Përgjigjja e Malltezit për Ramën dhe ushtarin Peza

Jamarbër Malltezi ka reaguar ndaj akuzave të PS. Sipas sekretarit për Mjedisin në PD, Malltezi, reagimi i PS tregon se gjithë kjo histori është e stisur nga vetë Rama.
Rama mblodhi paraditen e djeshme grupin parlamentar socialist, gjatë të cilit kërkoi nga deputetët që të mbronin pretendimet e ngritura nga Taulant Balla dhe ta trajtonin këtë çështje sa më politikisht që të ishte e mundur. Pas mbledhjes së grupit, Rama nxorri Alfred Pezën në një dekaratë të shkurtër për mediat doli në emër të PS në mbrojtje të Taulant Balla.
Pas deklaratës Pezës ka reaguar Malltezi, i cili  ironizoi Pezën ashtu si edhe Ramën.
“Me gojën e ushtarit të mirë Peza, Rama pranoi sot autorësinë e shpifjeve dhe gënjeshtrave që fakir-tellallët e tij shpërndajnë në opinion. Mbrojtja politike ndaj një provokatori pa shtyllë kurrizore, tregon se Rama vetë ka qenë frymëzuesi dhe porositësi i provokimit të Romës dhe shpifjeve të Tiranës. Ai është sponsorizuesi kryesor i krimit dhe dhunës, provokimit, gënjeshtrës dhe urrejtjes. Është i fundit që mund të akuzojë dhe i pari që duhet të përgjigjet”, shkruan Malltezi në një reagim për “Opinion.al”.
Pas deklaratës së Partisë Socialiste në lidhje me pretendimet mbi një sherr mes deputetit Taulant Balla dhe Jamarbër Malltezit në Aeroportin e Romës, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani. Ristani ka theksuar se sulmi ndaj Ballës është i sajuar, në mënyrë që njerëzit të harrojnë lidhjet e krimit me pushtetin dhe varfërinë. Më poshtë reagimi i plotë i Ristanit. “Gjetje tipike rilindase, për temperaturat 40 gradëshe, deklarimi për mediat i Alfred Pezës, për të mbrojtur veglën më të bindur të Edi Ramës, veglën më të paturp, më të neveriturën në publik, shpifësin profesionist, Taulant Ballën” thekson Ristani.
Sekretari i Përgjithshëm i PD ka ironizuar Ballën ndërsa ka thënë se mashtruesi Tao as si qaraman nuk e shpëton dot Ramën.
Ky Kryeministër që nuk u distancua asnjëherë, asnjë ditë të vetme, nga Rroshi, nga Shullazi, nga Balili, nga qindra banditë të tjerë, që jo vetëm janë të tillë, por dhe e treguan me vepra, si Prenga me shokë. Ky strehë dhe promovues i krimit të veshur me pushtet, bën thirrje për distancim nga trillimi për gjoja goditjen e Ballës. Meqenëse dizenjimi i bluzës së kombëtares nuk i solli përfitimet që priste, kërkon me zor të sajojë një ngjarje që njerëzit të harrojnë varfërinë në skaj, krimin në pushtet dhe aferat e tij të përditshme qindra milionë euroshe. Nuk të shpëton dot mashtruesi Tao, as si qaraman, as si trim, as si sekser. Kur njerëzit nuk kanë mundësi të hanë sot as djathë, harroje se do të hanë sapunin tënd”, thuhet në reagimin e Ristanit.

Exit mobile version