikantët dhe qeveritarët marrin përfitime marramendëse, por edhe të përdoret gjerësisht nga të rinjtë në lokale nate, por edhe në jetën e përditshme.
Të rinjtë, pasi konsumojnë drogë drejtojnë makinat dhe si pasojë e humbjes së vetëdijes shkaktojnë aksidente me pasojë vdekjen. Këta drejtues mjetesh nuk ka kush t’i kontrollojë pasi, sipas specialistëve, Policia Rrugore është në gjenjde të kontrollojë vetëm nëse drejtuesit e mjeteve përdorin alkool gjatë drejtimit të mjetit. Ndërsa përdoruesit e drogës në timon nuk mund të kontrollohen drejtpërsëdrejti, por vetëm nëse bëhen analizat.
Alarmi për rritjen e numrit të aksidenteve nga drejtuesit e mjeteve të droguar është dhënë prej kohësh, por nuk është marrë asnjë masë për parandalimin e tyre. Ngjarja ku vajza e moshës 3 vjeç që humbi jetën në Tiranë, pasi u shtyp me makinë nga një shofer i droguar ka tronditur opinionin publik. Vajza ishte në trotuar bashkë me prindërit në momentin që u përplas nga makina. Goditja e makinës ka lënë të plagosur rëndë babanë dhe ka dëmtuar më lehtë nënën e saj. Ngjarja ka ndodhur para një supermarketi në rrugën e “Thesarit”, siç njihet nga banorët e zonës. Prindërit bashkë me vajzën e mitur sapo kishin dalë nga aty, pasi kishin blerë ushqime. Pasi kishin bërë vetëm disa hapa në trotuar, janë përplasur nga makina tip “Volkswagen”, me targë AA 416 LY. Vajza e vogël u dërgua me urgjencë në spital, por pa mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Konsumimi i drogës nga drejtuesit e mjeteve në timon është një nga shkaqet e rritjes së numrit të aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen. Sipas statistikave, gjatë 4 muajve të parë të këtij viti numri i aksidenteve është rritur 50 për qind më shumë në krahasim me një vit më parë.

Shifrat e frikshme të aksidenteve me të vdekur

Viti 2016 është i frikshëm për shkak të numrit të madh të aksidenteve, e sidomos të atyre me pasoja fatale, vdekjet. Në një përmbledhje të shifrave të 4 muajve të parë, mësohet se gjatë këtij viti numri i personave të vdekur është më i madh se ai i 3 viteve të fundit. Katërmujori i parë 2016 është edhe më dramatik.
Krahasuar me katërmujoret e parë të viteve 2013, 2014, 2015, katërmujori i parë 2016 mban rekordin për numrin e aksidenteve (598) dhe numrin e të vdekurve (81), ndërsa mban vendin e dytë për numrin e plagosjeve të rënda (129) dhe numrin e plagosjeve të lehta (563). Në tërësinë e vet, katërmujori i parë i vitit 2016 është më keq se çdo katërmujor i parë i tre viteve pararendëse.
Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti, kanë humbur jetën më shumë se 90 persona në aksidentet rrugore në mbarë vendin. Sipas ekspertëve, trendi në rritje është i frikshëm, duke pasur parasysh se ende nuk ka nisur sezoni turistik, që përkon me fluksin e kthimit të emigrantëve. Në të gjithë akset në Shqipëri, autoritetet kanë konstatuar 144 “njolla të zeza”, ku sipas specialistëve, policia duhet të riorganizojë shërbimet për të parandaluar aksidentet fatale.
Në tremujorin e parë të këtij viti, kanë ndodhur më shumë aksidente në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga të dhënat konstatohet gjithashtu se rritje të ndjeshme ka pasur edhe numri i personave të plagosur që janë rreth 723 persona, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ky numër është rritur 30,4%.

R.POLISI

Exit mobile version