Përgjimet, Berisha: Hetime të përbashkëta nga Italia e Shqipëria

Ish-Kryeministri Berisha ka kërkuar hetime të përbashkëta nga Italia dhe Shqipëria për përgjimet dhe ekspertizë e plotë nga institute të pavarura të pajisjes së përgjimit. Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Berisha ka reaguar në lidhje me letrën që ish Drejtori i Policisë së Shtetit italian i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme shqiptare, pas një shkrese të dërguar prej kësaj të fundit.
Në reagimin e tij, Berisha sjell në vëmendje se i gjithë teksti i letrës së ish drejtorit italian është në sintoni të plotë me deklaratat e mbajtura nga Kryeministri Rama.
“Së pari, dua të shpreh respektin tim për ish-drejtorin e policisë italiane, Alesandro Panza për kontributin e tij në bashkëpunimin e suksesshëm bilateral dhe ndihmën e çmuar dhënë ndër vite policisë shqiptare. Letra e ish-kryepolicit të Italisë ngjason si e shkruajtur në Tiranë në zyrat e Edi Ramës. Ajo, jo vetëm që nuk zgjidh problemin e përgjimit, nuk ju përgjigjet pyetjeve të ngritura nga institucionet shtetërore dhe opozita shqiptare, por i bën më të mëdha dimensionet e këtij skandali.
Teksti i letrës përsërit fjalë për fjalë thëniet e autoriteteve zyrtare shqiptare të akuzuara, por problem i veçantë në letër është citimi që i bëhet nenit të marrëveshjes për imunitetin e anëtarëve të Interforcës italiane në Shqipëri.
Ky nen është i vërtetë, por ai, në një marrëveshje midis dy vendeve mike nuk nënkupton kurrsesi bllokimin e transparencës, aq më tepër kur bëhet fjalë apo ka akuza për regjistrimin e Presidentit të Republikës, kryetarit të opozitës, diplomatëve të vendeve mike” shprehet Berisha.
Ndaj ish kryeministri, ka kërkuar si të domosdoshëm nisjen e një hetimi të përbashkët të dy prokurorive, shqiptare dhe asaj italiane për çështjen e përgjimeve ndërsa sugjeron edhe kontributin e komisioneve parlamentare të sigurisë së dy vendeve për të bërë transparencën e gjithë ngjarjes.
“Këto akuza nuk mund të mbyllen me një letër, në të cilën është njëlloj si të thuhet mace është po nuk gjuan minj. Prandaj dhe mendoj që kjo letër bën edhe më të domosdoshme sa vijon:
1-Hetim të përbashkët nga Prokuroria e dy vendeve tona partnere eficiente në luftën kundër krimit të të gjithë kësaj afere
2-Ekspertizë e plotë nga institute të pavarura të pajisjes së përgjimit futur në Republikën e Shqipërisë në kundërshtim me ligjet e vendit.
3- Në rast nevoje, kontributin e komisioneve parlamentare të sigurisë së dy vendeve për transparencën e plotë” thekson Berisha në reagimin e tij.

Pikëpyetjet mbi pajisjen

Drejtoria e Doganave nuk e ka regjistruar pajisjen e përgjimit që u fut në Shqipëri më 11 mars 2016 nga dy ekspertë të policisë italiane nëpërmjet portit të Durrësit. Ajo nuk ka patur dijeni për ekzistencën e saj. Pajisja përgjuese ishte në bordin e një autoveture, siç thotë në një letër dërguar Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, kreu i policisë italiane Alessandro Pansa, një ditë më parë e la këtë detyrë. Më 11 mars 2016 u dërguan në Tiranë  dy specialistë të policisë italiane për të kryer trajnime të policisë shqiptare. Për trajnimet, personeli italian mori me vete një autoveturë të pajisur me një aparaturë të quajtur “IMSI CATCHER, me modelin Vortex prodhuar nga Ditta Ercom, të instaluar në bordin e saj”, thuhet në shkresën e Alessandro Pansa. Një aparaturë e tillë duhej të ishte regjistruar në zyrat e doganës dhe për më tepër, për përdorimin e saj duhet të ishte njoftuar edhe Prokurori i Përgjitshëm, thotë opozita. Një rasti i ngjashëm ka ndodhur në vitin 2015. Kjo pajisje përgjimi rezulton të ketë hyrë në territorin e Shqipërisë një vit më parë, është regjistruar në doganë, është njoftuar dhe prokurori i Përgjitshëm dhe në fillim të verës, me vënien në përdorim të saj, është arritur të kapet një i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare.  Po përse kjo pajisje nuk u deklarua në doganë kur u fut sërish një vit më vonë? Pëse nuk u ndoq e njëjta procedurë? Përse e mbajtën të fshehtë specialistët e policisë italiane? Shefi i policisë italiane, Alessandro Pansa, nuk jep sqarime në lidhje me këtë çështje në letrën për kryeprokurorin.

Në zyrën e Tahirit gjendet një çimkë

Ish kryeministri ka bërë të ditur dje se zyra e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri është përgjuar. Berisha bën të ditur se
“Në zyrën e Saje qorrit gjendet një çimkë! Të dashur miq, parmbrëmë, në zyrën e Saje qorrit, konkretisht në anën e pasme të grirëses së letrave gjendet një goxha çimkë! Kjo e ka tmerruar Saje qorrin, i cili ka dyshim kryesor:1- zëvendësministrin e LSI dhe 2-njërin nga asistentët e tij.  Por njerëzit afër tij flasin edhe për dy burime të tjera më të mundshme, njëri i huaj kurse burimi tjetër është intim! “ shprehet Berisha në postimin e tij.

Exit mobile version