“Përgjimet e ‘SkyEcc’ përfshinë shtetin dhe politikën”, ish-kreu i Policisë, Ahmet Prençi: SPAK, i vetmi institucion kundër krimit në vend!

Kur grupet kriminale janë në marrëveshje dhe nuk ngacmohen nga organet ligjzbatuese, duket se situata është e qetë. Pra, nuk ndodh asgjë. Por në momentin kur këto marrëveshje prishen, atëherë nisin edhe betejat e përgjakshme. Ky është një konstatim që vjen nga një ekspert jo vetëm policimi, por edhe hetimi.

Është Ahmet Prençi, i cili tregon me detaje se çfarë ka ndodhur dhe po ndodh aktualisht me situatën kriminale në vend. Duke qenë njohës i mirë i çdo mekanizmi që përdor krimi i organizuar, por edhe mbështetjet që këto grupe marrin nga njerëz me pushtet, ish-kreu i Policisë Shtetit, sot Komisioner pranë Avokatit të Popullit për çështjet e parandalimit të torturës, tregon detaje të fushave ku operojnë personat me prirje antiligj. Sipas tij, SPAK është i vetëm në këtë betejë dhe madje, ndaj edhe sulmohet nga segmente të politikës. Prençi shkon deri atje ku kritikon policinë për mënyrën se si i qaset një ngjarjeje e sidomos krimit të organizuar.

Përfshirja e efektivëve deri në role drejtuesish në aktivitete kriminale dhe në bashkëpunime me grupe dhe banda keqbërësish është mbase një prej dëmeve më të mëdha që i është bërë zbatimit të ligjit në vendin tonë. Për ish-kryepolicin e vendit, prokurorët e Posaçëm janë të vetmit që mund të çmontojnë krimin e organizuar, por sipas tij, është alarmante aleanca e krimit të organizuar me segmente të politikës, po aq sa edhe dalja në pah e shefave të policisë, që përdoren për të nxjerrë njerëz në pritë. Pavarësisht se ai vijon të mbetet një dashamirës i hetimit në themel të aktiviteteve të krimit të organizuar, sidomos kur bëhet fjalë për lidhje me politikën apo njerëzit me pushtet, Prençi nuk e humb shpresën se një ditë, policia do të jetë në nivele të larta që ia kërkon detyra, ashtu siç beson se në radhët e SPAK do të përvijohen konturet e një prokurori të vërtetë, që do t’i ngjajë me Martin Gurin e tij, personazhin e famshëm të romanit “Brenga e Prokurorit”, për të cilin thotë: “Uroj që askush të mos e ketë fatin e tij”!

Si ish-drejtor i Policisë së Shtetit, si e shihni gjendjen e rendit në vendin tonë?

Duhet thënë së pari që krimi, sidomos ai i organizuar, i ka përsosur metodat e funksionimit. Dhe kjo jo vetëm në Shqipëri, por kudo. Gjithmonë ata janë në një proces të vazhdueshëm kamuflimi. Ata synojnë realizimin e objektivave të tyre, që është pasurimi dhe zgjerimi i hegjemonisë në territoret ku veprojnë. Situata dhe gjendja e sigurisë publike në Shqipëri duket në pamje të parë në parametra normalë, por sipas meje, është shumë delikate. Po të analizojmë disa nga operacionet e bëra publike nga SPAK, mund të them se gjendja është e brishtë dhe e rrezikshme.

Të dhënat që marrim nga zbërthimi i funksionimit të grupeve kriminale dhe komunikimit të eksponentëve të këtyre grupeve, gjendja paraqitet ulëritëse dhe alarmante. Një problem shumë të rëndë na paraqet aleanca që krimi i organizuar ka me segmente të politikës, sistemin e drejtësisë dhe struktura të caktuara të policisë. Këto lidhje janë tmerrësisht të rrezikshme dhe me pasoja të rënda. Në këto rrethana, mendoj se reagimi dhe metodat për t‘i luftuar këto fenomene kërkojnë shumë investim në para, trajnime, inteligjencë, teknologji e mbi të gjitha vendosmëri e përkushtim nga Policia e Shtetit, që është në frontin e parë e më pas i koordinuar me gjithë zinxhirin e institucioneve ligjzbatuese dhe të drejtësisë. Kur grupet kriminale veprojnë të pashqetësuara nga organet ligjzbatuese dhe janë në një pakt ose marrëveshje me njëri-tjetrin, situate duket e qetë.

Në momentin që cenohen këto marrëdhënie, situata precipiton në përmasa të paparashikueshme. Nga komunikimet e bëra publike nga institucionet deri më tani, kemi mësuar se grupe të caktuara kanë shpallur luftë mes njëri-tjetrit dhe pasojat e para kemi filluar t’i shikojmë. Më vjen keq ta them që jemi duke përjetuar betejën mes tyre dhe nëse nga institucionet ligjzbatuese dhe të akuzës nuk dokumentohet veprimtaria e plotë e tyre, arrestimi i autorëve dhe sekuestrimi i aseteve dhe burimeve financiare të tyre, situata do të vijë duke u përkeqësuar.

Cilat janë kategoritë e krimit që duken më shqetësuese sot?

Shqetësuese për publikun janë dhe mbeten krimet e dukshme kundër jetës dhe pronës, si dhe krimet kundër korrupsionit. Mendoj që Policia e Shtetit duhet të bëjë një riorganizim dhe ristrukturim më efektiv për t’iu përgjigjur si duhet situatës aktuale të krimit. Punonjësi i policisë në çdo rast duhet të ketë një sjellje qytetare me njerëzit e zakonshëm. Duhet të kuptojnë punonjësit e policisë se institucioni që përfaqësojnë nuk është vetëm një institucion force, por së pari një shërbim ndaj qytetarëve. Ndërkohë me eksponentë të krimit, që sigurisht të gjithë janë të njohur prej tyre, duhet një sjellje profesionale dhe e pakompromis për të goditur me forcë paligjshmërinë e tyre. Në çdo qytet njihen “gangsterët” problematikë për qytetarët. Të gjithë i njohin dhe të gjithë i shikojnë sjelljen e policisë ndaj tyre.

Mendoj që me një trupë policore të paimplikuar dhe të përkushtuar, për pak kohë këta “gangsterë” hiqen nga qarkullimi. Shpresoj shumë që drejtuesit e rinj të policisë ta përmirësojnë këtë situatë. Punonjësi i policisë është figura ku qytetarët duhet të drejtohen për problematika të caktuara. Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, kjo kërkon një strukturë shumë të specializuar, kërkon aplikim të metodave më të përparuara për të pasur rezultat. Në këtë fushë kemi parë se është vetëm SPAK që ka dhënë produkt dhe rezultat si asnjëherë tjetër në këtë vend. Nga strukturat e policisë nuk kam informacion për rezultate të dukshme, që duhen përmendur në kuadrin e luftës kundër korrupsionit, ndonëse ka një strukturë të specializuar për krime të tilla.

A iu duket eficiente policia në luftën ndaj këtij krimi, sidomos kur bëhet fjalë për parandalimin…?

Parandalimi është problemi kryesor dhe parësor i policisë. Mendoj që territori i republikës sonë nuk mbulohet si duhet nga strukturat e policisë. Me aq sa e ndjek unë mënyrën e funksionimit të strukturave të policisë, më rezulton që në një komisariat policie ka më shumë shefa në zyra se sa personel policorë në terren që merr kontakt me qytetarët. Punonjësi i policisë duhet t’iu gjendet atyre pranë në momentet kur u duhet ndërhyrja e tyre, si dhe të marrin informacion të vazhdueshëm rreth kontingjentin që kanë në ndjekje.

Duhet theksuar që neglizhenca e policisë për të zgjidhur me seriozitet konfliktet e vogla, sipas meje, na prodhon patjetër ngjarje të rënda kriminale. Ndaj reagimi i menjëhershëm i policisë për çdo sinjal që merr për konflikte dhe vlerësimi e dokumentimi i çdo ngjarje që ndodh është një mënyrë efektive që i shërben parandalimit. Po ashtu, zbulimi i ngjarjeve të vjetra, rihetimi i dosjeve të pezulluara është dhe kjo një mënyrë që ndikon në parandalimin e veprave penale. Integriteti dhe performanca e punonjësve të policisë ndikon ndjeshëm në rritjen e besueshmërisë te punonjësit e rendit. Kur ky besim rritet, informacioni është më i madh dhe shumë i vlefshëm për të zbuluar ngjarjet kriminale. Nisur nga eksperiencat e viteve të mëparshme që lidhen me kanabizimin e vendit me heshtjen ose neglizhencën e policisë në rastin më të mirë, ose bashkëpunim i punonjësve të policisë me grupe të krimit të organizuar në rastin më ekstrem, e kanë goditur dhe dëmtuar rëndë reputacionin e Policisë së Shtetit. Publikimi i rasteve të arrestimit të drejtuesve të policisë si bashkëpunëtor të eksponentëve të krimit të organizuar e tregon se problemi është më i ndërlikuar dhe hetimi i këtyre rasteve është shumë i rëndësishëm për të pasur një polici efiçente dhe me reputacion të mirë publik. Në një organizatë të madhe siç është policia, sigurisht që ka dhe do ketë punonjës të inkriminuar, por mekanizmat për kontrollin dhe goditjen e tyre duhet të jenë prioritet absolut.

Hapja e platformave të komunikimeve të anëtarëve të bandave kriminale duket se i ka shërbyer më së shumti Prokurorisë së Posaçme të marrë stafetën e goditjes, a mendoni se më në fund do të pastrohet Shqipëria nga këto grupe kriminale?

grupe kriminale? Dua të theksoj se goditjet që ka bërë SPAK-u kundër grupeve të krimit të organizuar kanë qenë spektakolare. Unë di të them se puna që ato kanë bërë deri në finalizimin e këtyre operacioneve është e jashtëzakonshme. E pamë se sa i sofistikuar është bërë komunikimi dhe veprimtaria e anëtarëve të bandave kriminale. Na u ekspozuan dhe fuqitë e tyre financiare, lidhjet e fuqishme që kanë me segmente të caktuara të politikës, policinë dhe gjyqësorin. Prandaj them dhe gjej rastin të falënderoj prokurorët e SPAK dhe drejtuesin e tyre, Altin Dumanin, pasi ata me përkushtimin e tyre po i bëjnë shërbimin më të madh shtetit dhe vendit tonë. Unë mendoj që ata kanë dhe shumë punë për të bërë.

Po vazhduan me këto ritme dhe pak vite për t’ju shkuar në fund të gjitha hetimeve të nisura, mund të them që këto grupe ekzistuese do jenë shpartalluar tërësisht. Fuqizimi i SPAK dhe BKH me personel të kualifikuar dhe teknologji të përparuar do e rriste ndjeshëm efektivitetin e tyre. Do dëshiroja shumë që politika dhe media të rrinë larg SPAK-ut në këtë luftë të vështirë dhe heroike që po bëjnë krimit të organizuar. Njoh prokurorë që punojnë nga 18 orë në 24 për të hetuar këto grupe. Ndjehen dhe janë të kërcënuar seriozisht ata dhe familjet e tyre, ndaj duhet mbështetje e pakursyer për ta. Një problem i madh është hapësira mediatike që i jepet krimit dhe krimineleve. Ata heroizohen dhe me ndihmën e mediave po kthehen në modele për brezin e ri. Kjo është një problematikë shumë delikate dhe e rrezikshme.

Si e komentoni daljen e politikanëve, njerëzve të drejtësisë dhe të policisë në këto komunikime?

Kjo e ndërlikon situatën shumë. Çdo punonjës policie i ndershëm në këto rrethana është me kokën ulur, pasi është i tradhtuar dhe duarlidhur në çdo kohë. Këto komunikime e kanë kompromentuar shumë reputacionin e policisë dhe të shtetit. Të mësosh në media se një shef policie nxjerr në pritë njerëz për t’u vrarë dhe vihet në funksion të kriminelëve, është mjaft e rëndë. Si janë ndjerë vartësit e tij kur kanë mësuar këto të vërteta?! Po qytetarët që janë kontaktuar nga ai shef për të zgjidhur problemin e tyre?! Ndaj them që lufta kundër këtyre punonjësve duhet të jetë e vazhdueshme dhe e pamëshirshme në aspektin ligjor e penal. Ose një rast tjetër i bërë publik, një drejtues policie që duke shfrytëzuar detyrën e tij të lartë, hyn në biznesin e pistë me krimin e organizuar duke iu shërbyer dhe shndërrohet në një milioner! Një sfidë të vërtetë duhet të kenë ministri i ri i Brendshëm, drejtori i përgjithshëm i policisë, drejtori i AMP dhe gjithë drejtuesit e tjerë për të shpalosur një reagim shumë të ashpër ndaj atyre punonjësve që devijojnë nga misioni i tyre. Mendoj që deri më tani, përveç SPAK-ut, nuk është bërë asgjë për të hetuar dhe pastruar policinë nga shërbëtorë të shtetit të shndërruar në banditë të veshur me uniformë.

Reformimi që po ndodh tani me drejtues të ri të të gjitha niveleve të drejtimit të policisë më duket një nisëm pozitive. Unë personalisht nuk i njoh drejtuesit e rinj dhe kam të drejtë të shpresoj që me formimin dhe energjinë e tyre do e ndryshojnë situatën për mirë. Gjithsesi, duhet pak kohë për të parë se çdo prodhojnë në të mirë të rendit e sigurisë publike. Dua të theksoj se proceset e përzgjedhjes së drejtuesve dhe shefave të policisë më janë dukur të panevojshëm, por ky është mendimin im, ndonëse është i detyrueshëm për t’u bërë, pasi e parashikon ligji i ri i policisë, i cili shpresoj të përmirësohet sa më parë duke e hequr këtë dispozitë krejt të panevojshme të funksionimit të policisë. Flitet në media që SPAK-u ka në shqyrtim komunikime të tjera të drejtuesve të policisë apo dhe politikanë me pjesëtarë në krimin e organizuar. Do të dëshiroja sa më parë që ata të zbardhin këto komunikime dhe çdo politikan, polic apo kushdo qoftë që ka shërbyer grupeve kriminale dhe ka konsumuar vepër penale të dalë para drejtësisë.

Përveç betejës me krimin e organizuar, SPAK ka betejë edhe me korrupsionin ku dëshmohen nivele të larta, pse ka kaq shumë zyrtarë të korruptuar në vendin tonë?

Po! Kjo është një betejë vendimtare që bëhet. Ka një bilanc mjaft pozitiv deri më tani. Kemi mësuar nga hetimet e SPAK-ut se drejtues të niveleve të larta të administratës kanë shpërdoruar besimin e publikut, duke përvetësuar shuma monetare marramendëse. Ndonëse duhet të presim dhe të shikojmë proceset gjyqësore deri në përfundim të tyre. Për mendimin tim, dosjet e këtyre hetimeve kanë dhënë efekt si asnjëherë në këtë vend. Të mos harrojmë se fluksi i denoncimeve në SPAK është mjaft i lartë në krahasim me kapacitetet që ata kanë në dispozicion.

E gjithë vëmendja është përqendruar në SPAK dhe nuk analizon askush se ka qindra prokuror të juridiksionit të përgjithshëm në të gjitha rrethet e vendit që nuk prodhojnë qoftë edhe një lajm të vetëm për goditjen e eksponentëve të krimit që ata hetojnë. Unë të paktën nuk kam dëgjuar ose kam parë në media raste shumë sporadike. Nëse dhe SPAK do të ishte pa rezultate kundër korrupsionit, nuk do përbënte lajm dhe ky institucion nuk do sulmohej nga askush.

Ju aktualisht drejtoni një sektor ku verifikoni punën e organeve ligjzbatuese me qytetarët, në optikën tuaj, si është sjellja me ta…?

Unë jam i mandatuar nga Parlamenti si Komisioner për parandalimin e torturës pranë Avokatit të Popullit. Në këtë institucion bëhet një punë e madhe përmes inspektimit dhe hetimit me iniciativë të ankesave apo njoftimeve mediatike. Nëpërmjet këtyre hetimeve evidentojmë gjetje dhe problematika që reflektohen në rekomandimet e shumta që iu adresojmë institucioneve të shtetit që t’i reflektojnë dhe zbatojnë në punën e tyre. Ne jemi një ekip modest, një institucion moral i shtetit, që japim kontributin tonë në përmirësimin e kushteve dhe respektimin e të drejtave që shkelen. Padyshim që administrata e shtetit është e ekspozuar në shkeljen e të drejtave të njeriut ndaj ne jemi aty për të reaguar në çdo moment dhe për të qenë në krahun e të dëmtuarve që janë cenuar nga abuzimi dhe shkelja e të drejtave të tyre. Avokatja e Popullit, znj. Ballanca, ka prezantuar gjatë këtyre viteve një lidership mjaft të mirë duke ekspozuar dhe adresuar një ekspertizë tejet profesionale. Po ashtu, edhe komisionerët me ndihmësit e tyre gjithashtu. Sapo mbyllim këtë vit dhe rezultatet tona që do përmblidhen në raportin vjetorë janë mjaft të shumta e konkrete.

Në një libër tuajin, keni vënë në qendër figurën e një prokurori, a e sheh në prokurorinë tonë këtë ‘prokuror’ apo vijoni të prisni…?

Në romanin “Brenga e prokurorit” kam ndërtuar një personazh, që mendoj se i përshtatet realitetit të sotëm. Për ndërtimin e këtij personazhi, gjatë kohës që po e shkruaja në mendje romanin, kam takuar miq të mi prokuror për ta aktualizuar veprimtarinë e personazhit. Nga koha që kam punuar unë në prokurori e deri më sot ka kaluar shumë kohë dhe më duhej të gjeja element që unë nuk i kam aplikuar në kohën kur punoja. E them me siguri që ka prokurorë në sistem që janë si personazhi im, por janë pak. Do të dëshiroja që gradualisht ky numër të rritej e të përbënte shumicën e sistemit të akuzës në vendin tim. Njëkohësisht do të dëshiroja që asnjë polic ose prokuror të mos ketë fatin e personazheve të mi Artur Rrasa dhe Martin Guri…

Exit mobile version