Burime të grupit të hetimit thonë se personi i konsideruar si kreu i grupit, shtetasi Enver Bajri, ende nuk është arrestuar pasi nuk dihet ende vendodhja e tij.
Hetuesit thanë se ai ka të paktën tre vite që nuk rezulton të ketë hyrë në Shqipëri.
Ndërkohë operacioni i organizuar në Tiranë ka vënë në pranga dy personat e tjerë Safet Bajri dhe Ilir Bajri, të cilët sipas hetimeve qëndronin direkt mes kreut të grupit dhe anëtarëve të tjerë të hiearkisë së bandës.
Mediat belge dhe holandeze kanë pasqyruar të shtunën aksionin e zhvilluar në Shqipëri dhe Holandë.
Sipas tyre Safet Bajri është në listën e personave më të kërkuar në Belgjikë pasi në janar të 2017 u dënua nga Gjykata e Apelit të Brukselit me 9 vjet burg për udhëheqjen e organizatës kriminale, trafik droge dhe prostitucion.
Mes të arrestuarve në Shqipëri është edhe shtetasi Armir Grima, trajner i kombëtares së futbollit për femra i cili gjatë karrierës së tij sportive ka qenë portier i ekipit të futbollit të Vllaznisë në vitet 1998-2001, por më pas dhe kapiten dhe trajner i ekipit.
Arrestimi i tij sipas policisë ka të bëjë me akuzën për trukimin e ndeshjeve sportive. Gjatë përgjimeve 6 mujore, Safet Bajri është regjistruar duke folur për fitime financiare nga ndeshja mes Vllaznisë dhe Tërbunit e mbajtur në maj të këtij viti e cila përfundoi me rezultatin 2:1.
Për këtë ndeshje akuzohet edhe i arrestuari Fabjol Rexhepi, portieri aktual i ekipit të futbollit Tërbuni.
Prokuroria ka nisur hetim pasuror ndaj të gjithë të arrestuarve të cilët akuzohen se kanë përfituar shuma të mëdha monetare përmes gjobëvënies ndaj biznesmenëve të ndryshëm.
Sipas përgjimeve, personi që kërkonte paratë duke vendosur dhe afate ndaj biznesmenëve ka qenë Behar Bajri, ndërsa dorëzimi i shumave bëhej tek anëtarët e grupit.