Përgjimet, fundi i Ramës, ka kaluar vijën e kuqe

Të gjitha detajet në lidhje me pajisjen e përgjimit, të cilat kanë nisur të bëhen publike hedhin dritë mbi skandal dhe krim shtetëror, i cili vendos përpara përgjegjësisë direkte kreun e qeverisë dhe ministrin e tij të Brendshëm. Tahiri e ka përgënjeshtruar fillimisht ekzistencën e një pajisje të tillë. Më pas, ai ndryshoi qëndrim dhe e pranoi ekzistencën e saj, por deklaroi se përdoret për trajnim.
Në një skandal të mirëfilltë shtetëror, policia refuzoi urdhërin e Prokurorisë, e cila kërkoi sekuestrimin e kësaj pajisje përgjimi me pretekstin se ajo i përket Interforcës italiane, e cila nga ana e saj deri tani ka heshtur përpara një shkrese zyrtare të dorëzuar nga Prokuroria. Po ashtu doganat kanë mohuar zyrtarisht deri tani që të tregojnë dokumentat se si kjo pajisje ka hyrë në Shqipëri, duke e bërë të qartë se ajo nuk është regjistruar zyrtarisht sikurse e kërkon ligji.
Është thënë nga goja e ministrit se kjo pajisje është përdorur për trajnime, ndërsa ligji e saktëson se edhe këto trajnime nuk mund të bëhen nga policia pa lejen e Prokurorisë, madje është ky institucion, ai i cili duhet të bëjë trajnime të tilla.
Gazetari Fevziu, duke iu referuar burimeve të shërbimeve sekrete ka paraqitur mënyrën klandestine të hyrjes në Shqipëri të kësaj pajisje. Sipas tij, pajisja ka hyrë më 12 mars në Shqipëri dhe ajo ka qenë në bagazhin e një makine model BMW X3 me targa italiane. Ky informacion le të kuptosh se futja e pajisjes është evidentuar nga institucionet jashtë kontrollit të qeverisë që ditën e parë të futjes së saj.
Informacioni tjetër është se pajisja është kapur, duke përgjuar përmes metodave të specializuara të shërbimeve inteligjente. Frekuencat e këtyre përgjimeve janë një tjetër provë e rëndë me të cilën do të duhet të përballet Tahiri dhe Rama. Ish-Kryeministri Berisha deklaroi tre ditë më parë se me këtë pajisje nuk janë përgjuar gjatë këtyre dy muajve jo vetëm krerët e shtetit shqiptar, duke nisur nga Kreu i Shtetit tek, Kryetari i Parlamentit dhe Kryetari i opozitës, por janë përgjuar edhe ambasadorë të vendeve mike.
Kjo deklaratë e ish-Kryeministrit Berisha nuk është përgënjeshtruar. Vendi është në prag të një megaskandali politik, i cili prej tre ditësh i ka kaluar kufijtë e territorit të këtij vendi. Mediat italiane kanë mundur që të evidentojnë edhe mënyrën e futjes në Shqipëri në mënyrë klandestine të kësaj pajisje përgjimi. Ata sqarojnë se kemi të bëjmë me një plan privat mes krerëve të qeverisë në Shqipëri dhe familjarëve të kreut të Interforcës italiane. Burimet saktësojnë gjithashtu se në këtë biznes janë të përfshirë emra të njohur të përfshirë në struktura të hetimit të krimit, por që janë të evidentuar për lidhjet me trafikantë dhe kriminelë.
Burimet saktësojnë se pajisja është marrë në mënyrë private, sepse ajo disponohej në një nga banesat e këtyre zyrtarëve me lidhje të dyshimta me krimin në vendet fqinje dhe që mbahej po ashtu në mënyrë klandestine dhe të paautorizuar. Të njëjtat burime saktësojnë se personi që mendohet se ka futur këtë pajisje në mënyrë klandestine në Shqipëri ka në banesat e tij edhe dy pajisje të tjera të të njëjtës markë.

Pajisja është përdorur

Gazetari i afërt me ministrin e Brendshëm, Tahiri deklaroi mbrëmë se pajisja nuk është përdorur vetëm për trajnime, por edhe për të hetuar dhe arrestuar eksponentë të krimit. Ai solli rastin e një pengmarrjeje të pak javëve më parë, që sipas tij ishte bërë e mundur që të kapej autori pikërisht, sepse ishte vënë në punë kjo pajisje. Në këtë rast, gazetari i afërt që shpalos në debate qëndrimin e Tahirit nuk dëshmoi nëse për një përgjim të tillë a kishte marrë policia leje për përgjim nga Prokuroria? Nëse është përdorur në një rast pengmarrje dhe pa vënë në dijeni Prokurorinë, atëherë kjo pajisje përgjimi provohet se po përdoret gjërësisht nga policia në kundërshtim me ligjin.
Rama edhe Tahiri dhe mercenarët e tyre në media nuk mund të bindin askënd se qëllimi i këtyre përgjimeve është lufta ndaj krimit, sepse është e vështirë sot që të gjendet qoftë që ta besojë këtë. Kjo është një qeveri me lidhje kriminale të forta dhe ajo vetëm krimin nuk mund të luftojë. Arsyeja se përse kjo pajisje ka mbërritur në Shqipëri është e mirëfilltë për qëllime politike. Përfshirja në hetim edhe e ambasadorëve dhe evidentimi i këtyre përgjimeve nga autoritete të specializuara është një fakt që tregon se Rama e ka kaluar vijën e kuqe. Këto përgjime janë fundi politik i Ramës. Se cila do të jetë kostoja e këtij fundi, kjo mbetet për t’u parë gjatë ditëve të ardhshme, por askush sot në Shqipëri nuk mund të pranojë që të jetë i përgjuar për interesat politike dhe mafioze të Ramës dhe Tahirit dhe aq më pak mund ta pranojnë këtë përfaqësues ndërkombëtarë të vendeve mike.

Arben SHAHINI

Exit mobile version