Përgjegjësi i OSHEE, militant i PS, u vjedh qytetarëve paratë e energjisë, arrestohet

Përgjegjësi i OSHEE në Elbasan, Bajram Liçi ka përfunduar në pranga dje pasi akuzohet për vjedhjen e parave të energjisë elektrike abonentëve duke falsifikuar faturat. Bëhet e ditur se specialistët për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan kanë arrestuar shtetasin Bajram Liçi. Ai akuzohet për veprën penale “Falsifikim të dokumenteve”. Por “Boldnews.al” mëson se, 58-vjeçari nga Cërriku rezulton të jetë anëtar i Partisë Socialiste në Cërrik dhe pas fitores në zgjedhjet e 2013 ai u emërua përgjegjës në OSHEE.
Sipas policisë, Liçi ka falsifikuar më shumë se një herë dokumentet duke mbajtur procesverbale fiktive në dëm të abonentëve. Këta të fundit kanë paguar faturat e energjisë elektrike rregullisht çdo muaj, por Liçi ka përvetësuar paratë duke mos derdhur në sistem shumat e parave.
Emri i Bajram Liçit është lakuar edhe në zgjedhjet parlamentare të 2013. Në atë kohë, ai është përplasur fizikisht me shtetasin Klement Curri për të mbrojtur materialet zgjedhore të njësisë së votimit në Cërrik. Me këtë akt “heroik”, “Rilindja” me të ardhur në pushtet e ka shpërblyer me një pozicion të mirë në administratën shtetërore.
Megjithatë ky pozicion i shërbeu për të përfituar në mënyrë të padrejtë të ardhura nga qytetarët. Nuk është hera e parë që përfaqësues të Partisë Socialiste që punojnë në poste shtetërore arrestohen për vepra penale që lidhen kryesisht me korrupsionin.

Exit mobile version